Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nikolas Kanon Obe, i cili paraqiti Letrat-kredenciale.
Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë dhe njëkohësisht suksese për detyrën e rëndësishme, Presidenti Topi e “siguroi ambasadorin britanik për mbështetjen e plotë nga të gjitha institucionet e shtetit, gjatë misionit të tij diplomatik në Shqipëri si përfaqësues i një vendi mik dhe partner strategjik si Mbretëria e Bashkuar”.
Kreu i Shtetit bëri një përshkrim të shkurtër të situatës në rajon dhe të zhvillimeve më të fundit në vend, duke vënë në dukje objektivin kryesor të shtetit shqiptar, “përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda vitit 2012, që përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë”.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Ambasadori britanik ndanë të njëjtat pikëpamje për sa i përket rëndësisë së pavarësisë së institucioneve kushtetuese, të konsolidimit të gjyqësorit dhe parimeve të demokracisë për ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe përmbushjes së reformave dhe kritereve të kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë Nikolas Kanon Obe, pasi e përgëzoi Presidentin Topi për përmbushjen e misionit të tij kushtetues si simbol i unitetit të popullit, shprehu “vullnetin dhe gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues për në Bashkimin Evropian”. Ambasadori Nikolas Kanon Obe vlerësoi “rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, duke shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan në kuadër të koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër një të kërcënimi global, siç është terrorizmi.”