Kryeministri Berisha priti sot, në takim, një grup investitorësh hungarezë të kompanisë CEH, të kryesuar nga Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i saj Attila Tóth, të shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Agjencisë Hungareze të Investimeve dhe Tregtisë Sándor Krankovics dhe përfaqësuesi ekonomik për rajonin në ambasadën hungareze në Malin e Zi, Ervin Szél.
Kjo kompani, e specializuar në fushën e projektimeve dhe zhvillimeve urbane, ndërtimit, turizmit, infrastrukturës rrugore, vjen për herë të parë në Shqipëri, për të konkretizuar mundësi reale dhe projekte konkrete investimi dhe bashkëpunimi.
Presidenti Tóth, pasi i shprehu Kryeministrit simpatinë dhe përgëzimet për arritjet ekonomike të Shqipërisë, dhe klimën ftuese dhe me lehtësira të shumta për të bërë biznes, tha se vizita e grupit të tij ishte një hap i natyrshëm që bën çdo investitor, kur ndjen mundësi biznesi dhe investimi. Prezantimi i potencialeve investuese të Shqipërisë, bërë gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Hungari, tërhoqi vëmendjen dhe bëri kompaninë time, tha ai, të drejtohej drejt Shqipërisë. Ne e shohim Shqipërinë jo vetëm si një vend mik, por edhe si një vend, ku mund të kemi partnerë dhe bashkëpunëtorë në projekte investimesh biznesi.
Kryeministri Berisha i falenderoi përfaqësuesit e kompanisë, si dhe ata të qeverisë hungareze dhe Agjencisë së Investimeve për këtë vendimmarrje, në lidhje me projekte investimesh në Shqipëri. Ai garantoi mbështetjen e gjithanshme të strukturave të qeverisë së tij, për të akomoduar projektet e mundshme të kësaj kompanie dhe për t’i kthyer ato në histori suksesi të dyanshëm. Kryeministri ju prezantoi mundësi konkrete për realizimin e projekt-ideve të tyre në fushën e turizmit, në infrastrukturë, në ndërtim rrugësh si rruga e Arbrit, unaza e madhe e Tiranës, zgjatimi i bulevardit të Tiranës, vepra energjetike si hidrocentrale, si dhe sisteme të ujërave të pastra dhe kanalizimeve.