English

Gëzuar dhe për shumë vjet-uron presidenti Topi me rastin e Pashkëve ortodokse

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos shpreh urimet më të mira për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse.

“Fortlumturia juaj, Kryepeshkop Anastas Janullatos,
Të nderuar besimtarë ortodoksë shqiptarë, kudo ku ndodheni!

Më lejoni që me rastin e Festës së ndritshme të Pashkëve, t’ju uroj nga zemra ‘Gëzuar dhe përshumëvjet’!

Dita e Pashkëve është ditë e shenjtë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit tek Zoti! Nëpërmjet kësaj simbolike të mrekullueshme fetare të ringjalljes së jetës, në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e për gjithë shqiptarët të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, përfitoj nga rasti të uroj më shumë fat dhe begati për popullin shqiptar!

Le të shërbejë kjo ditë për të reflektuar e përmirësuar vetveten, por dhe për të evidentuar më shumë vlerat e mëdha të bashkëjetesës fetare e shpirtërore të shqiptarëve!

Njëkohësisht me të gjithë besimtarët ortodoksë, ju urojmë dhe Juve, Fortlumturia Juaj, shëndet të mirë e jetë të gjatë në misionin Tuaj të shenjtë për të mirën e njerëzimit!” – nënvizohet në mesazhin e urimit të Presidentit Topi.

KOMENTE