Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi sot paradite njërën prej figurave më të njohura të sportit të peshëngritjes me një kontribut të çmuar në këtë fushë, duke evidentuar vlerat e rëndësishme njerëzore të dëshirës, vullnetit, pasionit, talentit, por dhe të atdhedashurisë pasi ngriti lart flamurin shqiptar, - kampionin e Evropës në peshëngritje, zotin Erkand Qerimaj, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Në këtë ceremoni dekorimi merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës së sportit, artit e shkencës, trajnerë, peshëngritës, miq e familjarë.
Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kreu i Shtetit i dorëzoi Erkand Qerimajt, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në sportin e peshëngritjes, si fitues i dhjetëra medaljeve ndërkombëtare e shpalljes kampion i Evropës për vitin 2012, duke lartësuar krenarinë kombëtare tek shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit”.
Duke shprehur mirënjohjen e thellë për vlerësimin e lartë nga Presidenti i Republikës, si dhe duke vënë në dukje se ky është dhe një nderim e motivim edhe për të gjithë ata që me përkushtim të veçantë punojnë për të arritur suksese në fushën e bukur, por dhe të vështirë të sportit të peshëngritjes, kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj theksoi: “Në radhë të parë, falënderoj Presidentin e Republikës, për titullin! Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës sot! Jam shumë i nderuar, shumë i emocionuar për vlerësimin dhe për të gjitha sakrificat, për të gjitha mundimet që kam bërë, që po vlerësohen siç duhet. Ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që, do të mundohem në maksimum që të çoj flamurin shqiptar sa më lart përsëri!”