English

Mikele Vjeti, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Italisë pritet nga Bamir Topi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim pune me Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Italisë, Mikele Vjeti dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj si dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe njëkohësisht edhe Kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë, pasi i uroi mirëseardhjen zotit Vjeti dhe delegacionit që e shoqëronte, shprehu mirënjohjen për kontributin dhe ndihmesën e vazhdueshme të Italisë, edhe me ekspertizë teknike-ligjore, në drejtim të përsosjes së mëtejshme të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Presidenti Topi bëri një përshkrim të hollësishëm të ecurisë së reformës gjyqësore dhe ushtrimit nga ana e KLD-së të kompetencave kushtetuese dhe ligjore duke vënë në dukje se “nevojitet shprehja e qartë e vullneteve politike të konkretizuara me vendimmarrje në Parlament për të çuar përpara dhe për të zbatuar plotësisht e me sukses reformën në gjyqësor”. “Kjo mund të materializohet me gjetjen e konsensusit për miratimin e Gjykatës Administrative, për heqjen me ligj të imunitetit të zyrtarët e lartë si dhe për miratimin e kandidaturave cilësore në Gjykatën Kushtetuese e në atë të Lartë, të bashkërenduara edhe me ndëshkimin e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve. Arritjet e këtyre objektivave, të shoqëruara edhe me konsolidimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese e ligjore do të rikthenin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonin edhe plotësimin e kritereve të kërkuara për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.” – theksoi Presidenti Topi.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Italisë, Mikele Vjeti pasi vlerësoi arritjet e shënuara deri më tani nga vendi ynë në fushën e drejtësisë si dhe bashkëpunimin e frytshëm ligjor italo-shqiptar, theksoi domosdoshmërinë e kalimit nga demagogjia në vepra dhe ligje konkrete. Zoti Vjeti duke vënë në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim, nënvizoi se “për të arritur këtë qëllim dhe për të pasur një drejtësi funksionale nevojitet ndarja e qartë e pushteteve dhe vullneti dhe bashkëpunimi i të gjithëve” Në këtë pikë, zoti Vjeti pasi shprehu edhe njëherë mbështetjen e Italisë për reformimin e gjyqësorit shqiptar dhe rrugëtimin integrues të vendit tonë, vuri në pah “rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe të vazhdimësisë së projekteve të bashkëpunimit ligjor siç është ai i misionit EURALIUS 4 për të realizuar përsosjen dhe pjekurinë e një sistemi gjyqësor mirëfunksionues dhe një shteti të së drejtës në Shqipëri sipas standardeve evropiane.”

KOMENTE