English

7 prill 1939- 2012. Përkujtohet 73 vjetori i pushtimit fashist (VIDEO)

807

Është përkujtuar në Durrës 73-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian.
Në 7 prill të vitit 1939 Italia nisi pushtimin e Shqipërisë ndërsa ushtria shqiptare dhe armatosja e popullsisë u sabotua nga eksponentë të saj të blerë nga italianët. Gjithsesi, para zbarkimit armik, forcat e mbetura shqiptare nën urdhrat e majorit Abaz Kupi, kishin zënë pozicione rreth portit të Durrësit dhe numëronin në radhët e tyre ushtarë, policë dhe vullnetarë civilë.

Pasi italianët shkelën në port forcat shqiptare hapën zjarr me mitralozë duke shkaktuar panik te armiku që nuk priste rezistencë. Italianët u detyruan të kthehen në anije në largësi sigurie nga skela. Nga kodrat e Durrësit forcat tona goditën me topa me rreze të gjatë mbi varkat në kthim duke arritur të dëmtojnë rëndë dhe njërën nga anijet italiane.

Përpjekja italiane për zbarkim u përsërit katër herë dhe u zmbraps megjithëse pala jonë luftonte me armatim dhe fuqi të mangët. Me kalimin e kohës anijet armike arritën të neutralizojnë grykat e zjarrit me artileri të rëndë dhe mbrojtja e portit u ça. Lufta u zhvendos nga porti në rrugët e qytetit, duke u kthyer në përleshje urbane me mbrojtësit që zinin pozicione në rrugë, rrugica e shtëpitë e Durrësit.

Luftime u shënuan dhe në Lezhë e Shëngjin në pabarazi të thellë numerike dhe armatimi.
Thirrja e mbretit Ahmet Zogu, në Radio Tirana, për qëndresë kundër pushtuesit u pasua nga mesazhi-protestë i Mehdi Frashërit për pushtimin italian.
Këto thirrje, në mos tjetër, shënuan zyrtarisht faktin se shteti shqiptar nuk kishte pranuar hyrjen e ushtrisë italiane në trojet shqiptare dhe se vendi sipas ligjeve ndërkombëtare ndodhej nën pushtim.

KOMENTE