English

Edi Rama në takimin me sipërmarrësit më të rinj

Fjala e Edi Ramës në takimin me sipërmarrësit më të rinj

Përshëndetje të gjithëve dhe mirënjohje për prezencën tuaj këtu! Më lejoni t’ju garantoj qysh në fillim se për ne “Një Rilindje Shqiptare”, ashtu siç e parashohim, është e pamundur pa ju. Është e pamundur pa botën e sipërmarrjes shqiptare dhe pa çdo njërin që në këtë botë ka përparuar me talent, me guxim, me vullnet dhe që fatkeqësisht deri më sot nuk ka arritur të marrë vlerësimin që në një shoqëri demokratike meriton çdo sipërmarrës. Në këndvështrimin tim, sipërmarrësi është një figurë po aq e rëndësishme për një shoqëri si e jona, sa ç’është dhe çdo artist, çdo këngëtar, çdo individualitet i cili përbën një pikë referimi për gjithë bashkësinë ku jetojmë. Prezenca juaj sot në këtë tryezë na ngarkon me një përgjegjësi të madhe dhe dëshiroj që sot t’ju ftojmë që të përshkruajmë sëbashku rrugën tonë të Programit për Rimëkëmbjen e Ekonomisë. Është një rrugë ku ne dëshirojmë kontributet e secilit prej jush, dhe të çdokujt tjetër që sot nuk ndodhet këtu, por ka diçka për të thënë për një program që në fund të kësaj rruge nuk duhet të jetë thjesht programi i një partie, por duhet të jetë edhe pronë e çdokujt që nga kjo parti në qeverisjen e vendit pret zgjidhje për problemet e veta dhe nxitje për realizmin e aspiratave të veta. Ne jemi të bindur se pa një partneritet të hapur, serioz dhe të mirëstrukturuar me sipërmarrjen, Shqipëria nuk mund të dalë nga kriza që po përjeton sot, dhe as mund të shkojë drejt horizontit të një të ardhmeje, siç e dëshirojmë të gjithë sëbashku.

Unë besoj se një Rilindje Ekonomike fillon pikërisht nga ju, nga çlirimi i sipërmarrjes prej të gjithë ngarkesës së padrejtë, keqpërdorimit dhe abuzimit politik me të, monopolizimit të mundësive dhe oportuniteteve, si edhe pa asnjë dyshim nga krijimi i kushteve për një konkurrencë të hapur, të lirë dhe të ndershme, të bazuar tek puna, tek aftësitë, tek dija, tek këmbëngulja, talenti dhe guximi në sipërmarrje. Unë besoj, se në themel të ripërtëritjes dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit ky partneritet i ri me sipërmarrjen është një garanci. Ashtu si kundër jam i bindur se mbështetja e sipërmarrjes, në radhë të parë, përmes krijimit të kushteve për një konkurrencë të hapur, të lirë dhe të ndershme është guri i themelit në këtë proces. Sot ne jemi këtu sëbashku për t’ju dëgjuar dhe për të shkuar drejt formësimit deri në detaje të programit tonë të ri ekonomik, i cili dëshirojmë që të ketë bashkautorësi me ju. Jo për të siguruar mbështetjen tuaj politike, por mbi të gjitha për të siguruar një kuptim të drejtë, një lexueshmëri të përbashkët dhe një vullnet po ashtu të përbashkët për politika të mirëmenduara dhe të guximshme të cilat duhet të vendosen në themelin e punës sonë për rimëkëmbjen ekonomike. Dua t’ju siguroj sot solemnisht se qeveria jonë do të ulet me ju siç jemi të ulur këtu sot përpara çdo hapi të rëndësishëm me impakt në punën tuaj që ne do të hedhim. Më lejoni që për të hapur këtë debat të parë të sjellë në vëmendjen tuaj disa nga parimet e programit tonë të ri ekonomik, i cili është një libër i hapur ku dua ta përsëris me këmbëngulje secili prej jush është i ftuar të shkruaj faqen e tij. Sot ne vetëm e fillojmë procesin e tërheqjes së opinioneve tuaja. Të jeni të bindur se do ta bëjmë këtë me seriozitet përgjatë gjithë rrugës së programit. Dëshirojmë të rikthehemi në këtë tryezë për t’ju ofruar një kontratë për mënyrën se si ne e kuptojmë, e shohim dhe duam ta bëjmë bashkë me ju të gjithë procesin e rimëkëmbjes ekonomike.
716
Së pari ne duam të ofrojmë një politike të re fiskale, e cila synon të ulë koston e jetesës për shumicën e shqiptarëve. Proces ky që kryesisht, sipas këndvështrimit tonë duhet të mbështetet tek heqja e barrës së taksës sheshtë dhe vendosja e një drejtësie sociale përmes taksimit progresiv. Individët që i përkasin shtresës së varfër, por edhe ata që janë sot shtresa e mesme në Shqipëri duhet të përfitojnë një ulje serioze të barrës fiskale. Sot një infermier apo një mësues, apo edhe një i punësuar në sektorin publik ose privat me një pagë deri në 800 mijë lekë të vjetra punon një muaj për qeverinë, shuma e taksës që ai paguan është e barabartë me pagën e 12. Ne jemi të vendosur ta ndryshojmë këtë dhe të lehtësojmë barrën fiskale të qytetarit të zakonshëm. Kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. Kush fiton më pak duhet të paguajë më pak. Nuk ka rast më të mirë se ky njëkohësisht, për të theksuar se ne duam nga ana tjetër të ofrojmë një paketë çliruese për biznesin. Sot ne e dimë shumë mirë që situata ekonomike është teje e vështirë dhe sigurisht që, shumë ndër ju këtu, apo shumë sektorë që ju këtu përfaqësoni e jetojnë këtë drejtpërdrejt. Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimin që kriza ekonomike i bën dita ditës, gjithmonë e më fort biznesit shqiptar. Dhe kjo, është e reflektuar në uljen e konsumit të të gjitha mallrave, në mungesën e shitjeve në ndërtim, në borxhet marramendëse që ju kanë ngarkuar mospagesat, dhe sidomos ato të qeverisë, në rritjen po ashtu të borxheve ndaj bankave dhe në rritjen e borxheve të këqija. Në programin tonë, ne e kemi përcaktuar se politikat tona fiskale do të jenë në shërbim të drejtësisë sociale, pa cënuar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Parimi ynë themelor është se rishpërndarja funksionon përmes progresivitetit. Qeveria nuk mund t’u kërkojë sforco të reja dhe as t’ju shtojë mundimet konsumatorëve shqiptarë, nëse nuk rrënjoset bindja se kushdo duhet të kontribuojë sipas të ardhurave dhe pasurisë së vet dhe askush individualisht nuk duhet t’i shmanget taksimit progresiv. Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin fiskal duke kaluar nga një taksim regresiv i konsumit dhe taksim proporcional i të ardhurave në një taksim progresiv për të gjithë, që do të bëjë në fund të ditës kush është më i pasur të ketë natyrshëm një barrë fiskale më të lartë se sa kush është më i varfër.

Nga ana tjetër nuk ka rast më të mirë se ky për të theksuar se ne do t’i mbështesim të gjitha ato nisma dhe kontrata koncesionare të bëra në respekt të ligjit. Gjëja e parë në krye të punëve do të jetë mbështetja ndaj këtyre nismave të rëndësishme dhe në këmbim ne, sigurisht, presim respektim të kontratave dhe korrektësi në lëvrimin e detyrimeve në të mirë të biznesit, të shoqërisë dhe të ekonomisë. Në programin tonë ne jemi shprehur qartë, do të shfuqizojmë të gjitha lejet koncesionare për vepra hidroenergjetike që nuk kanë respektuar afatet ligjore dhe do të krijojmë mundësi të barabarta për përfshirjen e investitorëve serioz vendas dhe të huaj që dinë të zhvillojnë projekte në mënyrë transparente duke respektuar mjedisin. Partneriteti publik privat, një fjalë e stërpërdorur dhe e stërkonsumuar në boshllëk, është një parim themelor në programin tonë. Ne do ta mbështesim e promovojmë me objektiva të qarta të dobishmërisë publike, me një legjislacion inkurajues dhe të efektshëm, me proceduara të rregullta dhe transparente dhe me institucione publike të përgjegjshme dhe kompetente në shërbim të sipërmarrjes. Ne besojmë se është në interes të çdo sipërmarrësi që të ketë një kontratë të qartë dhe të mos jetë i shantazhueshëm as nga nënpunësit e administratës dhe as nga politika në pushtet. Një prej shtyllave të programit tonë është punësimi. Punësim real përkundër rritjes së papunësisë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm që ka hapur dhe po çon përpara kjo qeveri. Por, po ashtu jemi të vetëdijshëm që të flasësh sot për punësim real do të thotë të flasësh në radhë të parë për partneritetin e qeverisë me sipërmarrjen. Dëshiroj po ashtu që solemnisht të angazhohem përpara jush që ne do t’i heqim përfundimisht referencat. Sistemi i referencave aktuale është mjet abuzimi politik. Ato u vendosën kur teknologjia ishte larg optimales, me idenë për të mos lejuar abuzim me çmimet dhe faturat, por tanimë janë kthyer në gangrenë për biznesin, në gangrenë për qeverisjen, në gangrenë për shoqërinë. Nga ana tjetër dëshiroj t’ju them se ne duam ta garantojmë sipërmarrjen duke i lehtësuar një pjesë të madhe të stresit dhe të mundimeve në ecejaket e pafundme administrative dhe duam t’i unifikojmë institucionet fiskale në një të vetëm.

Duam të krijojmë një strukturë të vetme të të ardhurave, e cila t’i shkurtojë biznesit kohë dhe kosto, por të lehtësojë dhe kostot administrative të vetë qeverisë duke krijuar kushte për transparencë dhe për ulje të konsiderueshme të abuzimit. Për ne zhvillimi modern rural përkundër braktisjes së fshatit në një gjendje primitive është pjesë themelore e rrugës për ta rimëkëmbur ekonominë dhe për të krijuar kushte për vende të reja pune. Objektivi ynë është ndër të tjera që të ngremë një rrjet kombëtar të grumbullimit dhe të tregtimit të produkteve bujqësore, si dhe ta 5-fishojmë financimin publik për zhvillimin rural. Miradministrimi dhe mbrojtja e burimeve natyrore janë gjithashtu pjesë e pandashme e programit tonë ekonomik. Dhe ne do t’i mbështesim në mënyrë specifike të gjithë ato partneritete me sipërmarrjen që mundësojnë zgjerim të ciklit brenda vendit, duke filluar nga nxjerra e lëndëve të para deri tek përpunimi i tyre brenda kufijve të Shqipërisë për të përfituar sa më shumë vlerë të shtuar dhe sa më shumë punësim. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të mbingarkesës që ju ka shkaktuar secilit në biznesin tuaj paparashikueshmëria e politikës fiskale. Në 6 vitet e fundit, 6 ligjet bazë tatimore janë ndryshuar 65 herë nga qeveria. Ndryshimet ligjore që ne do të propozojmë, do të hartohen përmes diskutimeve serioze dhe realiste në radhë të parë bashkë me ju, bashkë me komunitetin e sipërmarrësve të cilit duam t’i japim një rol të dorës së parë si palë e interesuar. Nga ana tjetër asnjë ligj fiskal nuk do të ketë efekt të menjëhershëm pa i lënë kohë komunitetit të biznesit të informohet, të konsultohet dhe të përgatitet. Programi ekonomik i Partisë Socialiste synon të mbështesë sektorët prodhues që krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë, që nxisin punësimin dhe zgjerojnë prezencën e produkteve shqiptare në tregjet e eksportit. Sektorët e eksplorimit të naftës, sektori i energjisë, sektori i bujqësisë dhe disa sektorë të tjerë, që ndihmojnë në ciklet e plota të prodhimit ne duam t’i trajtojmë me lehtësira serioze, administrative dhe fiskale.

hvillimi i turizmit mbetet një çështje tjetër shumë e rëndësishme, ndër çështjet e përbashkëta të vendit, por edhe ndër ato të programit tonë. Pasi ne besojmë që deri më sot turizmi është zhvilluar në mënyrë krejt spontane dhe për më tepër me pasoja të rënda për mjedisin dhe dëme deri dhe të pariparueshme për atë që është forca më e madhe që ka vendi ynë, bukuria e tij. Mundësitë e rritjes të sektorëve prodhues ne duam t’i orientojmë edhe në gjetjen e tregjeve të reja për eksport, si dhe në përpjekjet për të zëvendësuar importet sa më shumë. Ne duam të mbështesim ngritjen e një sistemi online të informacionit ekonomik kombëtar, i cili duhet t’i shërbejë botës sipërmarrëse dhe duhet të bëhet një pikë referimi për çdo investitor. Më lejoni pa u zgjatur të qëndroj edhe tek çështja e pronës. Ne kemi marrë një angazhim solemn për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës. Është një përgjegjësi 20 vjeçare e cila mbetet mbi shpatullat e politikës si një përgjegjësi gjithmonë e më e rëndë me pasoja gjithmonë e më të rënda. Por, edhe për këtë çështje ne besojmë se është e paanashkalueshme rruga e komunikimit me botën e sipërmarrjes dhe e diskutimit drejtpërdrejt me të. Jemi të bindur që informacioni është një tjetër element i munguar sot për sipërmarrësit.

Nuk mund të ketë sipërmarrje të suksesshme dhe të qëndrueshme pa një informacion ekonomik të saktë dhe transparent për vendimmarrjen strategjike të çdo kompanie. Aktualisht, ju e dini fare mirë, informacioni statistikor zyrtar është i mangët, është i vonuar dhe është i manipuluar. Operatorët ekonomikë, por edhe publiku i gjerë, e kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave që është kthyer në një instrument të propagandës politike. Ne besojmë se informacioni statistikor duhet të kthehet në një instrument në duart e publikut dhe posaçërisht në duart e sipërmarrjes shqiptare. Shqipëria sot nuk e ka ende një plan të përgjithshëm kombëtar të zhvillimit të saj. Ky është një plan i munguar dhe pasojat e mungesës së tij lexohen dita ditës. Miratimi i një plani të përgjithshëm kombëtar të zhvillimit është detyra jonë më e parë në funksion të një modeli të ri ekonomik për vendin. Dhe, hartimi i këtij plani bashkë me ngritjen e një Kadastre shumë Qëllimshme do të jenë instrumenta themelorë për të orientuar investimet private dhe për t’i dhënë mundësi sipërmarrjes që të ketë një gamë të gjerë zgjedhjesh. Sigurisht, që është modë që sa herë politika, palët, partitë ballafaqohen me grupet e interesit flitet dhe për korrupsionin. Ne e konsiderojmë këtë çështje, një çështje themelore dhe kur është fjala për sipërmarrjen një çështje që lidhet me kapjen e shtetit. Sot ju jeni të gjithë dëshmitarë të faktit të thjeshtë se askush nuk mund të konkurrojë lirisht dhe të marrë atë që i takon në bazë të konkurrencës, sepse rruga e konkurrencës është e bllokuar. Dhe kapërcimi i të gjitha postblloqeve që çdo sipërmarrje ndesh për të realizuar një qëllim lidhur më një investim është një kalvar më vete. Kur thashë është bërë modë, kisha parasysh angazhimet në retorikë të të gjithë atyre që e adresojnë çështjen e korrupsionit dhe të kapjes së shtetit nga pozicioni i politikës.

Por, ajo që unë sot dua të bëj me shumë pak fjalë është kjo: Unë personalisht dhe e gjithë PS do të angazhohemi solemnisht për të garantuar konkurrencën e lirë dhe të ndershme. Për të garantuar që secili të përfitojë nëpërmjet konkurrencës duke u bazuar tek merita e tij. Nga ana tjetër ne jemi shumë të vendosur që këtë parim dhe këtë angazhim ta mbështesim me krijimin e një administrate publike, e cila të bazohet në meritë dhe në procedura të standardeve europiane. Duke kërkuar ndarjen prerazi të saj nga nepotizmi dhe nga klientelizmi. Këto ishin ato që unë pashë të arsyeshme të shtroja këtu si një paketë të vogël parimesh, por ky nuk është një plan i detajuar, sigurisht që për të qenë një plan i detajuar është e domosdoshme që ne të komunikojmë në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejt me ju në radhë të parë dhe që të dëgjojmë dhe të mbajmë shënim me shumë vëmendje dhe seriozitet gjithshka ju keni për të na thënë. Duke e mbyllur dhe duke qenë krejtësisht i vetëdijshëm për një nivel të lartë mosbesimi që është krijuar dhe në botën e sipërmarrjes ndaj politikës, ashtu siç është krijuar në të gjithë shoqërinë tonë, unë dëshiroj t’ju garantoj se jemi këtu sot për t’u angazhuar. Jemi këtu sot për t’i dhënë mundësi vendit, juve dhe vetes që të bëjmë një ndarje radikale me të gjithë atë rrugë të vështirë të së shkuarës që e ka bërë investimin dhe punën e secilit prej jush sot një çështje realisht të vështirë të jetës së përditshme për ju dhe për gjithë shoqërinë.

Ashtu siç ishte parashikuar në fund të diskutimeve kryetari socialist Rama e morri sërish fjalën duke u shprehur: Në radhë të parë, sinqerisht ju falenderoj. Besoj se përtej përmbajtjes së debatit dhe përtej objektit të kësaj tryeze ju sot keni dhënë një kontribut të posaçëm për të përçuar një shembull jashtëzakonisht të nevojshëm në shoqërinë tonë, që ka të bëjë më domosdoshmërinë për të pasur ura komunikimi me forcat politike pavarësisht përkatësisë ose jo në to. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë që komunikimi mes njerëzve, grupeve të interesit dhe të gjitha shtresave me forcat politike të jetë i hapur, i drejtpërdrejt dhe pa dyshim proaktiv në mënyrë që të kuptojmë sa më mirë njëri- tjetrin dhe të përmirësojmë sa më shumë politikën. Së dyti më lejoni t’ju them se ky proces për ne është shumë i rëndësishëm. Procesi i ndërtimit të programit, për ne është po aq i rëndësishëm sa programi. Dhe dua ta përsëris, ashtu sikundër jemi ulur sot, unë angazhohem që të jemi të ulur edhe nesër, kur ne të qeverisim dhe kur për çdo hap të rëndësishëm që duam të hedhim me impakt për ju të diskutojmë dhe vendimmarrja të jetë sa më transparente dhe sa më e dakordësuar.

Sigurisht që nuk mund të jemi dakord për të gjitha dhe me të gjithë, por mos harrojmë për asnjë moment se kontributi i çdo taksapaguesi, nga ai më i zakonshmi tek ai më i rëndësishmi për nga pesha është një kontribut, i cili shkon për të përmirësuar vendin ku jetojmë, për të përmirësuar shërbimet, për të përmirësuar edhe rrugën e të nesërmes edhe të fëmijëve tuaj ashtu siç të fëmijëve të të gjithë Shqipërisë. Programi ynë ka nevojë për tu diskutuar dhe për tu detajuar në vazhdimësi. Unë sot paraqita vetëm disa parime, ne i qëndrojmë këtyre parimeve, por ne nuk jemi një e majtë dogmash, por jemi një e majtë vlerash. Ashtu sikundër për ne, ajo që funksionon është ajo që duhet bërë pa u barikaduar në llogore ideologjike të cilave ju ka ikur koha. Nëse ne jemi vendosur si një alternativë përballë qeverisë sot dhe kemi përcaktuar qartë pikat kyçe ku dallojmë është e padyshimtë që formësimi i kësaj alternative dhe transformimi i këtij programi në një instrument qeverisës mund të funksionojë në të mirë e përbashkët dhe në të mirën e secilit vetëm nëse ne arrijmë t’i japim sa më shumë qytetarëve, sa më shumë grupeve të interesit, sa më shumë komuniteteve bashkëpronësi në këtë program. Ne besojmë se Shqipëria është në një udhëkryq mes mundësisë për një Rilindje Shqiptare dhe opsionit të Rrënimit të Mëtejshëm.

Ne besojmë se Shqipërisë i duhet punësim real dhe jo një rritje e mëtejshme e papunësisë. Ne besojmë në një taksim të ndershëm dhe jo në një taksë të sheshtë. Ne besojmë në mbështetjen e biznesit dhe jo në dëmtimin e biznesit. Ne besojmë në shërbime publike, arsim, shëndetësi e këtu përfshijmë dhe drejtësinë që jepet sipas nevojës dhe jo sipas mundësisë për të paguar. Ne padyshim besojmë që pa një zhvillim modern rural, me një fshat në këtë gjendje mesjetare nuk ka Shqipëri Europiane dhe nuk ka mirëqenie. Së fundi do të ndalem pak tek taksa, padyshim kjo është pika ku do të gravitojë komunikimi dhe bashkëpunimi ynë. Por pa dashur të marr sot përgjigje, unë dua t’ju bëj një pyetje. Mes një takse progresive dhe një takse të sheshtë në kushtet kur ju keni referenca, keni gjoba, keni paparashikueshmëri të legjislacionit fiskal, keni kohë që shkon dëm, keni dhe një stres të jashtëzakonshëm për të gjitha këto shkaqe, po fut edhe ryshfetin, zgjidhni taksën e sheshtë me gjithë këtë taksën e fshehtë, apo zgjidhni një taksim të ndershëm i cili me patjetër duhet shoqëruar me heqjen e të gjithë këtyre elementëve të tjerë.

Përfaqësuesi i Biznes Albania Luan Bregasi, dikur pati një problem shëndetësor, dhe unë nuk e harroj kur shkoi të vizitohej në spital dhe më tha që “u bëmë shumë sipërmarrës me infarkt dhe shumë që po ikin para kohe”, por deri tani tha, “nuk i ka rënë infarkt asnjë politikani”. E pra, e vërteta e madhe e kësaj shprehje të thënë në krevatin e spitalit është kjo. Që të mos bëjmë llogarinë thjesht taksë progresive - taksë e sheshtë në numra, por të bëjmë llogarinë e kësaj takse të fshehtë me gjithë këto elemente të tjera që kushtojnë qimet e kokës dhe qimet me të vërtetë, në rastin kur vjen edhe infarkti pastaj. Ndërkohë që nga ana tjetër, Gjergj Buxhukut dua t’i them që nuk e provon eksperienca e rajonit që ulja deri në maksimum e irracionale e taksës së sheshtë ka prodhuar zhvillim, ka sjellë investime prodhuese të atilla që t’i japin qëndrueshmëri ekonomisë, apo ka prevenuar dhe krizën ku sot është i zhytur rajoni. E kundërta është e vërtetë, që nëqoftëse ne fuqizojmë konsumatorin dhe nga ana tjetër arrijmë të dakordësojmë një politikë fiskale, e cila padyshim për ne duhet të bazohet në parimin e progresivitetit. Por kjo është vetëm një fjalë, ndërkohë që i gjithë artikulimi edhe këtu, edhe mes atyre që në fillim të fjalimit e kundërshtuan taksën e sheshtë, në fund të fjalimit pamë se ka opsione, atëherë kjo është puna që ne duam të bëjmë bashkërisht.

Arsyeja se pse ne jemi këtu sot është se nuk duam të shkruajmë një program në një zyrë me pesë ekspertë, por duam ta shkruajmë atë bashkë me ju. Unë e besoj këtë, së besoj shumë se nëse procesi do të na japë një program i cili ka dhe autorësinë tuaj, me patjetër dhe procesi qeverisës do të jetë i ndryshëm. Më lejoni ta mbyll me fjalën e zonjës Faber e cila me plot të drejtë, siç i referohen gjithë shqiptarët në fund të fundit të shkuarës, ju referua të shkuarës dhe foli për disa nga këto çështje që unë i ngrita në fillim dhe që i imperpetum i janë ngritur si premtime dhe kanë mbetur premtime të pambajtura dhe bëri një pyetje; Sa duhet ta besojmë ne këtë herë se këto angazhime do të mbahen? Sigurisht që opozita ka vetëm fjalën ka dhe fytyrën. Ajo që unë dua t’ju siguroj është që angazhimi ynë për t’i mbajtur të gjitha këto angazhime varet edhe nga ju. Sa më shumë bota e sipërmarrjes të përfshihet në projektin “Për një Rilindje Shqiptare”, se si votoni kjo është në dhomë të fshehtë, është çështja juaj dhe bëni kujdes që mos ju zbulojnë votën. Por me shumë rëndësi është që në fund fare qeveria të ndihet partnere e detyruar bazuar pikërisht në këtë proces.

Ju falenderoj shumë! Sikundër e tha edhe Sekretari jonë për Sipërmarrjen do të merrni brenda 5 ditëve një raport të shkruar të gjithë këtij diskutimi, ne do ju kontaktojmë edhe në grupe më të vogla dhe drejtpërdrejt për t’ju dëgjuar me shumë vëmendje. Adresat që kemi vënë në dispozicion mund t’i përdorni, por me siguri ne do të kthehemi përsëri dhe jo për të bërë të njëjtin debat, por për të filluar të hymë më thellë dhe për të artikuluar më qartë atë plan, qoftë në fushën fiskale, qoftë në fushën ekonomike, qoftë në fushën e zhvillimit tërësor që ju keni nevojë dhe që çdokujt do t’i duhet ta dijë sa më imtësisht, para se të vendosë nëse do të besojë se një Rilindje Shqiptare është e mundshme apo do të dorëzohet përpara fatalitetit të Rrënimit të Mëtejshëm. Ju falenderoj dhe mirë u takofshim në tryezën e ardhshme.

KOMENTE