English

Edi Rama në Asamblenë Kombëtare

Fjalimi i plotë i kryetarit Edi Rama

Besoj se ndajmë opinionin që në rrugën e programit po përvijohet përditë e më qartë dallimi mes nesh dhe atyre që qeverisin Shqipërinë me vota të vjedhura. Zgjedhja për qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi po bëhet përditë e më e qartë; Ose një Rilindje Shqiptare, ose dorëzim përballë rrënimit të mëtejshëm. Rruga e Programit do të vazhdojë. Është një rrugë e gjatë ku komunikimi me njerëzit përbën edhe aksin themelor të një procesi nga ku PS do të dalë me një plan të detajuar, si asnjëherë një forcë politike në 20 vjet, për t’i ofruar publikut shqiptar një kontratë të qartë angazhimesh. Në këtë rrugë po përvijohen dallimet edhe në katër shtyllat kryesore të programit tonë.

Dallimet në raport me ekonominë.

Alternativa jonë është rimëkëmbja e ekonomisë. Oferta e tyre është rrënimi i mëtejshëm ekonomik.
Ne duam punësim real. Ata ofrojnë rritje të papunësisë.

Ne duam taksim të ndershëm, ata ofrojnë një taksë të sheshtë që mbyt shtresën e mesme dhe të varfrit dhe ndan me thikë edhe vetë sipërmarrjen midis 95% të sipërmarrësve dhe një 5%-shi që përfiton një politikë klienteliste me sfond tërësisht kriminal.
Ne duam ta mbështesim biznesin. Ata ofrojnë vetëm një rrugë qorre për biznesin, që sjell rrënimin e mëtejshëm të tij.
Ne duam shërbime publike që të jepen sipas nevojës. Ata ofrojnë shërbime publike vetëm sipas mundësisë për të paguar.
Ne duam një zhvillim modern rural. Ata ofrojnë si të vetmen rrugë braktisjen e fshatit në gjendje natyrale.
Në këto dallime themelore po përvijohet edhe përmes tryezave të programit, komunikimit me ekspertë, me shoqata, me grupe interesi, janë përfshirë deri më sot mbi 900 njerëz, të cilët kanë kontribuar në këtë fazë të Rrugës së Programit.

Me lejoni t’ju them se në rast se tek ekonomia dallimi është krejt i qartë, i tillë është dallimi edhe në gjithë qasjen ndaj procesit demokratik, por i tillë është dallimi edhe në pozicionet ndaj integrimit evropian. I tillë po fillon të bëhet dhe duhet të bëhet dallimi në sjelljen politike me publikun, si një sjellje që sot duhet të garantojë çdo njeri për atë që do të jetë nesër fytyra dhe sjellja e qeverisë sonë. Në rrugën e programit, prej së cilës Sekretari i Programit, bëri një përmbledhje sintetike, kanë dalë qartë një sërë aspektesh dramatike të jetës së vendit. Është dramatike që sot të ketë një dallim kaq të fortë dhe kaq diskriminues në përcaktimin e kontributeve, mes atyre që fitojnë më pak dhe atyre që fitojnë më shumë. Ashtu siç është dramatike që e ashtuquajtura ulje e taksave që propozon në vijimësi kryeministri, të jetë ulje për ata që janë vetëm 5% e komunitetit të sipërmarrësve dhe të jetë barrë e shtuar, qoftë brenda komunitetit të sipërmarrësve, ku biznesi i vogël dhe i mesëm kontribuon njësoj si korporatat e mëdha, qoftë edhe mes komunitetit të sipërmarrësve si i tërë dhe 95% të shqiptarëve, të cilëve taksa e sheshtë u bën praktikisht të pabërën në ekonominë e tyre familjare. Ne do të ulim taksat për këtë 95% të shqiptarëve, ndërkohë që komunitetit sipërmarrës do t’ia themi shumë qartë: Nuk mundet që një biznes i vogël apo i mesëm të paguaj taksa njësoj si një koorporatë. Nuk mundet që një biznes i vogël apo i mesëm, qoftë dhe i madh, i ndërtuar në rrugën e konkurrencën dhe sakrificave të paguajë taksa njësoj si klientët e qeverisë, të cilët i marrin qyl ato që marrin dhe duke shfrytëzuar të mirën publike, pasurinë publike, pasurinë e përbashkët, pasurohen në mënyrë marramendëse, ndërkohë që po i sjellin vendit shkatërrime të atilla që nesër mund të jenë pa kthim.

Më lejoni t’ju sjell vetëm dy shembuj, Krujën dhe Bulqizën. Ajo që po ndodh me Krujën, me zemrën e qytetërimit shqiptarë, me zemrën e qytetërimit shqiptar, me zemrën e historisë së Shqipërisë, me një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore si vend, është diçka që asnjë pushtues nuk mund t’ia bënte dhe nuk ia ka bërë Shqipërisë, ndërkohë asnjë qeveri e zgjedhur me votat e popullit kudo në botë nuk do të mund ta kishte parafytyruar. Sikur Kruja në historinë e saj, me Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe me gjithçka lidhet në këtë histori jo vetëm me fatet e Shqipërisë, por edhe me fatet e Europës, të ishte e dikujt tjetër, diku tjetër në cilindo nga vendet fqinjë, apo në cilindo nga vendet e Europës, do të ishte një nga vendet e pelegrinazhit, jo vetëm për gjeneratën më të re të atij vendit, por për gjithë të tjerët që duan të mësojnë dhe të shohin të shkuarën e kontinentit të vjetër. E pra, sot Kruja është bërë vendi i një batërdie, i një masakre dhe një shkatërrimi që ka në sfondin e vet një aktivitet të organizuar kriminal. Asnjë qeveri demokratike nuk do të mund të bënte me pasuritë e vendit të vet, atë që po bën qeveria jonë me fabrikat e çimentove që shtohen njëra pas tjetrës, duke rrjepur kodra e male, duke shpartalluar sasira të pallogaritshme të së mirës publike dhe mbi të gjitha duke krijuar kushte me një përfitim të aty për atyshëm me përmasa të jashtëzakonshme, për të lënë pas tokë të djegur, siç nuk lanë as pushtuesit më të egër të këtij vendi dhe as në kohën e barbarive më të mëdha të shekujve që tashmë i takojnë historisë së vjetër.


Raporti i numrit të banorëve të një vendi me numrin e fabrikave të çimentove që ka një vend është një raport i cili në botë qëndron në një mesatare për 7 mln banorë, sot ne kemi fabrika çimentosh për 300mijë banorë.
Bulqiza është një pasuri e madhe publike që duhet t’i jepte jo vetëm asaj zone po vendit të ardhura të konsiderueshme. Sot është një pasuri e vënë nën kontrollin e një aktiviteti të mirëfilltë kriminal. Grupe të armatosura në Bulqizë dominojnë të gjithë fushën e këtij interesi të madh dhe një popull i tërë atje është marrë peng e është kthyer në skllav. Çdo dy muaj atje vdes një njeri për të mbijetuar duke gërmuar në thellësitë e tokës për të nxjerrë pasuri që pastaj merren e që ikin. Ikin dhe nuk shkojnë në arkën e përbashkët të shqiptarëve, por shkojnë në drejtimin e asaj klientele që është bërë njësh me pushtetin, duke prodhuar, praktikisht përmes politikës, një cikël të mbyllur. Për të bërë para për të blerë varfërinë dhe për të manipuluar zgjedhjet që të mbash pushtetin dhe përdor pushtetin për të akumuluar para që të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë.

Ne në këtë qëndrim ndaj pasurisë publike bëjmë një dallim shumë të madh me ata. Për ne pasuria publike është pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve dhe nga qeverisja e të mirave publike dallon në radhë të parë një forcë politike nga një tjetër. Dallon një forcë si e jona nga një fuqi shkatërruese si e tyrja.
Aspekti tjetër që ka të bëjë me punësimin. Nuk mund të ketë punësim real të Shqipëri. Jo sepse taksat nuk janë të ulëta për sipërmarrësit, por të jemi realist sipërmarrësit përballen me një taksë të fshehtë e cila është shumë herë më e madhe se sa çdo llogari mbi parimin e progresivitetit që mund të bëhej. Ndërkohë që zyrtarisht dhe formalisht i paguajnë shtetit 10%, pagesat e tyre nën dorë për të mbijetuar në treg, kapërcyer postblloqet e vendosura në rrugën e konkurrencës për të shmangur muret e monopoleve janë një taksë katastrofike, ku po të përfshish referencat, po të përfshish kohën e humbur, po të përfshish burokracinë, dhe sigurisht, edhe stresin llogaria është shumë e qartë. Taksim i ndershëm është taksimi që i duhet çdo sipërmarrësi që me punën e tij të ndershme, bazuar në vizionin, talentin, kurajon dhe vullnetin e tij kërkon të ndërtojë mirëqenie në atdheun e vet ku nevoja për të pasur një konsumator të gatshëm për të blerë dhe të qetë shoqërisht është nevoja më themelore. Përndryshe panorama e vendeve të tjera të cilat kanë kaluar nga këto eksperienca regjimesh klienteliste flet qartë. Fundi është që ata që pasurohen më shumë detyrohen pastaj të investojnë për rrethime e për roje për t’u mbrojtur nga ata që nuk kanë më asgjë çfarë të humbin dhe që uria i çon drejtpërdrejtë në konflikt social me më të pasurit. Problemi ynë nuk janë të pasurit. Të pasurit janë pika e mbështetjes për të krijuar mundësi të reja. Problemi ynë është varfëria! Varfëria nuk lufothet duke luftuar të pasurit dhe as pasurinë. Por, varfëria luftohet duke vendosur një barrë përgjegjësish ndaj atdheut të ndershme dhe proporcionale. Jo kush fiton me një rrogë të paguajë më shumë se sa kryeministri, se sa ministrat, se sa deputetët. Jo infermierja të jetë e taksuar më shumë se sa doktori kryeministër. Jo polici të jetë i taksuar më shumë se sa ministri i brendshëm. Jo mësuesja të jetë e taksuar më shumë se sa ministri i arsimit. Jo të gjithë sëbashku rrogëtarët e zakonshëm të këtij vendi të jenë të taksuar më shumë se sa rrogëtarët e pazakonshëm, të cilët si për të përmbushur gjithë kuadrin e kësaj politike barbarie sociale subvencionohen për energjinë. Subvencionohet kryeministri për energjinë, subvencionohen ministrat për energjinë, subvencionohen deputetët për energjinë elektrike në llogaritë e këtij shteti. Ndërkohë që sot vendi është në krizë dhe kjo krizë që lidhet me energjinë ka të bëjë me dy aspekte që janë pasoja të këtij modeli të dështuar ekonomik. Njëri aspekt është pragfalimentimi i kompanisë që duhet të furnizojë njerëzit me energji. Aspekti tjetër është nga njëra anë pamundësia e shumë njerëzve të zakonshëm dhe familjeve të zakonshme për të paguar energjinë dhe nga ana tjetër rëndimi i mëtejshëm i atyre familjeve të zakonshme që e paguajnë energjinë për të dalë nga gjendja e krizës.
E pra, gjithë këto 7 vjet janë 7 vitet e një grafiku në rritje të barrës së detyrimeve, ligjore, fiskale, sociale dhe çfarë të doni, mbi më të dobëtit. Kjo është një qeveri që lufton për të qëndruar aty duke mbingarkuar më të dobëtit. Ndërkohë që më të fortët vazhdojnë ta kenë fushë me lule. Aspekti tjetër të jemi realist asnjë e dhënë asnjë studim, asnjë eksperiencë tjetër jashtë Shqipërisë nuk tregon se investimet prodhuese të cilat janë një nga objektivat kryesore të programit tonë mund të shtohen përmes shtimit të kapitaleve të huaja sepse taksat janë të ulëta. Jo! Problemet themelore ata që do duhet të vinin në Shqipëri për të investuar kapital të huaj nuk lidhen me sistemin e taksave. Lidhen me pronat me faktin që prona është e paqëndrueshme, është e pasigurtë, nuk garanton asnjë qetësi për një investim afatgjatë. Lidhen me ligjin për faktin se paparashikueshmëria e sistemit fiskal, 67 i ndërruar në 7 vjet, e bën çdo investim serioz të jetë paragjykues dhe tërësisht i tërhequr përballë mundësisë për të ardhur në Shqipëri. Ashtu sikundër në anën tjetër referencat, ashtu sikundër rendi ligjor në tërësi, sepse është fakt, nga të gjitha kontaktet që ne kemi me sipërmarrjen, me sipërmarrjen që sot unë jam i detyruar për ta falenderuar edhe publikisht pasi i kam falenderuar një për një të gjithë ata që morën pjesë në tryezën për programin, është e gatshme të vijë të ndajë me Partinë Socialiste ide, por nuk është e gatshme të vijë të tregojë të vërtetën për atë që i ndodh. Nga kontaktet jopublike del e qartë se sipërmarrësit po rrisin investimet për t’u mbrojtur nga krimi. Për t’u mbrojtur nga goditja kriminale, nga kanosja e krimit ordiner.
E treta, është administrata. Nuk mund të garantosh një rrugë të hapur dhe stabël për kapitalet e huaja me këtë lloj administrate, e cila është thjesht dhe vetëm zyrë punësimi për militantët e partive të koalicionit që qeveris të cilëve rroga nga paratë e taksapaguesve iu jepet vetëm si shpërblim për punën e partisë që bëjnë, jo si shpërblim për punën që e bëjnë në shërbim të taksapaguesve. Ndërkohë u është lënë rrugë e lirë që secili në atë qoshen e tij të rrjepë këdo që i paraqitet aty.
Së katërti, kualifikimi i krahut të punës. Për këtë arsye programi ynë çështjen e punësimit e shikon pazgjidhshmërisht me një politikë të re për arsimin. Ne nuk kemi krah të kualifikuar pune për të garantuar prurjen e kapitaleve të huaja për investime prodhuese. Është fakt që të gjitha kompanitë e mëdha shprehen se mungesa e krahut të kualifikuar të punës përbën pengesë për zgjerimin e portofolit të investimeve. Këtu flasim për investime të qëndrueshme prodhuese të cilat janë në një raport partneriteti me shtetin. Nuk flasim për investime prodhuese nga ato grabitqaret që nuk kanë nevojë për krah të kualifikuar, por kanë nevojë vetëm për skllëvër si skllevërit e Bulqizës, si skllevërit e Kujës. Janë mijëra e mijëra shqiptarë që janë kthyer në skllevër për të mbijetuar për një copë bukë. Në raport me një punësim real problemi shkon dhe lidhet pa asnjë dyshim me shëndetësinë. Janë 1 milionë njerëz që sot janë të pasiguruar. Kryeministri thotë ne po i hapim rrugë spitaleve private që shqiptarët të kenë mundësi të blejnë shërbimin më të mirë të mundshëm. Pa asnjë dyshim ne nuk jemi kundër spitaleve private dhe universiteteve private. Përkundrazi! Por, spitalet private nuk janë zgjidhja për këta 1milionë njerëz që kur duhet të shkojnë në spital duhet të paguajnë 4-5 herë më shumë në dorë, zyrtarisht, formalisht, se sa ç’ paguanin vetëm 2 vjet më parë pa llogaritur pastaj se çfarë duhet të paguajnë nën dorë.
Problemi tërësor i ekonomisë është një problem i vendosjes në themel të poltikës ekonomike të një fryme të së drejtës. Shqipëria është një vend që i ka të gjitha mundësitë për të rilindur. Shqipëria sot është në kushte krize, por pa asnjë dyshim për pozicionin e vet gjeografik, për burimet e veta natyrore, për talentin dhe aftësitë e njerëzve të vet, e sigurisht dhe për faktin se ende nuk jemi mu në buzë të humnerës, i ka të gjitha mundësitë që të mos kthehet në një Vaterlo të konfliktit social, por të rilindë. Nuk mund të rilindë Shqipëria nëse një biznesmen të cilit i thuhet ke taksën 10% të sheshtë kur vjen puna për të privatizuar një aset, dhe kjo nuk është hipotezë ky është fakt, në rrugën e privatizimit të asetit të vet duhet të paguajë më shumë se gjysmën e vlerës së vetë asetit. Ne kemi mbledhur dëshmi nga biznesmenët. Dëshmi të cilat angazhohem që do ia vë në qafë të gjithë këtyre banditëve që iu shkojnë nga pas dhe për llogari të tyre personale në të gjithë piramidën se si është ndërtuar administrata marrin pjesën e tyre “ku është pjesa ime” u thonë. Ju siguroj se ajo “ku është pjesa ime” është pjesë e cila e sfidon taksën e sheshtë, në rastet e shumë prej privatizimeve që iu takojnë me ligj e me zakon. E sigurisht, kur vjen puna te shërbimi kombëtar shëndetësor do ta blejmë ne për ata që nuk kanë mundësi që ta blejnë. Është një çështje dinjiteti njerëzor. Është një çështje dinjiteti kombëtar që në këtë vend njerëzit mos lihen të vdesin apo mos detyrohen të shesin lopën, siç më tha një grua në një familje të varfër të cilën e vizitova për shkak se kishte djalin në gjendje terminale. Ishin të detyruar të shisnin lopën për të shkuar dhe, për të marrë një mendim nga doktori.
Në rast se ne flasim për zhvillimin modern rural dhe jo për braktisjen e fshatit, kjo nuk do të thotë bujqësi. Kjo do të thotë bujqësi dhe shumë më tepër se bujqësia. Kjo do të thotë në radhë të parë të ndalojmë shëmtimin e pandalshëm të fshatit, sepse tek bukuria e zonave rurale Shqipëria ka potencialin e vet më të madh ekonomik. Në rast se flasim për mjedisin ne nuk flasim për një politikë mjedisore që do të pengojë ekonominë. Jo! Ne flasim për një politikë mjedisore që duhet të kthehet në një politikë punësimi. Sot ekonomia e gjelbër është e gjitha e bazuar tek një sjellje miqësore me mjedisin. Por, në qoftë se ndodh siç ndodh në Krujë, siç ndodh në Bulqizë, apo siç ndodh gjetkë, siç ndodh në planet perspektive për zonat bregdetare, për perla të bregdetit, atëherë sigurisht ka përfitim. Po kush është përfitimi?! Nuk është përfitimi i shqiptarëve! Shqiptarët nuk do ta donin kurrë atë përfitim të menjëhershëm dhe pastaj t’i linin fëmijët e tyre mes zgafellash të një politike barbare “industriale”. Përfitimi është tek zhvillimi i qëndrueshëm.
Taksat janë patriotizëm. Po u them të gjithë patriotëve shqiptarë që patriotizëm sot nuk është të shash fqinjët. Është kompleks inferioriteti të shash fqinjët. Patriotizëm është sot të qëndrosh për interesin kombëtar kur ai cënohet, siç u cënua me marrëveshjen e detit. Po ama të qëndrosh për interesin kombëtar edhe kur ai duhet mbrojtur dhe mbrojtja e interesit kombëtar është që të kemi një shoqëri të fortë dhe një shoqëri e cila tek taksat shikon kontributin e vet patriotik në radhë të parë.

Duke kaluar në anën tjetër të fjalës time përsa i përket pjesës që ka të bëjë me atë çka kemi bërë organizativisht, dua të qëndroj përsëri te rruga e programit. Vetëm të ndërroj korsinë, sepse besoj që rruga e programit dhe ripërtëritja organizative e Partisë Socialiste duhet të jenë e njëjta gjë. Ne nuk kemi nevojë të shtojmë numra. Ne kemi nevojë të shtojmë zemra dhe mendje që t’i bashkohen kësaj rruge të programit dhe që të bëhen garantët e këtij programi përballë gjithë komuniteteve dhe përballë të gjithë atyre që do të shkojnë me politikën e tyre të vogël tu kërkojnë votën për një ndryshim të madh. Ne nuk duam të fitojmë për të ndryshuar Sali Berishën me Edi Ramën dhe ca ministra me ca ministra të tjera dhe për ta vazhduar shfaqjen me drita rozë ne vend të dritave blu ndërkohë që shqiptarët të vazhdojnë të jenë 1 milionë të papunë, të pasiguruar, ndërkohë që bizneset të vazhdojnë të vuajnë terrorin e administratës fiskale, terrorin e atyre që në zyrat e shtetit dhe të thonë “ku është pjesa ime” dhe me radhë e me radhë e me radhë.

Ne duam ta ndryshojmë politikën dhe mënyrën se si do të qeveriset ky vend. Ky është një apel për të gjithë ju që jeni këtu, sepse jeni ju të parët që jeni zëdhënësit e kësaj nevoje dhe kësaj domosdoshmërie me njerëzit e tjerë. Kjo domosdoshmëri për ta bërë të mundur Rilindjen Shqiptare ka nevojë jo vetëm për dallime programatike, po ka nevojë për dallime në sjelljen politike ndaj publikut. Ka nevojë për dallime në sjelljen politike brenda familjes së madhe socialiste, aty në fshat, aty në qytet. Ka nevojë për atë proces rigjenerimi, që me të drejtë u tha këtu po unë do të vazhdoja të shtoja, është bërë si hap i parë në Lezhë, është bërë si hap i parë në Dibër , është bërë si hap i parë në Vlorë, është bërë si hap i parë në rrethin e Tiranës, është bërë si hap i parë në Berat, në Lushnje, në Elbasan, në Librazhd, në Pogradec. Ka hyrë në fazën e konkretizimit në Korçë, në Tiranë, në Shkodër e do të vazhdojë në vendet e tjera, por nuk është një fushatë që mbyllet ditën kur mbarojnë regjistrimet. Regjistrimet vazhdojnë, janë të hapura, por mbi të gjitha nuk janë regjistrimet qëllimi. Rregjistrimet janë mjeti për të arritur qëllimin. Janë mjeti për të bërë me vete sa më shumë njerëz dhe për t’i bërë ata që të jenë zëdhënësit më kryesorë për t’ju kundërvënë këtij sponsorizimi të madh të frazës “nuk ia vlen të gjithë njësoj janë, mos u mundoni kot. Ja këta që janë i kanë duart të zhytura deri në fund në pisllëk, po edhe ata të tjerët mos kujtoni se do ndryshojnë ndonjë gjë, njësoj do jetë.” Ndryshe nga ç’ mendohet varfëria, papunësia, korrupsioni nuk janë aleatët e opozitës në një vend ku s’ka zgjedhje të garantuara. Janë aleatët e një pushteti që i mban të varfër sepse i blen më kollaj. Janë aleatët e një pushteti që nuk e çan kokën se janë të papunë. Sepse pastaj për t’ju marrë votën shkon dhe iu thotë “do të të fus në punën e shtetit” siç i morën dhe i futën në Poliçan. Me qindra vetë. Për një copë bukë u detyruan të japin një votë që nuk e kishin në zemër për të marrë dy rroga apo tre rroga dhe për t’u riflakur jashtë sapo mbaruan zgjedhjet. Do ta bëjnë prapë. Dhe po iu them në qoftë se ne nuk do të hapim dritën në tunelin e zemrës dhe mendjes së tyre edhe njerëzit do të bëjnë prapë, sepse në fund fare do të thonë “po mirë çfarë do ndryshojë do ta marr unë me këto politikat e këtyre një thes miell më shumë ndërkohë që në sjelljet e këtyre unë shoh ca gjëra që më kujtojnë ca gjëra që unë s’dua më t’i kujtoj. Dhe në fund të fundit djalli që e njoh është më i përshtatshëm se djalli që nuk e njoh.” Për këtë arsye procesi i organizimit të partisë në funksion të hapjes dhe të përfshirjes së sa më shumë njerëzve është një proces në radhë të parë shpirtëror në këtë familje politike. Për këtë arsye ajo çka impakton pozitivisht njerëzit është aspekti shpirtëror moral dhe ideal i programit tonë. Por jemi ende larg në këtë rrugë. Duhet ta bëjmë rrugën e programit një rrugë ku në të dyja koristë ne të mund të arrijmë t’ju themi njerëzve “ Po! Po! Po! Ne jo vetëm kemi parimet, jo vetëm kemi vlerat, jo vetëm kemi mesazhet qarta që na ndajnë nga të tjerët, po ja ku e keni dhe planin e detajuar. Ja se si ti nuk do shesësh më lopën për të shkuar për të marrë një mendim te doktori. Ja se si ti nuk do të paguash më shumë se gjysmën e vlerës së asetit tënd kur të bësh privatizimin që të takon me ligj e me zakon. Ja se si administrata jonë do të jetë në shërbim të të gjithëve dhe nuk do të jetë një zyrë punësimi për të zëvendësuar ca me ca dhe për të vazhduar luftën mes dy ushtrive. Por, kjo kërkon planin, kërkon edhe besimin, kërkon edhe dritën që duhet të lexojnë njerëzit në sytë e të gjithë atyre që flasin për këtë gjë.
Duke e mbyllur do doja të thosha që nga tryezat e programit kemi pasur, edhe nga shembujt që përmenda, shembuj suksesi. Shembuj që kanë sjellë më shumë sesa ç’prisnim. Tryeza e sportit ishte tryeza që dhe ne vetë na dha mundësinë të shohim sesi mund ta bëjmë më mirë tryezën e programit dhe sesi një tryezë programi e organizuar jo për të dalë ne në televizor, por për të mbledhur, afruar dhe për të marrë mendimet e njerëzve që kanë nevojë të shprehen, mund të funksionojë. Sepse ajo “të gjithë njësoj janë”, ka një fuqi në dispozicion, ka distancën. Ka distancën mes atij njeriut që është atje poshtë, larg në Bulqizë, në Krujë, Malësi të Madhe, në fushat e Korçës, ku detyrohet ta hedhë prodhimin dhe Ministri i Bujqësisë thotë “e vërtetë është ka rënë fuqia blerëse, njerëzit blejnë më pak, por ama produktet janë cilësore” ata nuk mund ta bëjnë dot dallimin kaq kollaj nga televizori. Nga televizori dukemi më shumë njëlloj sesa të ndryshëm. Dallimin mund ta bëjnë nga Partia Socialiste që kontakton drejtpërdrejtë atje, nga i deleguari që shkon drejtpërdrejtë atje dhe është atje që flet për çka duhet bërë më mirë, nga anëtari i Asamblesë Kombëtare që shkon drejtpërdrejtë atje dhe është atje që i tregon atij tjetrit që nuk është njësoj, që nuk përton të shkoj ta takojë në shpi, se nuk përton që të shkoj ta dëgjojë, se nuk përton që të dalë nga mbledhja formale e Asamblesë atje dhe të shkojë të takojë njerëzit që me atë mbledhje nuk kanë lidhje. Dhe me radhë tek kryetari i rrethit. Dhe këtu kemi kryetar rrethesh që janë arsyeja themelore nga pikëpamja organizative për të qenë të bindur se ne do të fitojmë dhe se një Rilindje Shqiptare është e mundur.

Janë ata të cilët pa të ardhura dhe pa pasur ndonjë mbështetje të madhe, kanë vajtur fshat më fshat dhe sot ato rezultate që ju shikoni, nuk janë rezultate numrash që ne i shkruajmë vetë dhe i themi vetë. Janë rezultatet e një pune që ka sjellë në familjen tonë politike anëtare dhe anëtare që nuk i kanë regjistruar të tjerët, por kanë marrë rrugën, kanë ardhur kanë mbushur gjithë formularin e regjistrimit dhe ju e dini që ai është formular i gjatë, kemi bërë dhe debat për formularin e gjatë. Arsyeja pse formulari është i gjatë, është se kush lodhet gjatë plotësimit të formularit ka ardhur të bëhet anëtar i Partisë Socialiste. E kanë mbushur gjithë formularin e gjatë, kanë paguar edhe kuotat. Për herë të parë në gjithë këto vite ata njerëzit e zakonshëm na kanë treguar se e ata kanë seriozisht, se ata e duan seriozisht ndryshimin, se ata seriozisht janë gati të kontribuojnë për një Rilindje Shqiptare. Vërtet kur vjen puna të përballen me sistemet shtetërore, me shëndetin, arsimin e të tjera me radhë nuk kanë fuqi të paguajnë, por kur vjen puna për kotën, modeste 2 mijë lekë të vjetra në vit, e paguajnë. E paguajnë sepse nga njëra anë kuptojnë se në atë moment janë më shumë aksionerë, në kuptimin moral, të kësaj familje politike dhe nga ana tjetër çojnë mesazh për të gjithë ju këtu. Për këtë arsye duke vazhduar me tryezën e energjisë dje, me tryezën e biznesit, me tryezën e shëndetësisë, me tryezën e zhvillimit rural, me tryezën e mjedisit, me tryezën e qeverisjes vendore, me tryezën e të përndjekurve, ne mund të themi me plotë gojën se rruga e programit nuk është as një show televiziv, as një fushatë elektorale e parakohshme. Është rruga për të bashkuar shqiptarët rreth disa ideve dhe rreth disa zgjedhjeve sa më të qarta, midis nesh që duam një Rilindje Shqiptare dhe atyre që duan që të dorëzohemi të gjithë para rrënimit të mëtejshëm. Ndërkohë që jo të gjitha kanë qenë shembull suksesi.

Ka pasur analiza shumë të forta në tryezat e infrastrukturës, të arsimit, të çështjeve sociale, të politikave rinore. Por, nuk mjaftojnë analizat e forta. Sesa keq është njerëzit e dinë të gjithë. Njerëzit nuk dinë sesi mund të bëhet më mirë dhe kush mund ta bëjë më mirë. E në rast se këto që ju themi në parim janë qartësisht të kuptueshme për të thënë, po mund të bëhet më mirë, ajo çka na duhet të ndërtojmë në rrugën e programit është që pse jemi ne ata që këtë që mund të bëhet më mirë, mund dhe do ta bëjmë.
Faleminderit për vëmendjen dhe durimin dhe shpresoj shumë që secili të kuptojë në radhë të parë se kjo Asamble Kombëtare është për të qenë në dispozicion të atyre njerëzve dhe jo për të qenë në dispozicion të kujtdoqoftë që është ulur këtu bashkë me mua.

Kjo Asamble Kombëtare është më e madhja në numër në historinë e Partisë Socialiste, sepse donim që të kishim sa më shumë njerëz në dispozicion të qytetarëve të zakonshëm, të socialistëve dhe të të gjithë të tjerëve që bashkë me ne duan ndryshimin në të gjithë territorin e Shqipërisë. Dhe është lidhja me territorin ajo që e definon rolin e një anëtari asambleje në radhë të parë, që nga të deleguarit e kryesisë, deri tek më i fundit anëtar asambleje. Është sa herë shkon atje në territor dhe sa kontakte ke atje që e definon edhe rolin e deputetit apo deputetes së Partisë Socialiste, edhe performancën e deputetit dhe deputetes së Partisë Socialiste edhe vlerën e shtuar që deputeti apo deputetja e Partisë Socialiste ka për këtë parti. Dhe këtë nuk e përcaktoj unë, këtë nuk e përcakton kryesia, këtë nuk e përcaktojmë ne këtu. Këtë e përcaktojnë ata që do e përcaktojnë, ata që janë atje poshtë, me të cilët duhet të dominojë lidhja e dashurisë, e besimit dhe sigurisht dhe e respektit reciprok.

KOMENTE