3 vjet më parë Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare në NATO. Kjo ngjarje historike ka zënë vend nderi në kujtesën tonë shtetërore e kombëtare, si kurorëzim i aspiratave dhe përpjekjeve të gjata kombëtare, si rikthim i natyrshëm i shqiptarëve në familjen atlantike dhe si një hap me rëndësi për forcimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin e Evropës Juglindore. Prej anëtarësimit bilanci i progresit rajonal, i stabilitetit demokratik dhe zgjerimit të bashkëpunimit shumëplanësh midis shteteve dhe qytetarëve tanë, është pozitiv dhe inkurajues për të ardhmen.
Merita kryesore e arritjes së këtij suksesi u takon ushtarakëve shqiptarë, të cilët me aftësi profesionale, kurajo dhe korrektësi, arritën ta shndërrojnë sistemin e vjetër të mbrojtjes në një model të ri modern, në standardet e njëjta me vendet e tjera anëtare të organizatës. Për vite me radhë ushtarakët tanë ishin dhe janë pjesë e misioneve paqëruajtëse në vende të ndryshme në botë, ku përmes angazhimit profesional dhe sakrificave deri në dhënien e jetës, e ngritën lart emrin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë shqiptare. Anëtarësimi në NATO i ka dhënë Ushtrisë shqiptare një dimension dhe prestigj të ri. Njëherësh, anëtarësimi përbën një motivim më të madh për të vazhduar përpjekjet e modernizimit të saj në përmbushjen e misionit kushtetues brenda vendit dhe më tej, të misionit që buron nga detyrimet ndërkombëtare dhe konceptet e reja të mbrojtjes të shpallura nga NATO-ja.
Merita dhe vlerësimi u përket edhe institucioneve politike e kushtetuese të përfshira në procesin e anëtarësimit, vendimmarrjes politike konsensuale për reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në një plan më të gjerë, të gjithë shoqërisë shqiptare, që ka qenë e është mbështetëse e fuqishme e vlerave dhe parimeve demokratike mbi të cilat është krijuar dhe funksion NATO-ja.
Në këtë trevjetor është rasti të kujtojmë se anëtarësimi u arrit me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të mëdha demokratike në Evropë, - një konsensus domethënës për progresin tonë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, dhe njëherësh, një mesazh i qartë inkurajimi në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Shpresat dhe pritjet e mëdha për një demokraci funksionale të bazuar në forcimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, dhe një politikë me sjellje e vizion evropian, janë sfidat tona kryesore që burojnë nga qenia e jonë pjesë e familjes atlantike dhe një nxitje konkrete për të pasur të njëjtin bilanc pozitiv edhe në përpjekjet tona shtetërore e shoqërore për marrjen e ftesës së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Shqipëria e meritoi NATO-n, qytetarët shqiptarë e meritojnë BE-në. Përballë këtij vullneti unanim euroatlantik është përgjegjësi direkte e institucioneve politike për ta bërë këtë aspiratë një realitet të prekshëm, të merituar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.