English

Topi dekoron personalitete të mirënjohura të regjisurës shqiptare me Urdhrin Mjeshtër i Madh

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot paradite në një ceremoni të veçantë regjisorë të njohur të krijimtarisë kinematografike e televizive shqiptare, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në realizimin cilësor të mjaft filmave artistikë e programeve televizive. Në këtë aktivitet merrnin pjesë personalitete të artit e kulturës, aktorë, regjisorë, kineastë, miq e familjarë.

Ceremonia zyrtare e dekorimeve, e zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe leximin e dekreteve përkatëse nga Drejtori i Kabinetit i Institucionit të Presidentit, zoti Dashamir Xhaxhiu. Më pas, Kryetari i Shtetit u dorëzoi dekoratat personaliteteve të shquara të artit, duke nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, përkatësisht:
Zonjën Vera Grabocka, me motivacionin: “Regjisores dhe producentes së mirënjohur të televizionit, që me talentin dhe karakterin novator solli ndryshime cilësore në spektaklin televiziv në Shqipëri, duke e orientuar drejt vizionit perëndimor etik dhe estetik e njëherazi promovoi fuqishëm kulturën kombëtare dhe artistët e rinj.”;
Zotin Vladimir Prifti, me motivacionin: “Regjisorit të mirënjohur që me veprën e tij ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përsosjen artistike të filmit shqiptar, duke e sjellë atë në nivele bashkëkohore dhe me përmbajtje thellësisht kombëtare.”;
Zotin Albert Minga me motivacionin: “Regjisorit të mirënjohur me kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e programeve artistike në Radiotelevizionin Shqiptar, nëpërmjet realizimit të dhjetëra emisioneve, programeve, spektakleve dhe filmave televizivë si dhe të një sërë filmave artistikë e shfaqjeve teatrale.” dhe
Zotin Pali Kuke me motivacionin: “Personalitetit të mirënjohur të televizionit me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e filmit dhe spektakleve televizive si dhe në përgatitjen e brezave të rinj të artistëve televizivë.”

KOMENTE