English

Berisha ka gënjyer për taksat shprehet Ilir Beqja nga PS

Sot shqiptarët e ndoqën që Saliu u kujtua të takohet me biznesin. Në fakt edhe takimi i sotëm provon atë që ne si opozitë themi prej kohësh. Saliu nuk qeveris, por të paktën ka vendosur të dëgjojë dhe të kuptojë se vendit i duhet ajo çfarë po bën opozita. Opozita takohet me biznesin, kujtohet edhe Saliu pas 7 vjetësh se biznesi duhet takuar, dëgjuar. Opozita ngre me shqetësim moszgjidhjen e çështjes së pronave si një nga pengesat kryesore në rrugën tonë drejt Europës, Saliu kujtohet se duhet të merret edhe me këtë çështje. Opozita me shqetësim konstaton dhe vlerëson se moszgjidhja e statusit të ish të përndjekurve është një problem i mbartur në shoqërinë tonë dhe Saliu kujtohet edhe për ish të përndjekurit. Por, në fakt Saliu dhe sot vazhdoi të mos thotë të vërtetën. Ndosha po i afrohet festa e tij pasnesër në 1 prill, por këtë herë e ka filluar gjithë vitin me gënjeshtra.

Deklaroi se Shqipëria është vendi i taksave më të ulta. Nuk e thotë opozita, por është një raport serioz i komisionuar nga Banka Botërore “Paying taxes 2012” që tregon se taksat në Shqipëri, pra ngarkesa totale e taksave ndaj sipërmarrjes është më e lartë se në vendet fqinjë.
http://www.pwc.com/gx/en/paying-taxes/data-tables.jhtml

Para dy ditësh Saliu tha se qenkemi vendi i dytë për gadishmërinë në rrjet elektronik. Nuk është e vërtetë. Raporti përkatës i një institucioni ndërkombëtar tregon që jemi në vendin e 87 dhe prapa kemi lënë vetëm Pakistanin.
http://www.weforum.org/issues/global-information-technology

Por Saliu u përpoq sot të kundërshtojë propozimet e PS dhe të na vërë përballë biznesit. Ne jemi të vendosur ta dëgjojmë sipërmarrjen. Kemi filluar me të një komunkim që e gjykojmë shumë të frytshëm dhe të shëndetshëm dhe do ta vazhdojmë në vijimësi në rrugën tonë të programit “Për një Rilindje Shqiptare”. Problemi kryesor që ka biznesi sot është ajo çfarë ata ngrenë me shqetësim dhe çfarë ne kemi përcaktuar në një nga kollonat tona kryesore të programit për rimëkëmbjen e ekonomisë në programin “Për një Rilindje Shqiptare”. Sot nëse është dikush që është kundra sipërmarrjes ky është kryeministri dhe kjo është qeveria. Është kundra sipërmarrjes sepse ka ende kontrata të shlyera dhe të papaguara. Janë 100 milion dollarë kontrata punësh publike të papaguara.

Nëse ka problem që ka sot biznesi janë prokurimet publike. Saliu mburret që qenkemi vendi i parë për prokurime elektronike në botë, po biznesi ankohet se këto prokurime elektronike nuk dihet kush merr pjesë, nuk dihen çfarë vlere kanë ofertat dhe nuk dihet me çfarë propozimesh teknike sipërmarrësit e ndryshëm marrin pjesë.

Problemi që kemi ne, shqetësimi ynë është varfëria. Varfëria në vend që rritet edhe si pasojë e modelit të dështuar ekonomik të Saliut, edhe si pasojë e politikave fiskale që kanë rrënuar shqiptarët, kanë vërfëruar shqiptarët dhe po asimilojnë klasën e mesme. Të dhënat zyrtare tregojnë që tregëtia me pakicë ka rënë, pra konsumi në Shqipëri është ulur. Konsumi është ulur sepse shqiptarët nuk kanë punë, sepse shqiptarët në shumicën e tyre dërrmuese taksohen më shumë dhe duke mos patur nevojë për konsum, do të thotë që sipërmarrja nuk ka kërkesë për të prodhuar. Ky është problemi kryesor që ka sot sipërmarrja shqiptare, prandaj ekonomia ka 3 vjet që ka ngadalësuar deri gati në 0 rritjen e saj ekonomike dhe prandaj borxhet e mëdha që shqiptarët i kanë sistemit bankar, borxhe që kanë arritur me miliarda dhe ato çfarë i kanë njëri tjetrit, sot e kanë zënë frymën e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” ne jemi të përcaktuar qartë se do t’i ofrojmë shoqërisë shqiptare punësim në kundërshtim nga rritja e papunësisë që po ndodh në qeverisjen e Sali Berishës. Do të vendosim një taksim të ndershëm dhe jo taksim të sheshtë. Kushdo që bën biznes do të pasurohet nëpërmjet programin tonë, por pa dyshim do t’i kërkojmë të kontribuojë më shumë në shoqëri. Nuk mund të pranojmë që një sipërmarrës i madh apo një njeri me pagë si kryeministri, të paguajë njësoj si një punëtor, si një inferimer, apo si një mësues. Ne do ta mbështesim biznesin dhe jo ta keqtrajtojmë atë. Biznesi kërkon heqje të referencave. Referenca që po i zënë frymën, referenca në çmime importesh, referenca në numër të punësuarish, referenca në paga, referenca në transaksione patundshmërie. Jemi të vendosur, e kemi deklaruar solemnisht me të ardhur në pushtet vitin e ardhshëm do t’i heqim referencat.

Biznesi kërkon plane afatgjatë. Nuk mund të ndërtosh plane biznesi afatgjatë kur nuk ka parashikueshmëri fiskale. Që kur Saliu është në pushtet 6 ligjet bazë tatimore janë ndryshuar 65 herë dhe tashmë qarkullojnë nëpër tavolinat e ministrive 2 ligje të reja, 1 për TVSH, 1 për akzicën. Ne jemi të vendosur t’i japim fund kësaj rrëmuje fiskale dhe në bashkëpunim me biznesin për një kohë të gjatë të diskutojmë ligjet. Por ajo që vuan më shumë biznesi janë aktet nënligjore, vendime qeverie, apo udhëzime të cilat dalin madje edhe me fuqi prapavepruese. Dhe ato në fakt përcaktojnë realisht sea taksa paguhen në Shqipëri.

Biznesi ka nevojë për plane zhvillimi dhe Saliu prej 7 vjetësh nuk ka arritur t’i japë Shqipërisë një plan të përgjithshmë kombëtar. Sot premtoi se lejet e ndërtimit do t’i jepka për 35 ditë. Por vendit në radhë të parë i duhet plani i përgjithshëm kombëtar që kushdo ta dijë se ku do të zhvillohet Shqipëria dhe jo të vazhdojë me teorinë e koncesioneve të pakërkuara, kur vetëm familjarët dhe oborrtarët dinë se çfarë ka në kokë, apo nën tavolinë qeveria e Sali Berishës. Ne jemi të vendosur që me të ardhur në pushtet kemi deklaruar do ta hartojmë planin e përgjithshëm kombëtar. Dhe po ashtu i kërkojmë Sali Berishës të zhbllokojë zhvillimin e qyteteve. Qytetet kryesore të Shqipërisë që drejtohen nga socialistët i kanë përfunduar planet e tyre rregulluese dhe janë peng në tavolinat e Saliut, sepse me ligjin e ri të urbanistikës në fakt Saliu do të jetë i vetmi person që di ku ndërtohet dhe ku të japi lejet e ndërtimit.

KOMENTE