Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën e parë Ndërkombëtare mbi Arkitekturën dhe Urbanistikën, organizuar nga Universiteti “Epoka”, në mjediset e Hotel Tirana Internacional. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Ministri i Transportit dhe Punëve Publike Sokol Olldashi, Rektori i Universitetit “Epoka” z. Halil Murat Ozler, akademikë dhe ekspertë të mirënjohur të urbanistikës dhe arkitekturës vendas e të huaj, specialistë të kësaj fushe, përfaqësues të institucioneve të lidhura me zhvillimin urban të vendit, etj.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për organizimin e kësaj konference me një nga temat më të rëndësishme të kohëve të sotme, urbanizimin. Ai theksoi se në 20 vjet, Shqipëria arriti nga 35 për qind popullsi urbane, në pothuajse 54 për qind, duke nënvizuar se kalimi nga komb rural në komb urban është deri tani një nga arritjet më të mëdha historike të vendit, një proces ky me sfida të mëdha, por që i sjell vendit fluksin më të fuqishëm të energjisë së zhvillimit.
Duke sjellë në vëmendje të dhënat e Censusit të fundi të realizuar në vend, Kryeministri tha se ky proces tregon se shqiptarët, nga viti 2001 në vitin 2011, kanë ndërtuar banesa më shumë se çdo vend tjetër evropian, në 30 vitet e fundit. “Ky census tregon se Shqipëria, një vend i cili në vitin 2001 kishte treguesit më të ulët se çdo vend tjetër evropian në vitet 80-të, për sa i përket strehimit për frymë, në vitin 2011 la pas 5 nga vendet e anëtare të BE-së, ose 5 vende anëtare të OECD-së. Shqiptarët tashmë zotërojnë 383 banesa për 1000 banorë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se për Shqipërinë është shumë jetësor një koncept i ri urban dhe shikohet me shumë interes nga të gjithë vazhdimi i urbanizimit të të gjithë zonave, të cilat duhet të mbajnë në dimensionin e tyre qytetarin, interesat e tij, jetën e tij. Kryeministri vuri në dukje faktin se në dekadën e fundit, kryeqyteti, i cili ka një pozicion gjeografik të jashtëzakonshëm, është përballur, në vend të urbanizmit, me betonizimin, i cili gëlltiste hapësirat për qytetarët. “Prandaj Tirana ka nevojë për një koncept të ri urban dhe duhet ta bëjmë atë një qytet të përmasave të qytetarit. Procesi i betonizimit ka krijuar probleme të jashtëzakonshme për qytetarët e Tiranës: si trafik të rënduar, ndotje të madhe, zhdukjen e hapësirave të gjelbra, ndaj uroj dhe shpresoj që kjo konferencë të hedhë dritë dhe të japë drejtimin e duhur për zgjidhje mbi të gjitha këto aspekte”, tha Kryeministri.