English

Bamir Topi ka pritur dje Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka pritur dje në mesditë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi me përfaqësuesin më të lartë të drejtësisë së Kosovës, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm e profesional e të painfluencuar nga trysnitë politike apo ekonomike.

Presidenti Topi, gjatë këtij takimi vlerësoi lart rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës dhe theksoi “rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes institucioneve ligjore të të dyja vendeve tona në përpjekje për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës sipas standardeve më bashkëkohore evropiane”. Në këtë kuadër Presidenti Topi dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani vunë në pah rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese respektive dhe marrëveshjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë mes dy vendeve tona.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, i shprehu mirënjohjen Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, duke e siguruar se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të rrisë e të zgjerojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të institucioneve ligjore dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.

KOMENTE