English

Policia e shtetit merr dhuratë nga ambasada amerikane një automjet të veçantë

Policisë së Shtetit, i është dhuruar një automjet i veçantë nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, i cili do të shërbejë si Qendër Drejtimi e Lëvizshme për Policinë e Shtetit, për menaxhimin e forcave në situata komplekse apo gjatë emergjencave civile.

Dhurimi i këtij automjeti, i cili u bë gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Qendrës së Formimit Policor, u mundësua nga një donacion i Qeverisë Amerikane nëpërmjet Programit ICITAP dhe Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen (ODC), me vlerë 330 mijë dollarë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Brendshëm, z Bujar Nishani, Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri z. Alexander Arvizu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, Drejtori i Programit ICITAP, z. Steve Bennett, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të policisë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë ceremoni, Ambasadori i SHBA-së Z. Alexander Arvizu, vlerësoi Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe partneritetin e vazhdueshëm.
“Ky donacion shërben si një kujtesë që SHBA do të vazhdojnë ndihmën dhe angazhimin e tyre, në mënyra të ndryshme, qoftë përmes ndihmave të mëdha apo të vogla. Kjo është diçka e rëndësishme për të çuar përpara profesionalizmin e Policisë së Shtetit përmes trajnimeve që ne mund t’ju ofrojmë miqve tanë me synim forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimit të policisë ndaj komunitetit.”, theksoi Ambasadori Amerikan.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm, z. Nishani, duke vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen ndaj Qeverisë së SHBA-së, Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Programit ICITAP, për mbështetjen dhe ndihmën bujare të dhënë për Policinë Shqiptare dhe për bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm, theksoi:
“Përmes kësaj ndihme që Qeveria e SHBA-së ofron sot, i shtohet një element i rëndësishëm kapaciteteve të infrastrukturës së hetimit dhe luftës ndaj krimit në Shqipëri. Elementë të tillë që pasurojnë teknikat e hetimit, teknikat e menaxhimit dhe të drejtimit operacional në terren, për aktivitetet e Policisë së Shtetit do të jenë padyshim një standard i ri dhe një arritje e re për të garantuar suksesin e mëtejshëm të këtyre forcave, të këtyre agjencive në përmbushjen e misionit të tyre. Përmes këtij mjeti bëhet e mundur ofrimi i kapacitetit menaxhues dhe drejtimit oeracional në terren, aty ku zhvillohet aktiviteti i luftës ndaj veprimtarisë kriminale.“, theksoi z. Nishani.

Në fund te ceremonisë është bërë edhe nënshkrimi i Aktit të Dhurimit nga ana e Ministrit të Brendshëm, z. Bujar Nishani dhe Ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri z. Alexander Arvizu.

KOMENTE