English

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan gjatë konferencës për shtyp

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Turqi zhvilloi një takim kokë më kokë me kryeministrin turk, zotin Recep Tayip Erdogan, i cili u pasua nga takimi mes dy delegacioneve qeveritare, turk dhe atij shqiptar.

Në këto takime u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe qeverive të cilat bazohen në miqësinë tradicionale mes dy popujve. Gjithashtu në takime u theksua vullneti dhe angazhimi i përbashkët për të forcuar edhe me tej këto marrëdhënie, si edhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Në takime u vlerësuan rezultatet e shkëlqyera ne bashkëpunimin midis te dy vendeve dhe investitorëve private ne fushën e energjisë, mineraleve, ndërtimit te infrastrukturave, telekomunikacionit etj, si dhe u dëshmua vullneti i përbashkët për nxitjen dhe shtimin e mëtejshëm të investimeve turke në Shqipëri.

Kryeministri Erdogan i shprehu kryeministrit Berisha urimet e tij dhe të popullit turk me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Me pas, axhenda vijoi me nënshkrimin e dy marrëveshjeve: “Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin midis Akademisë së Diplomacisë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë” dhe “Marrëveshja e Bashkëpunimit në Fushën e Arkivave midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të dy personalitetet, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Erdogan: Të nderuar përfaqësues të shtypit, të nderuar pjesëmarrës,

Së pari, dëshiroj të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, mikun e shtrenjtë zotin Sali Berisha. Shqipëria është aleat strategjik i Turqisë në Ballkan. Sigurisht që vizitat e ndërsjella kanë ndikuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Unë, kur kam vizituar Shqipërinë kam ndjerë emocione të veçanta. Zoti Sali Berisha e vizitoi vendin tonë në 2006 dhe gjatë kësaj vizite në të gjitha takimet që ne kemi bërë kemi marrë në shqyrtim tema, të cilat i përkasin bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Sot, në kuadër të vizitës së kryeministrit shqiptar në Turqi ne nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit mes Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa marrëveshja tjetër është marrëveshja mes arkivave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Mbi bazën e këtyre marrëveshjeve ne synojmë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin tonë në këto fusha. Bisedat tona ishin fund e krye mjaft të sinqerta. Në këto biseda ne morëm në shqyrtim tema të karakterit ekonomik, të bashkëpunimit ushtarak dhe nga fusha të tjera. Aktualisht, vlera e tregtisë mes dy vendeve është 400 milion dollarë dhe sigurisht që kjo nuk tregon kapacitetin e vërtetë për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Shumë investitorë turq po vijojnë investimet e tyre ne shtetin shqiptar. Ne kemi vullnet të përbashkët për të shtuar edhe më tepër investimet turke në Shqipëri dhe synojmë që investimet turke në Shqipëri ta kalojnë masën e 1 miliard dollarëve qe jane aktualisht. Në këtë kuadër shpresojmë të zhvillojmë akoma dhe më shumë bashkëpunimin në fushën e turizmit. Shumë turistë nga Shqipëria kanë vizituar Turqinë. Marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë janë marrëdhënie vëllazërore. Vendi i Shqipërisë në Ballkan është shumë i veçantë. Shqiptarët sigurisht që janë një faktor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë dhe në Maqedoni. Ne bëmë një përpjekje shumë të sinqertë për pranimin e Shqipërisë, si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO. Sigurisht që duam të vijojmë mbështetjen e sinqertë edhe për Maqedoninë.

Gjatë bisedimeve me kryeministrin Berisha ne folëm edhe për zhvillimet më të fundit në Siri, për zhvillimet në Afganistan, për ngjarjet e fundit në Afganistan, si dhe për sulmin e ndodhur ndaj komandove shqiptare atje, ku humbi jetën njëri prej tyre. Unë e falënderoj Kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në Afganistan.

Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi ne mendojmë të realizojmë në Stamboll një Samit në të cilin do të marrin pjesë kryetarët e shteteve të përfshira në Rajonin e Detit të Zi.

Ky është dhe viti i 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Unë me këtë rast ju uroj përzemërsisht për këtë festë. Marrëdhëniet mes vendeve tona do të thellohen edhe më tej.

Tani unë ia jap fjalën mikut tim të shtrenjtë, kryeministrit të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha: Të nderuar përfaqësues të mediave,I dashur zoti Kryeministër, Të nderuar zonja dhe zotërinj të pranishëm në këtë konference shtypi,

Kam ardhur këtu me ftese te kryeministrit Erdogan, në një vizitë që përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ky është një rast i shkëlqyer për mua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100 vjeçare që i ka dhëne Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Unë shfrytëzova rastin të ftoj mikun tim kryeministrin Erdogan në një vizitë në Shqipëri në kuadrin e këtij 100 vjetori. Dua të shpreh shumë mirënjohje ndaj kryeministrit Erdogan, qeverisë së tij, popullit mik turk për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, pas daljes së saj nga një diktaturë infernale, përpjekje e kurorëzuar me sukses.

Sot, ne takohemi si dy miq në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Turqia dha një ndihmë shumë të çmuar, Forcat e saj të Armatosura dhanë një ndihmë të veçantë në përpjekjet tona për anëtarësimin e plotë në NATO. Kryeministri përmendi vizitat, por takimet kanë qenë shumë më të shpeshta, nuk ka patur Samit ndërkombëtar apo konference ndërkombëtare që nuk jemi takuar, që nuk kemi shqyrtuar marrëdhëniet tona, që nuk kemi diskutuar se si ti nxisim ato më tej dhe dua të theksoj se nga 2005 deri më sot investimet turke në Shqipëri janë rritur 9 here. Ato mund të rriteshin edhe 19 herë, por këto janë objektiva për ti realizuar në të ardhmen.

Sot u firmosën dy marrëveshje të rëndësishme, por janë me dhjetëra e dhjetëra marrëveshje të tjera, të cilat përbëjnë kuadrin e shkëlqyer ligjor të bashkëpunimit mes dy vendeve tona në të gjitha fushat. Në këto marrëveshje bilaterale ka një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e sigurisë dhe të rendit publik , të investimeve, të drejtësisë, në çdo fushë.

Turqia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin e dekadave të fundit. Pikëpamjet tona janë identike. Respektimi i kufijve aktual është interesi më i mirë i kombeve te Gadishullit të Ballkanit. Kryeministri Erdogan, personalisht, qeveria e tij, Presidenti Gyl, Parlamenti kanë qenë mbështetës kryesor të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të rolit të saj, duke kontribuar kështu në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kosova, çdo ditë e më shumë behet një faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin tonë.

Unë shpreh admirimin tim për qëndrimin e kryeministrit Erdogan në çështjen e Sirisë. Ne që kemi përjetuar diktaturat më të egra kemi edhe mirëkuptimin më të madh për përpjekjet e popujve për tu çliruar prej tyre. Urojmë dhe shpresojmë që Samiti i Stambollit të jetë një shtytje e re për fundin e një kalvari që kombi sirian përjeton në mënyrën më të pamerituar.

Ne kemi patur mbështetjen e fuqishme të qeverisë suaj në pjesëmarrjen tonë në Afganistan. Jemi dhe do të qëndrojmë atje për sa kohë NATO do të qëndrojë, në interesin më të mirë të këtij kombi që përjetoi tronditje të thella.

Shqipëria mbështet plotësisht kandidaturën e Turqisë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit, e bindur se Turqia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në Forumin më të lartë ndërkombëtar.

Edhe njëherë, zoti kryeministër dua tu falënderoj shumë përzemërsisht për pritjen vëllazërore. E them vëllazërore sepse e theksuat ju që kemi lidhje gjaku. Çfarë më ndodh mua, të dashur miq? Çdo delegacioni turk që unë takoj, pasi merr fund pjesa zyrtare, ju shtroj një pyetje. Cili nga ju ka gjak shqiptar në deje? Nuk kam gjetur deri më sot asnjë. Ju zoti kryeministër nuk ja u kam shtruar ndonjëherë këtë pyetje se jam i sigurtë që nuk bëni përjashtim.

Kryeministri Erdogan: E falënderoj shumë mikun tim të shtrenjtë dhe ja lë rradhën mediave të të dy vendeve për të na drejtuar pyetjet, duke nisur fillimisht me gazetarët e ardhur nga Shqipëria.

Pyetje: Si i vlerësoni reformat ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat bënë të mundur që Shqipëria të mos preket nga kriza globale ekonomike? Mendoni se Shqipëria ofron potenciale dhe është një vend i besueshëm për investime të huaja?

Kryeministri Erdogan: Mund të them se Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Evrope dhe në Ballkan që nuk u prek nga kriza ekonomike. Shqipëria e kaloi këtë pa vështirësi, si Turqia. Sigurisht nuk mund të themi pa vështirësi fare, pasi edhe ne kemi pak vështirësi. Shqipëria me drejtimin e vet të suksesshëm financiar dhe ekonomik e kapërceu këtë periudhë. Sigurisht duhet që duke u mbështetur fort në potencialet tona të vijojmë zhvillimin dhe mendoj se për sa kohë që Shqipëria do të jete e sigurt dhe e stabilizuar do të ketë mundësi te fuqizimit të ekonomisë së saj.

Pyetje: A do ta mbështesni projektin e gazsjellësit të TransAdriatikut që kalon përmes Shqipërisë?

Kryeministri Erdogan:Ne i qëndrojmë fjalës tone. Këtu kemi përpjekjet e Azerbajxhanit në këtë drejtim. Ne kemi shansin që të japim këtu mbështetjen me potencialin tone. Pasi gazi të dalë nga Turqia, kemi çështjen e kalimit te tij në Shqipëri, pra të projektit të gazsjellësit. Këtu ju e dini qe ne i kemi dhënë Greqisë gaz natyror. Tani në rend të ditës është Italia. Ne duam që Italia me Shqipërinë të ndihmohen së bashku. Pra, ashtu sic do ti jepet Italisë, në të njëjtën mënyrë ti jepet edhe Shqipërisë. Keshtu do zgjidhet problemi i gazit natyror. Ne nuk kemi ndonjë pikpamje negative në këtë drejtim. Ne jemi te vendosur të mbështesim Shqipërinë ne projektin e gazsjellesit Transadriatik.

KOMENTE