Kryeministri Berisha u nis dje për në Bruksel për të marrë pjesë në Konferencën me temë “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, i cili organizohet sot më datë 11 Prill nga Grupi i PPE-së, në Parlamentin Evropian. Kjo Konferencë organizohet në kuadër të mbështetjes së gjatë dhe inkurajimit të fuqishëm që Grupi i PPE-së në PE u ka dhënë dhe u jep vendeve të Evropës Jug – Lindore, në procesin e integrimit.
Kryeministri Berisha merr pjesë në këtë Konferencë, i ftuar nga Kryetari i Grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian, zoti Joseph Daul, si folës kryesor në sesionin e parë me temë “Procesi i Stabilizim Asociimit: Eksperienca, Sfida dhe Mundësi ”. Gjithashtu, Konferenca do të trajtojë çështje që lidhen me progresin aktual dhe të ardhmen e integrimit evropian të vendeve të Evropës Jug – Lindore, si dhe mbi mbështetjen evropiane për Ballkanin, në lidhje me promovimin e një bashkëpunimi të fortë rajonal.
Në këtë Konferencë, e cila do të hapet nga Kryetari i Grupit të PPE-së në PE, eurodeputeti Joseph Daul, do të marrin pjesë dhe Zëvendëskryetarët e Grupit Parlamentar të PPE-së, z.Gunnar Hokmark dhe z.Joannis Kasoulides, Kryeministri i Maqedonisë, zoti Nicola Gruevski, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnie Hercegovinës, zoti Vjekoslav Bevanda, ish – Kryeministrja e Kroacisë, zonja Jadranka Kosor, zoti Peter Sorensen, i Dërguar i Posaçëm i BE-së në Bosnje - Hercegovinë, eurodeputetë si zotërinjtë Elmar Brok dhe Eduard Kukan etj.