Gjatë ditës së djeshme dhe sot në median e shkruar dhe elektronike u njoftua se Institucioni i Presidentit të Republikës i ka mohuar në mënyrë të padrejtë dhënien e shtetësisë shqiptare shtetases moldave, Olga Tofan.
Drejtoria Juridike e Institucionit të Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik se ndër të tjera, neni 10 i ligjit “Për dhënien e shtetësisë shqiptare” parashikon se “I huaji që është martuar me një shtetas shqiptar prej jo më pak se tre vjet, në rast se dëshiron, mund të fitojë shtetësinë shqiptare me natyralizim”.
Drejtoria Juridike e Institucionit të Presidentit të Republikës, pasi e ka shqyrtuar imtësisht praktikën e kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare nga ana e shtetases moldave Olga Tofan, të paraqitur nëpërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, ka vërejtur se kërkuesja nuk plotësonte kushtin minimal ligjor: zonja Olga Tofan përmbush vetëm 6 muaj nga 3 vite martese ligjore të kërkuara.
Kërkesa e zonjës Olga Tofan për të përfituar shtetësinë shqiptare është refuzuar pikërisht për arsyen e lartpërmendur, duke qenë se nuk plotësonte detyrimin ligjor të sipërpërmendur, pasi Institucioni i Presidentit të Republikës, në mbështetje të nenit 9, 10 dhe 20 të ligjit Nr. 8389, datë 08.03.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, ka konstatuar se praktika e saj nuk ishte e plotë nga ana ligjore.