Sot paradite, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, kanë marrë pjesë së bashku në çeljen e Panairit “Promovimi i prodhimeve vendase dhe investimeve të huaja”, organizuar nga Dhoma Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, Presidenti i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë, Menderes Kuçi, Presidenti Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, përfaqësues nga Kosova dhe Ulqini, etj.
Duke përshëndetur përurimin e Panairit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, vlerësoi këtë veprimtari të veçantë duke vënë theksin tek rëndësia e prodhimeve vendase dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare-ekonomike, sidomos në kuadrin rajonal të organizimit të panaireve.
Në fund, e mori fjalën Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, dhe njëkohësisht përgëzoi organizatorët kryesorë për ndërmarrjen e kësaj nisme të ekspozimit të produkteve nga më të ndryshme vendase dhe të promovimit të rëndësishëm të tyre edhe përtej kufijve të Maqedonisë.
Më pas, Presidenti Topi dhe homologu i tij, Ivanov, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar shqiptar, ndoqën me një interes të veçantë pavionet dhe stendat me prodhimet e ekspozuara, duke u përshëndetur dhe duke përgëzuar nga afër organizatorët dhe pjesëmarrësit në panair.