English

Rama takim në Departamentin e shtetit Amerikan

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar një takim me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Europën z.Philip Reeker. Duke dalë nga takimi lideri i opozitës Edi Rama u shpreh se ishte një takim gjatë të cilit u diskutuan shumë çështje, që kanë të bëjnë me demokratizimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Kryetari i Partisë Socialiste Rama vlerësoi se ishte një takim shumë miqësor. Ky takim u zhvillua me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Ishte një takim shumë shumë pozitiv, me energji shumë pozitive, me shumë çështje për të diskutuar në mënyrën më të hapur dhe në mënyrën më miqësore. Dhe ishte një tjetër gur i rëndësishëm në murin e miqësisë, të bashkëpunimit, të komunikimit intensiv për të çuar përpara të gjitha proceset që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë; që kanë të bëjnë me demokratizimin e mëtejshëm të vendit; që kanë të bëjnë me rolin e Shqipërisë në rajon; dhe që kanë të bëjnë në fund të fundit me Shqipërinë që duam si aleate të SHBA-ve, por dhe si një vend që duhet të mishërojë vlerat që mishëron aleati ynë më i madh.”

Kryetari i PS Edi Rama është pyetur nga mediat që qëndronin në pritje të përfundimit të takimit.

Pyetje: Çfarë mesazhi ka Departamenti i Shtetit për opozitën në Shqipëri?

“Për këtë duhet të pyesni Departamentin e Shtetit. Por, unë mund t’ju them se jemi jo vetëm të kënaqur, por edhe të frymëzuar nga ky takim,” përfundoi lideri i opozitës Edi Rama prononcimin e tij për mediat pas takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropën z.Philip Reeker.” Axhenda e Kryetarit Rama ka vazhduar me takime në Kongresin Amerikan siç shkruan vetë lideri i opozitës në faqen zyrtare “pas një takimi të shkëlqyer në Departamentin e Shtetit”.

KOMENTE