English

Mënyra për krijimin e vezëve të reja tek gratë. Studim shkencor

Studimi më i ri shkencor duket se po hedh poshtë parimin biologjik gjerësisht të pranuar mbi aftësitë riprodhuese femërore dhe se po ngjall shpresa të reja për gratë që kanë vështirësi të mbeten shtatzëna.
Për rreth gjysmë shekulli, gratë besohej të lindnin me një rezervë vezësh të caktuara, të cilat nuk mund të zëvendësoheshin. Në të vërtetë, kjo gjë mendohej të ishte e vërtetë për të gjithë gjitarët deri në vitin 2004, kur studiuesi i Spitalit të Përgjithshëm të Masaçusetsit Jonathan Tilly zbuloi se minjtë femra të rritura mund të prodhonin vezë të reja. Tani, zoti Tilly ka shtrirë punën e tij edhe tek njerëzit.

Zoti Tilly dhe kolegët e tij morën qelizat prej vezoreve njerëzore, duke i kapur mbi një proteinë të veçantë në sipërfaqe dhe kryen prova laboratorike për t’u sigururar që kishin të bënin me qelizat e duhura.

Zoti Tilly thotë se zhvillimi i vezëve në laborator mund të përmirësojë mundësitë për gratë që kryejnë procesin e mbarsjes artificiale – gjatë të cilit vezët e gruas pllenohen në kushte laboratorike dhe më pas rivendosen në mitër për t’u zhvilluar. Por ai thotë se studimi i tij mund të sjellë gjithashtu trajtime të mundshme të aftësive riprodhuese që mund të rrisin mundësitë edhe për metodat më tradicionale.
“Ne ndoshta mund të mendojmë të trajtojmë këto qeliza të vezoreve me hormone që ato pëlqejnë, duke rritur në këtë mënyrë aktivitetin e tyre dhe ndoshta mund të rrisim kështu edhe përmasat e rezervës së qelizave të vezëve në vezore, kur një gjë e tillë do të ishte e dëshirueshme”.
Studimi i mëparshëm i zotit Tilly tek minjtë u prit me mosbesim, dhe ekspertë të pavarur janë të rezervuar edhe ndaj këtij studimi të ri. Ashtu siç ndodh zakonisht në fushën e shkencës, prova e vërtetë mund të vijë atëherë kur studiues të tjerë të përsërisin këto eksperimente.

KOMENTE