English

Komunikimi është jo vetëm i kënaqshëm por edhe rezultativ shprehet Basha

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha mori pjesë sot në konferencën “Për një Qeverisje Vendore Efektive”. Zoti Basha nënvizoi domosdoshmërinë e komunikimit mes të zgjedhurve vendorë, për çështje që prekin drejtpërdrejt menaxhimin e atyre shërbimeve të domosdoshme për qytetarët. Mungesa e këtij komunikimi, sipas zotit Basha, prej kohësh kishte shkaktuar vonesa, që nga plani urbanistik deri tek transferimi i ujësjellës-kanalizimeve. Për këtë arsye, Kryetari i Bashkisë më të madhe në vend theksoi se që me marrjen e postit të Kryebashkiakut, ka vendosur një komunikim me të gjithë drejtuesit e njësive vendore, por edhe me drejtues të komunave dhe bashkive përreth Tiranës.

“Komunikimi ka qenë efektiv, i kënaqshëm me të zgjedhurit vendorë brenda qytetit të Tiranës, për çështje të tilla si decentralizimi i kompetencave drejt minibashkive dhe ka qenë po kështu i kënaqshëm edhe me komunat e bashkitë kufitare për çështje të tilla të planifikimit strategjik, si plani urban, vendosja e infrastrukturës kryesore apo parësore, projekte të tilla si zgjatimi i bulevardit të Tiranës, apo rehabilitimi i lumit të Tiranës, apo ndërtimi i terminalit të ri të pasagjerëve të cilët përfshijnë në shumë raste dy apo më shumë komuna apo bashki, në këtë rast Paskuqanin, Kamzën dhe Kasharin, pra sa herë ne jemi të drejtuar nga arritja e objektivave, komunikimi është jo vetëm i kënaqshëm por edhe rezultativ. Jam i bindur se e njëjta vlen edhe për komunikimin mes kryetarëve të njësive vendore, në nivel vendi.”
Zoti Basha theksoi rëndësinë e heqjes së pengesave artificiale në komunikim dhe udhëheqjen e të gjithë bashkëpunimit mes të zgjedhurve vendorë, drejt interesave parësore të qytetarëve.

“Mendoj se ne duhet të zhbëjmë çdo pengesë artificiale në komunikim, duhet të veprojmë në mënyrë energjike, që komunikimin tonë ta forcojmë dhe kjo pa dyshim do të ndihmojë jo vetëm përmes shkëmbimit të përvojave, por edhe duke forcuar relevancën tonë, domethënien tonë, si të zgjedhur të drejtpërdrejtë të qytetarëve të pushtetit vendor, në të gjithë diskutimet, që nga buxheti e legjislacioni kombëtar, e deri tek projektet e përbashkëta që shtrihen në territorin e bashkive dhe komunave tona”.

KOMENTE