English

Presidenti Topi takon Ali Ahmetin kryetar i BDI-së në Maqedoni

Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi dje një takim edhe me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), Ali Ahmeti.

Zoti Ali Ahmeti falënderoi Presidentin Topi për vizitën dhe vëmendjen që u kushton partive politike shqiptare në Maqedoni dhe rolit të tyre në ndërtimin e raporteve sa më efektive e të afërta midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në këtë drejtim, Kreu i BDI-së vuri në dukje rëndësinë që sjell vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit shqiptar në drejtim të konsolidimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, të evidentimit të kontributit të faktorit shqiptar në Maqedoni, si dhe të zbatimit të standardeve evropiane, për të arritur synimin e përbashkët, që sa më parë të jemi pjesë e Evropës së Bashkuar.

Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit shqiptar shkëmbeu mendime me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), Ali Ahmeti, për disa prej zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni, duke theksuar se “palët duhet të tregojnë gjithnjë maturi e veprim politik të përgjegjshëm dhe se forcimi i dialogut politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni do të ndikojë në mënyrë evidente në përballimin e të gjitha sfidave të kohës”.

Gjithashtu, Presidenti Topi dhe Kreu i BDI-së, Ahmeti, ndanë të njëjtat ide lidhur me rëndësinë e zhvillimit të një dialogu të mirëfilltë të partive politike shqiptare edhe me partitë maqedonase, për të bërë përpjekje të përbashkëta për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit si dhe për ndërtimin e të ardhmes së sigurt evropiane të të gjithë rajonit.

Presidenti Topi, së bashku me delegacionin zyrtar, udhëtoi drejt vendlindjes së një prej protagonistëve kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, një prej nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare, dhe Ministrit të Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, Mehmet Pashë Derallës, në fshatin Gradec të Gostivarit, ku vuri një kurorë me lule në nderim të veprës heroike e intelektuale të këtij shqiptari të shquar, që kontribuoi në vënien e themeleve të shtetit shqiptar.

KOMENTE