English

Njazi Jaho shprehet: Kushtetuta nuk është Tabu

Nuk ishin dëshirat subjektive të individëve të veçantë dhe as kontributi ekskluziv i kësaj apo asaj partie politike që bënë të mundur miratimin e Kushtetutës të vitit 1998. Për ta kuptuar këtë, ndoshta do të mjaftonte të hidhej një sy dy vëllimeve të botuara në vitin 2006 (1122 faqe) ku paraqitet diskutimi dhe debati i gjerë që i parapriu miratimit të Kushtetutës.
Në vitin e nëntë të ekzistencës së saj filloi ndërhyrja në të. Me të drejtë në vitin 2007 mandati i organeve të qeverisjes vendore nga tre vite që ishte u bë katër vite. Por i pakuptimtë dhe flagrant ishte që po në këtë vit, për interesa të ngushta partiake u ndërhy edhe në nenin 154 të Kushtetutës: numri i antarëve të KQZ-së u rrit nga 7 në 9-të. Në prill të vitit 2008, u ndryshuan nenet 68, 87, 88, 104, 105, 149 të Kushtetutës, ndërsa nenet 153 dhe 154 ku bëhej fjalë për KQZ-në u shfuqizuan.

Qysh atëherë u kritikua mënyra si u veprua për ndryshimet e mësipërme: e nxituar, e mbyllur, jo gjithëpërfshirëse. Pati vërejtje sidomos për ndryshimin e dispozitave, ku përcaktohej mënyra dhe procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës si dhe mocionet e besimit dhe mosbesimit. Lidhur me këto çështje ka mendime se u dëmtua opozita. Kjo është e vërtetë. E megjithëse kam mendimin se shqetësuese ishte dhe mbetet cenimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Me këto ndryshime në fakt u favorizua ekzekutivi dhe deri në njëfarë mase u dobësua dhe roli i Presidentit. A del nevoja që këto dispozita të kushtetutës të rishikohen? Kjo është një temë që duhet t’u nënshtrohet diskutimeve dhe debateve konstruktive dhe gjithëpërfshirëse. Nëse me argumente krijohet bindja, se praktika dikton nevojën e ndryshimeve, nuk ka pse të ngurohet.

Në fund të fundit Kushtetuta nuk është tabu. Pa pretenduar për ndonjë studim të thellë dhe të gjithëanshëm kam mendimin se në Kushtetutë mund dhe duhet të ndërhyhet. Në këtë vështrim pa hyrë në detaje mund të sugjerohej: a) Të rishikohej neni 87 i Kushtetutës(zgjedhja e Presidentit) për ta rikthyer atë në gjendjen e mëparshme. Kështu siç është sot ( pas tre votimeve me 3/5 ai mund të zgjidhet me shumicë absolute të deputetëve) cenohet balanca midis pushteteve dhe raporti mazhorancë-opozitë. Mendoj gjithashtu se kjo nuk do të ishte në përputhje edhe me atë që është sanksionuar në nenin 86 të Kushtetutës se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. b) Të rishikohen dispozitat, ku flitet për mocionet e besimit dhe të mosbesimit sepse ashtu siç janë sot dobësojnë kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit. c) të ndërhyhet në Kushtetutë për përcaktimin më të drejtë dhe më të saktë të kritereve që duhen zbatuar me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Kam mendimin se votimi nga Parlamenti për ta të jetë i cilësuar(me 3/5 e votave). Edhe pëlqimi i Kuvendit për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe propozimi për shkarkimin e tij të jetë gjithashtu me votim të cilësuar(3/5). Mund të shqyrtohet dhe zgjatja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në 7 vite duke e bërë baraz mandatin e tij me atë të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, si më parë edhe tani janë shprehur mendime për zgjedhjen e tij nga populli. Edhe kjo mund të ishte një temë diskutimi. Për këtë variant mund të ketë si argumente pro ashtu edhe kundër. Kam mendimin se zgjedhja e Presidentit nga Kuvendi nuk cenon ndonjë balancë, aq më tepër nëse do të rishikohej dispozita që u ndryshua në prill 2008.
Zgjedhja e Presidentit me 3/5 krijon më tepër garanci që ai të jetë i paanshëm në kryerjen e funksioneve të tij. Konsensusi midis mazhorancës dhe opozitës në zgjedhjen e Presidentit do të ndikonte pozitivisht edhe në organet e tjera Kushtetuese dhe të pavaruara. Përsa i përket shfuqizimit të neneve 153 dhe 154 të Kushtetutës (ku flitet për KQZ-në) edhe në vende të tjera demokratike, organi qëndror që drejton dhe administron zgjedhjet nuk është parashikuar në Kushtetutë. Komisionet për administrimin e zgjedhjeve, duke filluar nga KQZ-ja mund të ishin objekt diskutimi lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Varianti që ato të mos krijoheshin me propozimin e partive përkatëse politike në kushtet e vendit tonë është i dobishëm dhe me efekte pozitive.

KOMENTE