English

Qeveria bashkëpunëtore, shprehet Vetëvendosje

Nëpërmjet strukturave të saj të paligjshme dhe të armatosura Serbia po ndërmerr sulm ndaj shqiptarëve të veriut të Kosovës. Vrasja e Selver Haradinajt (38 vjeç) në zonën e Tre Rrokaqiejve në veri të Mitrovicës ishte sulm terrorist, me ç’rast cak kanë qenë civilët e paarmatosur, fëmijët dhe familja Haradinaj në përgjithësi. Ky akt terrorist është realizuar nëpërmjet vendosjes së eksplozivit në ndërtesën e të ndjerit dhe shpërthimit të tij të planifikuar.

Pas këtij sulmi, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, u zotua se do ta vendoste një pikë statike policore në zonën e Tre Rrokaqiejve, për t’iu mundësuar siguri banorëve të rrezikuar shqiptarë atje. Pak pas vendosjes së kësaj pike, ajo u uzurpua nga strukturat kriminale të Beogradit si dhe u shkatërrua plotësisht. Për një kohë të caktuar një polic është mbajtur peng dhe mbi 200 serbë kanë mbajtur nën rrethim dhe kërcënim ndërtesat në të cilat banojnë edhe shqiptarë.

Dërgimi i vetëm dy policëve në lagjen Tre Rrokaqiejt, dëshmon për një mungesë të përgjegjësisë, planit operacional dhe të seriozitetit nga ana e Ministrisë së Brendshme. Me këtë ndërhyrje gjysmake dhe të pamjaftueshme qeveria e Kosovës po i shërben planit të Serbisë, që po del gjithnjë e fituar prej incidenteve të krijuara. Vijimësia e këtyre incidenteve, falë iniciativave dështake të qeverisë së Kosovës, po e shpie vendin drejt negociatave të tjera, kësaj radhe konkretisht për veriun e Kosovës.

Situata në veriun e vendit mbetet e tendosur dhe me shenja përkeqësimi. Shqiptarët atje janë pa përkujdesje institucionale dhe të pambrojtur nga mekanizmat e sigurisë. Ndërkohë që fëmijët e Selver Haradinajt, mbetën jetimë për shkak të krimit serb, gjithë shqiptarët që jetojnë atje kanë mbetur jetimë pasi janë braktisur nga qeveria e Kosovës. Prandaj ata aktualisht janë nën mëshirën e strukturave ilegale të Beogradit të cilat po ushtrojnë trysni të vazhdueshme nëpërmjet forcës, dhunës e frikësimit, ashtu që shqiptarët atje t’i lëshojnë shtëpitë, banesat, tokat dhe pronat e tyre.

Tash e disa ditë, Serbia ka intensifikuar fushatën e saj për ta luftuar pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Para dy javësh policia e Serbisë arrestoi kryesindikalistin e metalistëve të Kosovës, Hasan Abazin si dhe Arben Murselin e Burim Talakun. Po ashtu, Shemsi Nuhiu, ish ushtar i UÇK-së, u arrestua në Zvicër sipas një urdhër-arresti të Serbisë dhe u ekstradua në Serbi për t’u gjykuar atje për krime të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99. Më 31 mars, brenda kufirit të Kosovës, xhandarmëria serbe kidnapoi dy policë të Kosovës ndërsa po kryenin detyrën e tyre në kufi. Ata u liruan, pasi që ishin lënë dy ditë pa ushqim, ua kishin marrë armët dhe shenjat që mban uniforma e Policit të Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo seancë duhet të nxjerrë vendime konkrete për institucionet politike. Për këtë gjë tashmë i kemi kontaktuar partitë LDK dhe AAK dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre. Po ashtu, do t’i dërgojmë një letër Presidentes së Republikës së Kosovës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë si dhe do t’i dërgojmë letër komandantit të KFOR-it e shefit të shtabit të përgjithshëm të NATO-s për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë në Mitrovicë. Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, do t’i shkruajmë që ai të thërrasë një mbledhje urgjente të OKB-së e të NATO-s, mbi gjendjen e rëndë të sigurisë në Mitrovicë.

Pas koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë që kulmuan me fusnotën, pas gjendjes së rënduar në veri ku qeveria kontribuon me papërgjegjësinë e saj, nuk mund të presim asgjë serioze e të sinqertë nga kjo qeveri. Prandaj Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të brendshëm Bajram Rexhepit, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe gjithë qeverisë së Kosovës që është bashkëpunëtore me Serbinë në incidentet të cilat po shpiejnë drejt negociatave për veriun e vendit tonë dhe po e dështojnë shtetin e Kosovës.

KOMENTE