Në mbledhjen e tij të radhës, datë 16.04.2012, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shqyrtoi, në bazë të rendit të ditës një sërë çështjesh.
Së pari: Me propozim të Presidentit të Republikës, dhe votat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u shtua si pikë e parë e rendit të ditës, verifikimi i mandatit të anëtarit të Këshillit, të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Elvis Çefa.
Komisioni, i përbërë nga 3 anëtarë, pas verifikimit të dokumentacionit të vënë në dispozicion nga Kuvendi i Shqipërisë, i paraqiti Këshillit raportin, ku u konsiderua në pajtueshmëri me ligjin, zgjedhja dhe ushtrimi i rregullt i mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Raporti i parashtruar, u miratua nga Këshilli.
Së dyti: Këshilli, me shumicën e votave të anëtarëve konfirmoi pikën e dytë të rendit të ditës, për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të tij, me propozim të Presidentit të Republikës. Në vijim, bazuar në nenin 147, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti, propozoi anëtarin Ilir Mustafaj, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për këtë pozicion.
Propozimi u pasua me diskutime profesionale të anëtarëve, ku u trajtua nëse pozicioni i Zëvendëskryetarit, mund të ushtrohet nga anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, apo nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi.
Vendimmarrja, për këtë propozim do realizohet në një mbledhje të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Së treti: Këshilli përcaktoi 8 vende vakantë për kandidatët për magjistratë, profili gjyqtar, viti akademik 2012-2013.
Së katërti: U diskutua dhe u vendos përfaqësimi i Këshillit në disa çështje gjyqësore, në të cilat ai është palë pjesëmarrëse.
Së pesti: Me kërkesë të Ministrit të Drejëtsisë, u shqyrtuan procedimet disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Ilir Pashaj dhe gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Arben Lera. Me shumicë të votave, propozimet e Ministrit për masën disiplinore “Vërejtje”, u rrëzuan.
Së fundi: U realizua procedura e hedhjes së shortit për delegimet e gjyqtarëve të gjykatave të shkallëve të para dhe të apeleve nga një gjykatë në tjetrën, sipas kërkesave të parashtruara në Këshill nga Kryetarët e gjykatave.