English

Kryeministri Berisha mbledh Task-Forcën për të rishqyrtuar hapat e rinj të biznesit

Pas takimit të zgjeruar konsultativ që zhvilloi ditë më parë, me përfaqësues të biznesit, Kryeministri Berisha thirri sot mbledhjen e Task Force-s Rregullatore, për të rishqyrtuar hapat e rinj që pritet të vihen në zbatim për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, në të 11 treguesit e saj, nën fokusin e mendimeve dhe sugjerimeve të shprehura nga biznesi.

Kryeministri Berisha, duke i vlerësuar mendimet e sugjerime e shprehura në këtë takim, qartësisht të rëndësishme e të vlefshme për një klimë më të mirë të veprimtarisë së biznesit në Shqipëri, theksoi se kjo e bën të domosdoshme rishikimin në mënyrë përfundimtare të reformës për “klimën e biznesit në të 11 kolonat e saj”.

“Në kërkesat e tyre, - u shpreh Kryeministri - kërkohet një thjeshtim i burokracive, rritje e mëtejshme të transparencës së procedurave. Mendime pro e kundër u dhanë lidhur me çmimet e referencës, si dhe pati mendime përsa i përket përmirësimit të mëtejshëm të sistemit fiskal, evitimit të parapagimit në rastet më të mundshme, heqjen e TVSh-së për makineritë, eliminimi i çdo lloj barriere dhe reference në tregtinë me Kosovën, thjeshtimin procedurave për mbylljen e biznesit dhe një seri mendimesh të tjera, të cilat i gjykoj të dobishme”.

Kryeministri Berisha vlerësoi të drejtë, gjithashtu, propozimin e dalë nga tryeza me biznesin për funksionimin e përbashkët të Këshillit të Biznesit dhe Këshillit të Punës, si Këshilli Kombëtar i Biznesit dhe Çështjeve Sociale. “Unë, - tha Kryeministri - e gjej këtë një propozim shumë të drejtë, sepse tregu i punës, fleksibiliteti e standardi i tij janë të pashkëputura nga klima e biznesit. Ndaj t’i marrim edhe një herë me radhë e t’i shqyrtojmë një nga një kolonat, duke u përpjekur në ambicien më të mirë, për të kapur standardet më të mira që ekzistojnë në këtë aspekt.”

Pas diskutimit një për një të të gjithë treguesve që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit, zvogëlimin e burokracisë dhe rritjen e transparencës, të gjitha institucioneve iu përcaktuan detyra e objektiva të reja, gjithmonë në drejtim të lehtësimit të të bërit biznes. Ndër vendimet e rëndësishme në lidhje me thellimin e reformave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, Task Force konsideroi sugjerimet dhe kërkesat e bëra nga biznesi, në takimin e gjerë që ky i fundit pati me Kryeministrin, një javë më parë. Ndër vendimet kryesore të kësaj Task Force janë:

Heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit;
Krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës. Ky propozim i biznesit u gjet i drejtë dhe i përshtatshëm për momentin aktual të zhvillimit të ekonomisë dhe për të lehtësuar dhe bërë më fleksibël e transparent dialogimin midis biznesit, institucioneve shtetërore dhe palëve të tjera të interesuara. Një Këshill i tillë është i domosdoshëm, për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu më modern e fleksibël të punës;
Për të rritur më tepër transparencën e prokurimeve publike, siç u kërkua edhe nga biznesi gjatë takimit me Kryeministrin, u vendos që të publikohen, krahas informacionin mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj. Gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në web edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit.
Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi se kjo Task Force përfaqëson një përpjekje të re, për të krijuar një klimë më të mirë biznesi, sepse ekonomia shqiptare ka një dinamizëm që duhet përshtatur me ekonominë globale. Burokracia është armiku i këtij zhvillimi, prandaj duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që tentakulat e saj të mos pengojnë biznesin. Qeveria, tha Kryeministri, me vendosmëri do të vazhdojë këtë punë dhe do të mbajë lart frymën e shërbimit ndaj biznesit me cilësi, transparencë dhe thjeshtësi.

Një javë më parë, Kryeministri Berisha nisi takimet me përfaqësues të biznesit, me qëllim parashtrimin dhe konsultimin me biznesin të një pakete të re reformash, për ta bërë më kompetitive ekonominë shqiptare. Ky ishte takimi i parë, që, siç theksoi Kryeministri, do të vazhdojnë me takime të tjera konsultimesh e dialogu konstant të qeverisë me përfaqësuesit e biznesit, sipas fushave të zhvillimit.

KOMENTE