English

Dita e tokës 22 prill. Gjelbërimi do të dyfishohet në Tiranë brenda 4 vitesh

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha ka shprehur sot në Ditën e Tokës, angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të dyfishuar në katër vitet e ardhshme gjelbërimin në Tiranë dhe për të përfunduar brenda këtij viti investimet e nevojshme për furnizimin me ujë të banorëve të Tiranës. Një nga aktivitetet e organizuara në këtë ditë ishte edhe panairi me materiale të riciklueshme, i hapur në rrugën pedonale "Murat Toptani", që i kushtohet sensibilizimit për mbrojtjen e mjedisit. Ky panair u organizua nga shoqata Eden me mbështetjen e ambasadës Amerikane, asaj Austriake e Bashkisë së Tiranës. Zoti Basha ka bërë të ditur në fjalën e hapjes në këtë panair angazhimet e Bashkisë së Tiranës për një mjedis të pastër.

“Të dyfishojmë gjelbërimin në katër vitet e ardhshme dhe më këtë qëllim Bashkia e Tiranës ka nisur një program intensiv mbjelljesh të pemëve të qytetin tonë, në parkun egzistues dhe po kështu po planifikon hapjen e një parku tjetër të madh, parkut të Paskuqanit në veri të Tiranës. Të kontribuojmë sa më shumë, në pastrimin e ajrit nëpërmjet përdorimit të ndërgjegjshëm të mjeteve të trasportit, përdorimit të makinave personale vetëm atëhere kur janë të domosdoshme, një rikthimi tek ecja, biçikleta e transporti publik. Kjo natyrisht do të thotë domosdoshmëri për investime në këto sektorë, në vijëzimin e rrugëve të biçikletave anë e mbanë qytetit, në përmirësimin e ofertës së transportit publik dhe natyrisht, përmirësimin e lëvizjes së kalimtarëve nepërmjet çlirimit të trotuarëve dhe ndërtimit të atyre ku ato mungojnë tërësisht. Edhe në këtë drejtim, 2012 do të sjellë zhvillime për Bashkinë e Tiranës. Menjëherë pas stabilizimit të parametrave të kohës, ne do të mbajmë një nga premtimet tona të hershme të vijëzimit të rrugëve të biçikletës për çiklistët, në të gjithë gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” dhe do të procedojmë më pas edhe në rrugë të tjera kryesore të kryeqytetit”, tha Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se brenda këtij vitit do të përfundojnë investimet për furnizimin me ujë të qytetarëve të Tiranës dhe njëherësh kërkoi ndërgjegjësim për përdorimin e ujit.

“Po kështu është qëllimi ynë që brenda këtij viti të përfundojmë të gjitha investimet për shpërndarjen e ujit të pijshëm anë e mbanë qytetit të Bashkisë Tiranës, brenda territorit të saj, por bashkë me këtë duhet të vijë ndërgjegjësimi për përdorim me kursim të ujit të pijshëm dhe mos shpërdorimin e tij”, tha Basha.

Kryebashkiaku iu bashkua edhe iniciativës së ndërmarrë nga vullnetarë dhe qytetarë të Tiranës në aktivitet në dobi të mjedisit në zonën e Liqenit, ku gjatë gjithë ditës sot kanë ndërmarrë një numër aktivitetesh si pastrim, mbjellje lulesh, bimësh dekorative si dhe 180 fidanë të rinj të pemëve në këtë park.

“Sot dua të përgëzoj edhe njëherë vullnetarët, qytetarët të cilët kanë marrë pjesë këtu në këtë ngjarje me kohën e tyre, dëshirën e tyre, vetëdijen e tyre, për tu treguar të gjithëve atyre që nuk janë këtu sot, se kjo sfidë e madhe mund të fitohet vetëm kur ne të gjithë bëjmë detyrën tonë, kur secili të bëjë detyrën e tij dhe nuk mund të jetë diçka që trajtohet vetëm nga një institucion apo nga disa institucione. Dua tu falenderoj për punën në mbjelljen e luleve, bimëve dekorative e pemëve dhe tu kujtoj që Bashkia e Tiranës dhe unë jemi të hapur për një parneritet të tillë, jo njëherë në vit por çdo ditë të vitit me të gjithë qytetarët e Tiranës”, u shpreh Basha.


Kreu i Bashkisë z. Basha, ndërsa është bërë dhe vetë pjesë e mbjelljes së fidanëve të rinj dhe bimëve decorative, tha se kjo nismë përkon me angazhimin e Bashkisë për të mbjellë gjatë këtij viti mbi 10 mijë fidanë, si dhe me krijimin e hapësirave të gjelbërta anë e mbanë lagjeve, ku ka hapësira publike të lira, aty ku ka degraduar gjelbërimi i dikurshëm, me qëllimin që gjelbërimi të jetë një realitet i prekshëm anë e mbanë qytetit për qytetarët, jo vetëm në parqet kryesore apo në qendër të Tiranës. Po kështu zoti Basha u ndal edhe në trajtimin e mbetjeve, si një problem në kryeqytet.

“Brenda vitit që vjen, ne do të bëjmë të mundur që trajtimi i mbetjeve në qytetin tonë të bëhet me teknologji më moderne, më bashkëkohore, të riciklohet mbi 40 për qind të asaj që qytetarët e Tiranës hedhin çdo ditë e natë, në mënyrë të tillë që te mos e ndotë ambjentin dhe as të mos kërkojë hapjen e landfilleve të vazhdueshme”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha.

KOMENTE