Në vijim të vizitës zyrtare në Maqedoni, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe delegacioni që e shoqëronte, u prit në një takim nga Presidenti George Ivanov.
Presidenti Ivanov e cilësoi këtë vizitë të Kryetares së Kuvendit si shenjë e lidhjeve të ngushta që dy vendet kanë me njëra-tjetrën, si shembulli më i mirë i fqinjësisë.
“Dy vendet tona janë të afërta me njëra-tjetrën, ne kemi dëshmuar se marrëdhëniet miqësore po i ngremë në të gjitha nivelet. Gjatë historisë, vendet tona kanë qenë pa kufij dhe sot këto kufij, përmes bashkëpunimit ekonomik, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe bizneseve, i kemi shndërruar në kufij të parëndësishëm e jo domethënës.” u shpreh Presidenti Ivanov.
Sfidat që po kalojmë, tha Kryetarja e Kuvendit, janë momentet e shanseve të mëdha, momentet e zhvillimit. "Prania e Maqedonisë në nismën Adriatiko-Joniane është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është që në këtë nismë të jetë edhe prania e Kosovës” tha Kryetarja e Kuvendit.
Kryetarja Jozefina Topalli tha se prioriteti kryesor, integrimi në BE, është angazhim i përbashkët dhe një objektiv që bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të punuar fort për shndërrimin e një rajoni, pjesë të familjes evropiane.
“Është koha e projekteve të mëdha te integrimit. Koha kërkon intensifikimin e bashkëpunimit përmes projekteve ambicioze që do të zhvillojnë gjithë rajonin. Unë jam i bindur që nëse ne, e bëjmë rajonin më të hapur, ky rajon do të jetë më i begatë për të gjithë” u shpreh Presidenti Ivanov.
Në vijim, Kryetarja e Kuvendit tha se infrastruktura rrugore është një ndër objektivat kryesore të qeverisë shqiptare, ku pas Rrugës së Kombit, janë duke u realizuar projekte madhështore si Rruga e Arbrit, rruga Tiranë-Elbasan etj. “Ne jemi të bindur dhe i kemi të gjitha potencialet që përmes ritmit të pandalshëm të reformave do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar.”