English

Fondi Besa dekorohet nga Presidenti me Medaljen e mirënjohjes

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ka dekoruar organizatën joqeveritare dhe jofitimprurëse “Besa” sh.a. në 13-vjetorin e krijimit të saj me “Medaljen e Mirënjohjes”, në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në mjediset e “Kompleksit Tropikal” në Durrës.

Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Drejtorit Ekzekutiv të Fondit “Besa” sh.a., zotit Bajram Muça, i cili vuri në pah në mënyrë të përmbledhur kontributin shumëvjeçar të Fondit në dhënien e ndihmës për rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë së vendit në zonat urbane dhe gjysmë urbane, nëpërmjet promovimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Ndërsa Presidenti Topi, duke përshëndetur të pranishmit në këtë aktivitet të rëndësishëm të evidentimit dhe vlerësimit të organizmave të rëndësishëm që japin ndihmesë të vazhdueshme në drejtim të zhvillimit ekonomik të vendit, theksoi:

“I nderuar zoti Muça,
I nderuar zoti Malaj,
I nderuar zoti Alibali,
I nderuar zoti Leskaj,
I nderuar zoti Jaka,
Të nderuar drejtues të Fondacionit “Besa”,
Të nderuar të pranishëm!

Vërtet është një moment i bukur ky i sotmi, që na mbledh të gjithëve së bashku, në një mjedis të këndshëm për të përkujtuar jo vetëm 13-vjetorin e themelimit të Fondit ‘Besa’, por, mbi të gjitha, për të konsideruar këtë rrugëtim të gjatë, i cili realisht ka filluar në shkurtin e vitit 1994, si një histori e vërtetë suksesi. Pra, Fondacioni ‘Besa’, i cili u themelua formalisht me këtë emër, 13 vite më parë, në fakt filloi si një departament i thjeshtë që ishte në kuadrin e një institucioni, i cili juridikisht ishte pjesë e një projekti të Bankës Botërore. Jo pa qëllim iu referova vitit 1994, sepse ky fondacion, i cili me të drejtë sot meriton një vlerësim, ka bërë një rrugë të karakterit zhvillimor evolucionar. Pra, nuk është nga ato institucione që pavarësisht traumave që ka kaluar vendi në vite, jo vetëm që s’u trondit, por u konsolidua duke bërë ekspansion, por nga ana tjetër, duke rritur cilësinë e punës së tij.

Me një vendim të qeverisë, në mos gaboj, në vitin 1999, u transformua në Fondacionin ‘Besa’ dhe më pas, për të kurorëzuar këtë rrugë suksesi, u licencua nga Banka e Shqipërisë si një institucion financiar jobankar, që tregon që jo vetëm nga pikëpamja strukturore, por edhe nga ana funksionale, ky fondacion absorboi jo vetëm forcat cilësore, por u shtri në të gjithë Shqipërinë, në zonat urbane dhe gjysmë urbane, duke u bërë vërtet një histori suksesi, jo sepse e themi ne, por sepse e tillë u bë. Akumuloi jo vetëm fonde, por e shtriu aktivitetin e tij dhe u bë shumë i dobishëm për mjaft njerëz, të cilët arritën mbi bazën e mikrokreditit të punësohen dhe të vetëpunësohen, të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe t’i japin emër këtij fondacioni. Fakti që qysh nga viti 1994, ju keni rritur aktivitetin tuaj, por edhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, që keni pasur një partneritet multilateral do të thoja, me mjaft partnerë, duke filluar me qeverinë shqiptare, duke vazhduar me Bankën Botërore, duke vazhduar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke vazhduar me Fondin e Kreditimit nga qeveria spanjolle, dhe institucione të tjera që ju i dini më mirë se unë, padyshim keni ardhur në një etapë që, me keqardhje të thellë keni arritur që të merrni çmime ndërkombëtare dhe nuk keni marrë një çmim kombëtar. Kështu që nga kjo pikëpamje, unë them me keqardhje, por asnjëherë nuk është vonë për të vlerësuar një punë, një punë që është konsoliduar dhe tashmë ky fondacion është një institucion i vërtetë, që shkon paralelisht me politikat e të gjitha qeverive shqiptare për të ndihmuar Shqipërinë, për zhvillim ekonomik në radhë të parë, por edhe për zbutje të varfërisë.

Kështu që pa u zgjatur më shumë, sepse nuk kam ardhur t’u mbajë leksion pikërisht atyre që e kanë bërë të vetin këtë aktivitet, që janë përballur me situata nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha kanë arritur që të jenë fitimtarë, t’ju akordoj, mbi bazën e propozimit që ka ardhur nga disa institucione, ‘Medaljen e Mirënjohjes’, pikërisht për këtë punë vetëmohuese, duke qenë i bindur që e ardhmja do ju ofrojë suksese të reja. Edhe njëherë urime! Urime dhe suksese të mëtejshme!”

Më tej, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Drejtorit Ekzekutiv të Fondit “Besa” sh.a., zoti Bajram Muça, “Medaljen e Mirënjohjes”, në shenjë vlerësimi “Për kontributin e dhënë në zbutjen e varfërisë, në nxitjen e vetëpunësimit dhe punësimit, nëpërmjet kreditimit të sipërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri”. Pas marrjes së dekoratës, zoti Muça shprehu falenderimin e thellë dhe kënaqësinë për vlerësimin e lartë nga Kreu i Shtetit.

KOMENTE