Kryeministri Berisha u nis sot, për një vizitë zyrtare dy ditore, në Republikën e Turqisë, me ftesë të homologut të tij Recep Tayyip Erdogan.
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim tete a tete me Kryeministrin Erdogan, i cili do të pasohet nga bisedimet mes dy delegacioneve. Në përfundim të takimit, dy kryeministrat do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë vizitës do të nënshkruhen “Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin midis Akademisë së Diplomacisë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë” dhe “Marrëveshja e Bashkëpunimit në Fushën e Arkivave midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë”.
Kryeministri Berisha do të ketë gjithashtu takime me Presidentin e Republikës Abdullah Gül dhe me Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë Cemil Çiçek.
Në ditën e dytë të vizitës, Kryeministri Berisha do te këtë një mëngjes pune me ministrin e Punëve të Jashtme Ahmet Davutoğlu.
Takimet dhe bisedimet me personalitetet më të larta turke evidentojnë nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, si dhe i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të tyre. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu thellimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe pjesëmarrja e Kryeministrit në Forumin e Biznesit, që organizohet nga Bashkimi i Dhomave dhe Bursave të Turqisë. Kryeministri do t’i drejtohet Forumit me një fjalë, ku jepet një panoramë e përgjithshme e klimës së biznesit në Shqipëri, reformave që ka ndërmarrë dhe hapave të rinj që pritet të implementojë qeveria shqiptare për ta bërë edhe më atraktive e konkurruese klimën për biznes e investime në Shqipëri, potencialet që ofron vendi ynë në sektorë të ndryshme të zhvillimit etj.. Kryeministri do të ftojë biznesmenët turq për të investuar në Shqipëri, duke i garantuar ata se investimi i tyre këtu do të jenë një histori suksesi. Në takimin me biznesin turk, Kryeministri do të shoqërohet edhe nga një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar.