Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Selanikut z.Yiannis Boutaris. Bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Selanikut ishte në qendër të bisedës mes dy kryebashkiakëve. Zoti Basha dhe zoti Boutaris diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e biznesit e për shërbimet bashkiake.
“Në bisedimet që patëm gjatë takimit u fokusuam në bashkëpunim mes dy bashkive, në fusha të tilla si fusha kulturore, ku Bashkia e Selanikut ka përvoja të veçanta nga e cila edhe Bashkia e Tiranës mund të marrë, të tilla si: festivalet kulinare, festivalet e guzhinës apo një festival i veçantë muzikor që do të zhvillohet këtë vit, botëror. Po kështu, folëm edhe për bashkëpunimin në kuadër të 2014-ës, ku Selaniku do të jetë kryeqyteti botëror i rinisë dhe Bashkia e Tiranës do të ketë edhe ajo prezencën e saj në këtë ngjarje të rëndësishme, eveniment të rëndëishëm për rajonin, folëm për bashkëpunimin në fushën e biznesit, nxitjen e kontakteve mes biznesit në Tiranë, Selanik, në fusha të tjera të shërbimeve bashkiake, siç janë transporti urban, kultura, sportet, arti dhe jam i sigurtë se kjo vizitë do i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy qyteteve tona, qytetarëve, bizneseve, sportistëve, artistëve dhe shkëmbimit të përvojave më të mira, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës dhe Selanikut” - tha zoti Basha, në prononcimin për mediat.
Zoti Basha, duke nënvizuar faktin se në Selanik jeton një numër i madh shqiptarësh, shprehu angazhimin e tij, për ti bërë ata pjesë, të të gjithë aktiviteteve që do të zhvillohen, me një kalendar të përbashket mes Tiranës dhe Selanikut:
“Natyrisht, në Selanik ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët prej kohësh luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e këtij qyteti dhe Tirana, jo vetëm si qyteti më i madh i shqiptarëve, por edhe si kryeqendra e vendit do të mbështesë me të gjithë mundësitë ata, nëpërmjet angazhimit të tyre në të gjithë aktivitetet, kulturore, sportive e të gjithanshme që do të organizojmë sëbashku, me një kalendar të përbashkët me Bashkinë e Selanikut” - u shpreh Zoti Basha.
Kryetari i Bashkisë së Selanikut ka vlerësuar vizionin e zotit Basha, për drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe shprehu angazhimin e tij, për ta bërë Tiranën, pjesë të aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, kulturore e artistike që zhvillohen në Selanik:
“Jam shumë i lumtur që vizitova Tiranën dhe veçanërisht që takova Kryebashkiakun Basha sepse ai është i ri dhe me vision. Herën e fundit që kam qënë këtu, ka qënë 15 vite më parë por tani është një qytet ndryshe. Qyteti ka ecur dhe progresi mund të shihet. Ne po shkojmë në Durrës, duke qenë se është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri ashtu si Selaniku në Greqi dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje me këtë qytet që përfshin fusha të ndryshme si kulturën, sportin, artin etj, por pa dyshim Tirana është qyteti kryesor në Shqipëri dhe ndaj jam i lumtur për këtë vizitë dhe takimin me Kryetarin Basha.
Unë e informova z Basha për disa evente që do të organizohen në dy vitet e ardhshme në Selanik, si “Vumex” një festival i madh muzike, një festival në vitin 2014 për të rinjtë, ku Selaniku do të jetë “kryeqyteti i të rinjve”. Është koiçidencë, por këtë vit ne kemi përvjetor pavarësie dhe po ashtu Shqipëria ka një përvjetor të tillë. Ne erdhën në Shqipëri me makinë dhe bëmë një ndalesë në Voskopojë, kjo sepse prej andej është origjina e familjes sime, e cila zbriti qindra vite më parë dhe për mua ishte shumë prekëse.
Qëllimi ynë është që të kemi çdo lloj marrëdhënie, sepse ne nuk ndihemi kushërinj por vëllezër me shqiptarët. Ne kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë integruar më së miri në shoqëri dhe kemi shumë qytetarë të tjerë me origjinë shqiptare që i duan të dyja vendet. Ky është qëllimi ynë, që të hapim marrëdhëniet me fqinjët sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, mund të tejkalojmë krizën që kemi e që mund të shtohet, ndaj dhe jam vërtet i lumtur që jam këtu” - u shpreh z. Yiannis Boutaris.