English

Kryeministri Berisha pret delegacionin e drejtuesve të shërbimeve ushtarake të Inteligjencës së NATO-s

Kryeministri Berisha priti dje pasdite në një takim, një delegacion të drejtuesve të shërbimeve ushtarake të Inteligjencës së NATO-s, përkatësisht zotërinjtë Fhlip L. Ritcheson, Drejtor i Divizionit të Inteligjencës në NATO HQ, Bruksel dhe njëkohësisht Kryetar i Komitetit Ushtarak të Inteligjencës së NATO-s, Admiralin Norman. R Hyes, Drejtor i Zbulimit Ushtarak të Komandës Amerikane për Evropën, si dhe Admiralin në pension David Ellison, President i Universitetit Kombëtar të Inteligjencës, SHBA, të cilët ndodhen për një vizitë të shkurtër në Shqipëri. Në takim merrte pjese edhe drejtori i SHIU-t, zoti kolonel Ylli Zyla.

Pasi uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha i falënderoi zotërinjtë Ritcheson, Hyes dhe Ellison për bashkëpunimin dhe për mbështetjen që institucionet që ata përfaqësojnë i kanë dhënë Shqipërisë dhe shërbimeve informative të saj, në veçanti për sa i përket bashkëpunimit të shërbimeve të inteligjencës në kuadër të pjesëmarrjes së trupave shqiptare në misionet e NATO-s dhe ISAF në Afganistan.

Zotërinjtë Ritcheson, Hyes dhe Ellison e falënderuan kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohte dhe miqësore dhe e siguruan atë se institucionet që ata përfaqësojnë, përkatësisht Divizioni i Inteligjencës në NATO, Bruksel, Komiteti ushtarak i Inteligjencës së NATO-s, Zbulimi Ushtarak i Komandës Amerikane për Evropën, si dhe Universiteti Kombëtar i Inteligjencës, SHBA do të vijojë të bashkëpunojnë ngushtësisht dhe do të mbështesin Shqipërinë dhe shërbimet e saj informative, në veçanti SHIU-n në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ka ndërtuar me këto agjenci gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket shërbimit të informacionit, ashtu edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me trajnimin.

Në takim, zotërinjtë Ritcheson, Hyes dhe Ellison vlerësuan kontributin real dhe të rëndësishëm të Shqipërisë, në luftën kundër terrorizmit si dhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan dhe i shprehën mirënjohjen më të thellë të agjencive që ata përfaqësojnë dhe të SHBA-ve për këtë kontribut, por njëkohësisht edhe vlerësimin më të lartë për sakrificën e një prej efektivave të shkëlqyer të forcave speciale shqiptare, kapiten Feti Voglit.

Ata vlerësuan punën e shkëlqyer që njësitë e FA-ve shqiptare po bëjnë në Afganistan dhe e siguruan Kryeministrin se agjencitë që ata përfaqësojnë janë plotësisht të angazhuara dhe do të vijojnë bashkëpunimin frytdhënës me SHIU-n shqiptar për tu ofruar udhëheqësve politike dhe vendimmarrësve ushtarakë, informacionin më të saktë dhe në kohën më të përshtatshme të mundshme për ti ndihmuar ata në detyrën dhe vendimmarrjet e tyre të rëndësishme, në mënyrë që misioni në ndihmë të Afganistanit dhe popullit mik të shumëvuajtur të këtij vendi të kurorëzohet me sukses.

KOMENTE