English

Shpërdorues i shfrenuar i pushtetit shprehet, Edi Rama


Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Socialiste.

Jam këtu për t’i dhënë përgjigje absurditeteve që dëgjuat të gjithë pak më parë nga goja e kryeministrit të vendit.

Së pari, mandati i deputetit të opozitës nuk është i pari mandat që mbahet peng nga Saliu në sirtarin e Jozefinës në rrugë antikushtetuese e antiligjore. Jo, mandati ynë i është shtuar një vandaku mandatesh për Gjykatën Kushtetuese e për Gjykatën e Lartë, të cilat mbahen peng arbitrarisht, duke shpërdoruar pushtetin, jashtë të gjitha afateve të shqyrtimit nga Kuvendi i Shqipërisë dhe duke lënë pa kryer sipas Kushtetutës e ligjit zëvendësimet në funksione kushtetuese. Ashtu siç mbahen të pazëvendësuar në kundërshtim me ligjin edhe përfaqësuesit e palëve në Bordin e Televizionit Publik dhe të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve, pavarësisht se u ka mbaruar mandati për të ushtruar funksionet publike të paguar nga taksat e qytetarëve.

Së dyti, mandati i deputetit të opozitës nuk ka asnjë lidhje me krahasimin qesharak që bën kryeministri kur i referohet dorëzimit të mandatit nga një deputet apo dy deputet të tij përpara kandidimit si kryetar bashkie. Sepse funksioni i deputetit është kushtetutshmërish i papajtueshëm me funksionin e kryetarit të bashkisë. Një deputet nuk mund të garojë për kryetar bashkie duke qenë deputet. Por nga ana tjetër, kandidati ynë për kryetar bashkie në Fushë-Krujë nuk ishte deputet kur garoi dhe asnjë detyrim ligjor nuk përcakton asgjëkundi, dhe s’ka se si ta përcaktojë, që të jepte dorëheqjen nga lista e kandidatëve për deputet ndërkohë që gara për deputetët kishte mbaruar 2 vjet më parë dhe ai ishte qytetar si gjithë të tjerët.

Së treti, pas dorëheqjes së një deputeteje në zbatim të Kodit Zgjedhor zoti Gjon Bardhi iu dha normalisht nga KQZ-ja mandati i deputetit duke ndjekur radhën në listën e qarkut Durrës. Ai vendosi të zgjedhë qëndrimin në detyrën që ka për të vazhduar punën si kryetar bashkie dhe prandaj refuzoi me shkrim përpara Kuvendit marrjen e mandatit të deputetit duke dhënë praktikisht dorëheqjen nga ai mandat. Detyra e Kuvendit e përcaktuar qartë në Kodin Zgjedhor ishte dhe mbetet të njoftojë KQZ-në për të plotësuar vendin ende bosh në radhët opozitës.

Së katërti, pretendimi i kryeministrit se PS duhet të shkojë në gjykatë për t’u ankuar ndaj KQZ-së është kryekëput absurditet, sepse KQZ-ja në këtë rast thjesht ka bërë atë që duhet të bënte sipas ligjit duke ia lënë mandatin kandidatit të radhës. E në kushtet kur kandidati i radhës e refuzon mandatin, KQZ-ja thjesht duhet të vazhdojë sipas radhës me kandidatin tjetër pas njoftimit që merr nga Kuvendi. Pra, është Kuvendi jo partia që merret me procedurat e dorëheqjeve apo mandatimit të deputetëve.

Së fundi, kur thotë shkoni në gjykatë edhe në këtë rast kaq flagrant dhe kaq të qartë si drita e diellit, Sali Berisha vetëm rikonfirmohet si shpërdorues i shfrenuar i pushtetit, duke arritur të cënojë këtë herë edhe vetë sovranitetin e popullit të materializuar në mandatet e Kuvendit. Ashtu siç rikonfirmon edhe njëherë déjà vu-në e krimeve elektorale e jo vetëm, të kryera haptazi në sytë e publikut dhe të amnistuara në dyert e gjykatave të kontrolluara politikisht.

Kryeministri nuk e fsheh dot se e ëndërron një konflikt me opozitën dhe të ketë justifikime për të thënë se po më bllokon opozita edhe kur opozita kërkon atë që i takon, si në këtë rast, me ligj e me zakon. Sepse kryeministri ka dështuar. Ka dështuar me qeverisjen e vendit, ka dështuar me integrimin europian, ka dështuar dhe me alibinë e bllokimit dhe tanimë edhe justifikimet i kanë rënë të gjitha si rrobat e mbretit lakuriq.

KOMENTE