English

Presidenti Topi vizitë zyrtare në Maqedoni

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të delegacionit zyrtar, u nis për një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Kreu i Shtetit shqiptar do të pritet me një ceremoni solemne zyrtare nga homologu i tij maqedonas, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive, i cili do të ketë si tema qendrore të bisedimeve plenare, fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe politike, forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet shtimit të projekteve dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe diskutime për situatën aktuale në vendet e rajonit të Ballkanit e më gjerë.

Presidenti Topi pritet të zhvillojë takime edhe me autoritete të tjera të larta të vendit fqinj, me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me Kryetarin e Asamblesë, Trajko Veljanoski, me ish-presidentin maqedonas dhe Kryetarin e LSDM-së, Branko Cervenkovski si dhe me drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare, me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), Ali Ahmeti, dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Menduh Thaçi.

Në ditën e fundit të vizitës zyrtare, Presidenti Topi, i shoqëruar nga Presidenti maqedonas, Ivanov, do të marrë pjesë në çeljen e Panairit “Promovimi i prodhimeve vendase dhe investimeve të huaja”.

KOMENTE