Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Lutaj i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të vendit të reagojnë dhe të ndalojnë emërimet e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami në ushtri, sipas tij, në shkelje të rëndë me Kushtetutën.
"Unë kam kërkuar që të reagojë Presidenti i Republikës, sepse ky quhet një krim kushtetues, kam kërkuar që të reagojë Kryeministri i vendit sepse ky është një puç institucional, kam kërkuar të reagojë ministri i Mbrojtjes, që të bllokojë menjëherë urdhërin e lëshuar për emërimin e Komandantit të Forcave Detare dhe të bëjë praktikën për t'ia cuar këtë Presidentit të Republikës. Urdhërat e kundraligjshëm, të lëshuar nga këto institucione, të bëhen objekt i parandalimit të tyre nga Presidenti i Republikës, i cili ka autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë duhet të reagojnë, pasi shkeljet janë të dukshme, janë objekt i procedimeve penale mbase edhe kryesisht" u shpreh Pirro Lutaj