English

Metodika kriminalistike si shkencë

Kriminaliteti është dukuri negative shumë komplekse dhe dinamike që u
përshtatet ndryshimeve shoqërore. Prandaj, për luftimin me sukses dhe për
parandalimin e kriminalitetit, përveç tjerash, është e domosdoshme njohja e
fushave të caktuara shkencore, të cilat mundësojnë pasqyrim më të mirë të
këtij fenomeni, në të gjitha format lloj-llojshme dhe komplekse të manifestimit
të tij, si edhe veprimi i suksesshëm në kuptimin e parandalimit dhe
shkatërrimit të tij.
Për kriminalistikën si shkencë ka filluar të flitet më seriozisht në fund të
shekullit 19, gjë që lidhet me emrin e Hans Gross-it. Shumë teoricientë dhe
prakticistë edhe më tutje e konsiderojnë kriminalistikën, para së gjithash, si
shkencë heuristike, ndërsa e nënvlerësojnë karakterin e saj silogjistik. Por,
zanafilla e kriminalistikës vihet gabimisht në lidhjes me Hans Gross-in, sepse
rregullat e kriminalistikës dhe zbatimi i tyre janë krijuar mijëra vite më herët.
Marković, T. Shkruan: “Përcaktimi i identitetit dhe gjurmimit të kryesve të
veprave penale në bazë të përshkrimit të personit është metodë shumë e vjetër.
Përshkrimet e personit në fletarrest janë bërë qysh te egjyptasit e vjetër. Le të
shërbejë si shembull përshkrimi personal në kohën e Ptolomeut (Shekulli XIV
para erës sonë), të cilin e ka publikuar R. Heindl, në veprën e tij «Daktiloskopia»
(1903): „Robi i ri i Aristogenit, biri i Krizapit, përfaqësuesit të Albandes, ka ikur
në Aleksandri. Ai e ka emrin Herman, ndërsa nofkën Hejls. Është i lindur në
Siri, në Bambikou. Është rreth 18 vjeçar, ka shtat mesatar, është qos, këmbët i
ka të rregullta, në mjekër ka një hulli, në anën e majtë të hundës ka një lyth të
rrumbullakët, në këndin e majtë të gojës ka një shenjë djegieje, në dorën e
djathtë ka një tatuazh me shkronja barbare“. Hans Gross, në „Doracak për
gjyqtarët hetues“ (Grac, 1893), i ka përfshirë këto rregulla në përmbajtjen e
tërësisë. Ç' është e vërteta, ai ia ka shtuar këtij titulli fjalët „si përmbajtje e
kriminalistikës“ në vitin 1899.
Shkenca ka rol të jashtëzakonshëm në luftimin e kriminalitetit. Pa të nuk
do të mund të arriheshin kurrfarë rezultatesh në luftimin e kriminalitetit të
organizuar dhe kriminalëve të përgatitur e të pajisur mirë, të cilët i shfrytëzojnë
të arriturat shkencore e teknike për kryerjen e veprave penale.
Shfrytëzimi i arritjeve shkencore për luftimin e kriminalitetit sot është
praktikë pothuaj në të gjitha vendet. Kushtet në të cilat veprojnë sot organet e
zbulimit dhe ndjekjes kërkojnë, para së gjithash, kuadër me përgatitje të lartë
profesionale dhe të pajisur mirë me mjete teknike. Ky kuadër, ndër të tjera,
duhet të ketë njohuri për një gamë të gjerë të disiplinave shkencore e, para së
gjithash, për shkencën e kriminalistikës.
Kriminalistikë, si disiplinë e pavarur shkencore, ka rëndësi të veçantë për
zbulimin e kriminalitetit. Kjo është shkencë që zbulon, perfeksionon dhe zbaton
metodat dhe mjetet më të përshtatshme shkencore dhe të bazuara në përvojën
profesionale për të zbuluar dhe shpjeguar veprat penale, për të zbuluar dhe për
të kapur kryesit e tyre, për të siguruar dhe fiksuar dëshmitë dhe për të
parandaluar kryerjen e veprave penale.
Kriminalistika, si disiplinë shkencore e pavarur dhe e veçantë, ndahet në:
taktikën kriminalistikë, teknikën kriminalistike dhe metodikën
kriminalistike.
Taktika kriminalistike studion, përpunon dhe perfeksionon rregullat
themelore dhe metodat vepruese të cilat janë tipike për zbulimin dhe sqarimin e
të gjitha llojeve të veprave penale, si edhe për parandalimin e veprave penale
në të ardhmen. Taktika kriminalistike përpunon dhe avancon edhe parimet
themelore për zbulimin, gjetjen dhe kapjen e kryesve të veprave penale, si edhe
për zbatimin e disa veprimeve hetimore.
Teknika kriminalistike studion dhe zbaton metodat dhe mjetet më të
përshtatshme nga fusha e shkencave natyrore e teknike. Me ndihmën e këtyre
metodave dhe mjeteve gjenden, sigurohen, fiksohen dhe shpjegohen gjurmët
dhe mjetet e veprave penale (dëshmitë materiale), në mënyrë që të shpjegohen
rrethanat e rëndësishme për ndriçimin e veprave penale dhe për identifikimin e
kryesve të tyre ose të personave tjerë (viktimave). Ajo studion gjithashtu
metodat dhe mjetet teknike për parandalimin e kryerjes së veprave penale.
Metodika kriminalistike, si pjesë e veçantë e taktikës kriminalistike,
studion format dhe mënyrat e kryerjes së veprave penale (teknikën dhe taktikën
e delikuecës) dhe përcakton mënyrat dhe metodat më gjithëpërfshirëse për
zbulimin, sqarimin dhe parandalimin e kryerjes së disa veprave penale.
Nga përvoja dihet se veprat penale kryhen në mënyra të ndryshme. Format e
veprave penale dhe metodat e punës së kriminelëve ndryshojnë vazhdimisht, zbatohen
mjetet dhe metoda të ndryshme, si për kryerjen e veprave penale ashtu edhe për
fshehjen e tyre. Prandaj, çdo vepër penale, sado që të ngjasojë me ndonjë vepër tjetër
penale, i ka edhe specifikat e saj. Kështu, për shembull, deliktet e gjakut, deliktet
seksuale, deliktet e pronës, zjarrëvëniet dhe disa vepra penale të këtij grupi kanë një
sërë specifikash, në kuptimin e mënyrës së kryerjes, gjurmëve që i shoqërojnë dhe
masave operativo-taktike që duhet të ndërmerren me qëllim të shpjegimit të tyre dhe
sigurimit të dëshmive adekuate. Për këtë arsye, në taktikën kriminalistike nuk
ekzistojnë dhe mund të ekzistojnë kurrfarë skemash as rregullash të përhershme, të
cilat do të mund të zbatoheshin në secilin rast individual dhe të cilat do të çonin
patjetër te suksesi.
Metodika kriminalistike është tërësi e të gjitha njohurive kriminalistikoteknike
e taktike dhe zbatimi i tyre efektiv për zbulimin dhe sqarimin e disa
veprave penale. Metodika është kriminalistikë e specializuar, për të cilën janë
të rëndësishme dallimet, veçantitë dhe detajet. Ajo nuk merret me atë që është
e përbashkët dhe e përgjithshme për vepra të ndryshme penale. Ajo është
shumë më konkrete. Ajo bën lidhjen organike të mënyrave teknike dhe taktike
të punës, gjen dhe përcakton mënyrat dhe metodat më të përshtatshme që
duhet të zbatohen për të zbuluar veprën penale dhe kryesin e saj, për të
mbledhur dhe siguruar dëshmitë adekuate dhe për të përcaktuar të vërtetën.
Ajo përbën zbatimin e njohurive të përgjithshme kriminalistike.
Për dallim nga “Taktika kriminalistike” (pjesa e përgjithshme), mësimi i së
cilës ka tashmë forma të vendosura e të qëndrueshme, “Metodika
kriminalistike” i nënshtrohet ndryshimeve të përhershme. Ajo zhvillohet dhe
pasurohet vazhdimisht me njohuri të reja, të cilat e pasurojnë dhe detajojnë
kriminalistikën në tërësi.
Pra, lëndë e metodikës kriminalistike është hulumtimi i formave dhe
mënyrave të kryerjes së disa veprave penale (taktikës dhe teknikës së
delikuencës), studimi i praktikës dhe përvojës për parandalimin dhe
shkatërrimin e kriminalitetit dhe gjetja e metodave më të përshtatshme për
parandalimin dhe shkatërrimin e disa veprave penale.
3. METODAT E METODIKES KRIMINALISTIKE
Për të formësuar sistemin e mënyrave dhe metodave zbatimi i të cilave do
të siguronte zbulimin me sukses të veprave penale dhe kryesve të tyre, gjetjen
dhe sigurimin e dëshmive përkatëse dhe një efikasitet më të madh në
shkatërrimin e kriminalitetit janë të nevojshme:
a) studimi i formave manifestative të veprave penale (teknika dhe taktika e
delikuencës) dhe format manifestative jetësore të kryesve të veprave
penale ((kriminografia);
b) studimi i praktikës dhe përvojës në shkatërrimin e kriminalitetit, gjegjësisht
të disa veprave penale, nga ana e personave zyrtarë të autorizuar dhe
organeve të drejtësisë, si dhe
c) përshtatja e njohurive të shkencave natyrore e teknike me nevojat e hetimit
të veprave penale.
Me hulumtimin e formave të manifestimit të veprave penale në një
hapësirë të caktuar dhe në një kohë të caktuar përcaktohen objektet e sulmit,
ku dhe si është kryer sulmi, kush, si dhe përse e ka kryer sulmin, cilat metoda
de cilat mjete i ka përdorur kryesi gjatë përgatitjes, kryerjes dhe fshehjes se
veprës penale, hilet që bëhen më së shpeshta, ku dhe në çfarë forme mbeten
gjurmët e kryesit të veprës penale, në çfarë mënyre manifestohen pasojat
materiale të veprës penale, çka e mundëson dhe çka e lehtëson kryerjen e
veprave penale, si edhe faktet dhe rrethanat tjera relevante.
Por, mbi të gjitha, nuk guxon të hiqet nga mendja fakti se kriminaliteti
është dukuri shumë dinamike, e përshtatur me ndryshimet dhe lëvizjet
shoqërore, se format e veprave penale, metodat e veprimit të kriminelëve dhe
rrezikshmëria e disa objekteve ndryshon në kohë dhe se gati përditë hasim me
forma të reja, më perfide e më të përhapura të krimeve. Kjo është karakteristike
për deliktet në fushën e kriminalitetit ekonomik dhe për disa delikte të rënda
nga fusha e të ashtuquajturit kriminalitet klasik.
Metodika kriminalistike duhet të përcjellë në mënyrë konstante e
sistematike dhe të studiojë format e veprave penale, të marrë nga përvojat e reja
dhe, në pajtim me dukuritë e reja, të nxjerrë metodat më të përshtatshme për
shkatërrimin e kriminalitetit. Ajo duhet të zhvillohet, të pasurohet dhe të
modifikohet vazhdimisht me përvoja të reja. Ajo duhet të jetë azhure. Ky është
imperativ i çastit dhe kohës në të cilën jetojmë dhe punojmë.
Studimi praktikës gjyqësore, praktikës dhe përvojave të personave
zyrtarë të autorizuar në shkatërrimin e kriminalitetit dhe analizat e rasteve të
veçanta (që prej momentit të njoftimit për veprën penale e deri te vendimi
përfundimtar i gjykatës) mundëson zbulimin e anëve pozitive dhe anëve
negative të punës, në bazë të të cilave mund të arrihet deri te mënyrat dhe
metodat më të drejta dhe me efikase të punës në zbulimin, ndriçimin dhe
dëshmimin e veprave penale. Nga qindra e mijëra vjedhje, mashtrime, vrasje,
dhunime, vjedhje xhepash, keqpërdorimesh, plaçkitjesh, falsifikimesh, etj.
merren ato që janë konstante dhe që është dëshmuar se janë më efikaset në
zbulimin dhe ndriçimin e këtyre veprave penale; bëhet përgjithësimi dhe
formulohen rregullat e veprimit, gjithnjë derisa jeta dhe praktika nuk e bëjnë të
domosdoshëm modifikimin e mënyrave dhe metodave të reja.
Shekulli 21 është shekull i të arriturave të jashtëzakonshme në
shkencat natyrore e teknike. Sukseset e mëdha në fushën e shkencave
natyrore e të tjera kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në formën e jashtme të
kriminalitetit, sepse kriminelët, sidomos të kthyeri, kanë filluar të zbatojnë të
arriturat më të reja shkencore e teknike. Në Francë, një kriminel e ka studiuar
me vite kiminë dhe kishte bërë edhe doktoratë vetëm për të përdorur sa më me
sukses helme të ndryshme, me qëllim që të helmonte viktimat e veta, të cilat i
siguronte paraprakisht. Madje as pas obduksionit nuk është arritur në
përfundim se viktimat ishin të helmuara me qëllim. Ai është zbuluar vetëm pasi
është konstatuar se ka paguar shpesh shuma parash për sigurim dhe, pasi
është arrestuar, i ka pranuar krimet e kryera. Për të kthyerit dhe për kriminelët
profesionistë është karakteristikë edhe ajo se ata i zgjedhin me kujdes objektet
e sulmeve dhe se përpiqen të mos lënë gjurmë që mund t’i zbulojë se kanë kryer
vepër penale.
Por, të arriturat shkencore shfrytëzohen edhe për aktivitete ushtarake,
informative dhe subversive. Në grumbullimin dhe sistemimin e të dhënave
informative, sot është angazhuar shkenca dhe të arriturat më bashkëkohore
shkencore në fushën e fizikës bërthamore, elektronikës, kibernetikës dhe
astronautikës.
Kjo krijon vështirësi serioze në punën e zbulimit të veprave penale,
grumbullimin e të dhënave, shpjegimin e rasteve konkrete dhe gjetjes dhe
vërtetimit të së vërtetës.
Për tejkalimin e këtyre vështirësive dhe të tjerave që dalin nga format e
ndryshme të kryerjes dhe fshehjes së veprave penale, kriminalistika shërbehet
me njohuritë dhe metodat e shumë shkencave natyrore dhe teknike. Kështu,
me zhvillimin e kimisë janë zbuluar mjete dhe metoda për gjetjen e gjurmëve të
gishtërinjve (linjave papilare) edhe ne letrën e gazetës, në tekstil, në lëkurë, si
dhe në sipërfaqe të ngjyrosura e të tjera në të cilat është besuar se nuk mund
të gjendet gjurmë të linjave papilare. Elektronika ka bërë të mundur
konstruktimin e kompjuterit që mundëson gjetjen dhe shfrytëzimin shumë të
shpejtë të të dhënave të caktuara, të cilat gjenden në evidencat kriminalistike
dhe evidencat tjera operative.
Por, kriminalistika nuk e bën këtë në mënyrë të verbër e mekanike, por
vetëm pasi t’i ketë përpunuar dhe përshtatur në mënyrë bazike metodat e
marra me detyrat dhe nevojat e procedurës penale. “Kriminalistika huazon,
përshtat dhe zbaton metodat e shkencave natyror”. Prandaj, metodat
kriminalistike që janë marrë nga shkencat tjera (p.sh. biologjia), nuk
konsiderohen më metoda të këtyre shkencave.
Por, kriminalistika nuk është vetëm shfrytëzues pasiv i metodave të
shkencave natyrore. Ajo i nxit hulumtimet shkencore për nevojat e veta.
Kështu, nevoja për identifikimin e gjurmëve të gjakut, sekrecioneve, qimeve,
etj., ka nxitur hulumtime të reja në fushat përkatëse të mjekësisë. Nevojat për
testimin e letrës, ngjyrës, etj. për qëllime kriminalistike kanë nxitur hulumtime
në fushën e fizikës dhe të kimisë, etj.
Në metodikën e zbulimit, sqarimit dhe dëshmimit të disa llojeve të veprave
penale, përveç mësimeve të teknikës dhe taktikës kriminalistike, vjen në
shprehje të plotë edhe zbatimi i gjithanshëm i njohurive të mjekësisë ligjore,
psikologjisë penale dhe psikologjisë kriminale. Është i pasaktë botëkuptimi se
metodika nuk guxon të përpunojë faktet të cilat studiohen nga këto disiplina
ndihmëse të kriminalistikës. Në metodikën kriminalistike këto metoda
detyrimisht e plotësojnë njëra tjetrën, por gjithnjë nga një këndvështrim i
veçantë metodik.
Ndonëse ende ka ndonjë skeptik, kriminalistika sot konsiderohet disiplinë
shkencore. Kjo bazohet në faktin se ajo ka strukturën e saj metodologjike,
nëpërmjet së cilës observon në mënyrë kritike rregullat ekzistuese
kriminalistike (de lege lata), dhe i sistemon e i analizon ato. Përveç kësaj, ajo i
formëson dhe i definon parimet dhe institutet e kriminalistikës dhe propozon
ndryshime (de lege ferenda) varësisht prej zhvillimit aktual dhe i zhvillimit të
ardhshëm të kriminalitetit. Duke përcaktuar raportet reciproke të përmbajtjes
së vet si rregulla mbi zbulimin (aspekti heuristik) dhe argumentimin (aspekti
silogjistik) të veprave të dënueshme, shkenca kriminalistike shfrytëzon nocionet
dhe termet të cilat i ka krijuar në gjirin e vet (terminologjia kriminalistike) dhe i
kontribuon shpjegimit të rregullave të veta dhe zbatimit adekuat të tyre. Kur
flitet për kriminalistikën, mund të flitet për shkencën kriminalistike në
kuptimin e ngushtë, për teorinë dhe dogmën kriminalistike, e cila me
autoritetin e vet dhe mbështetjen shkencore bëhet burim i domosdoshëm dhe i
pashmangshëm për zbatimin e kriminalistikës. Teoria dhe praktika
kriminalistika plotësohen reciprokisht dhe kontribuojnë bashkërisht për
kryerjen e detyrave kriminalistike (in ultima linea), parandalimin dhe
shkatërrimin e kriminalitetit.
Kriminalistika, si disiplinë shkencore, sot i kalon kufijtë nacional sepse
universaliteti i bazave dhe parimeve të saj shkencore, metodave të saj
komparative dhe historike i japin asaj karakter ndërkombëtar dhe universal.
Kriminalistika vepron edhe nga pozita e pavarësisë së saj shkencore dhe
vështrimit kritik të të gjitha të dhënave kooperative dhe njohurive shkencore që
janë të varura nga rrethanat konkrete në një shtet të caktuar. Për këtë arsye
kriminalistika si disiplinë shkencore, është internacionale, universale dhe e lirë
të vlerësojë në mënyrë optimale. Nga sa u tha del se rregullat kriminalistike
nuk dallojnë shumë nga vendi në vend, nëse megjithatë dallojnë.
Në punën e tyre të përditshme kriminalistët hasin në kultura, mënyra të
jetesës, mentalitete, religjione, bindje të ndryshme, etj. Gjatë zbatimit të
rregullave të kriminalistikës kërkohet neutralitet etnik, religjioz, kulturor,
politik dhe social. Prandaj strategjitë kriminalistike kërkojnë ndryshime të
metodave të luftës kundër kriminalitetit. Disa vende, për ruajtjen e sigurisë së
tyre të brendshme duhet të respektojnë kulturat e ndryshme juridike e të
sigurisë. Për këtë qëllim ato duhet të t’i kushtojnë rëndësi planeve dhe
programeve mësimore të fakulteteve në të cilat studiohet shkenca
kriminalistike.

4. NJOHJA E METODIKËS KRIMINALSTIKE DHE DISIPLINAVE
SHKENCORE

Kriminaliteti është dukuri negative shoqërore shumë komplekse. Për
parandalimin dhe shkatërrimin e kësaj dukurie është e domosdoshme njohja e një
rrethi të gjerë disiplinash shkencore. Përveç kriminalistikës në përgjithësi,
personat zyrtarë të autorizuar duhet të kenë njohuri bazike edhe për disiplinat
tjera shkencore të cilat merren me kriminalitetin. Është e paimagjinueshme që një
person zyrtar i paautorizuar ose një jurist që punon në organet e drejtësisë. Të
kryejnë me sukses punët e tyre, nëse nuk kanë njohuri themelore kriminalistike,
kriminologjike ose juridike.
Orientimi i përgjithshëm shkencor, koha në të cilën jetojmë, rritja e
recidivizmit dhe profesionalizimit, internacionalizimi i kriminalitetit, etj. kërkojnë
që për shkatërrimin e kriminalitetit më shumë se kurrë deri më sot shfrytëzohen
mundësitë dhe njohuritë shkencore të kriminalistikës dhe disiplinave tjera
shkencore që merren me kriminalitetin.
Për fitimin e njohurive të reja dhe për zgjerimin e tyre është e nevojshme një
punë e vazhdueshme, sistematike dhe këmbëngulëse, si edhe një përpjekje e
theksuar intelektuale. Zgjerimi dhe thellimi i vazhdueshëm i njohurive, si taktike e
metodike kriminalistike, ashtu edhe teknike kriminalistike, gjegjësisht njohurive
kriminalistike në përgjithësi, është garanci për punën e suksesshme në zbulimin e
veprave penale dhe të kryesve të tyre, pra edhe në shkatërrimin e kriminalitetit.
“Kriminalisti duhet t’i njohë metodat dhe mjetet teknike e taktike, sepse
ndryshe ai as që nuk mund të jetë kriminalist. Në të kundërtën ai pothuaj do të
ngjasonte me një penalist prakticist që i njeh dispozitat e përgjithshme të kodit
penal, por nuk e njeh pjesën e tij të veçantë dhe e kundërta”.
Mirëpo, ekzistojnë mendime dhe besime se kriminalistika, sidomos taktika
dhe metodika kriminalistike, nuk duhet të mësohen as në mënyrë sistematike dhe
as në mënyrë teorike sepse njohuritë e këtyre disiplinave shkencore “fitohen vetëm
në praktikë”. Kjo pikëpamje është e gabueshme dhe e papranueshme, sepse
ekzistojnë një sërë arsyesh që e kundërshtojnë atë. Këto pikëpamje e hedhin
poshtë edhe shumë autorë. Mund të përmenden një sërë arsyesh që nxjerrin në
shesh nevojën për mësimin sistematik të taktikës dhe metodikës kriminalistike.
Për shkak se metodika kriminalistike është pjesë e veçantë e taktikës
kriminalistike. Për shkak se me këtë pikëpamje nuk pajtohen të gjithë
kriminalistët, do të përmendim disa prej arsyeve:
1. Hetuesi (prokurori, gjykatësi, kriminalisti) mund të njohë “apriori”
rregullat e taktikës kriminalistike. Para së gjithash ai duhet t’i mësojë
ato e pastaj t’i thellojë dhe eventualisht t’i përparojë gjatë përvojës së
tij.
2. Mësimi nga përvojat vetjake është i ngadalshëm dhe si rregull, lidhet
me një sërë lëshimesh dhe gabimesh të bëra.
3. Njohuritë dhe përvojat e kriminalistëve më të vjetër dhe më të aftë,
duhet të bëhen pronë e përbashkët në mënyrë që të përdoren për
shtimin e efikasitetit të luftës kundër kriminalitetit.
4. Shoqëria është jetësisht e interesuar për zbulimin e veprave penale,
prandaj kjo nuk mund t’i lihet rastit ose aftësisë dhe gjeturisë së
ndonjë hetuesi për të zbuluar veprat penale. Nuk mund të lejohet që
efikasiteti i luftës kundër kriminalitetit të varet nga aftësitë ose
paaftësitë e hetuesit, i cili beson se mund të arrijë njohuritë e
nevojshme përvoja e tij në ndriçimin e veprave penale.
5. Pasqyrimi i veprave penale të zbuluara dhe kryesve të tyre të gjetur,
sipas rregullit është i logjikshëm dhe i kuptueshëm. Por, në momentin
që njoftohemi për ndonjë ngjarje kriminale ajo është shpesh e
mjegulluar dhe e pakuptueshme, ndërsa ndriçimi i saj varet pikërisht
nga aftësitë e hetuesit. Shembujt e gabimeve për shkak të të cilave
kanë dështuar disa hetime janë të shpeshta dhe lënë pasoja të rënda,
prandaj nuk mund të kalohet lehtë çështja e aftësisë së kriminalistëve
që kanë për detyrë të kryejnë procedurën penale.
6. Të mirat të cilat rrezikohen nga veprat penale (nderi, liria dhe jeta e
individit apo siguria e shoqërisë) janë vlera kulmore, kështu që ato nuk
mund të mbrohen pa njohuri të mëdha dhe përvoja të caktuara të
kriminalistit.
Arsyet që i përmendëm janë shumë bindëse. Madje edh përvojat e
deritashme në botë dëshmojnë se nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë të
suksesshme kundër kriminaliteti pa një mbështetje të fuqishme në rezultatet
shkencore e teknike, pa shfrytëzimin sistematik dhe te organizuar të
njohurive të disiplinave shkencore dhe pa punë të vazhdueshme në ngritjen e
nivelit profesional të kriminalistëve që punojnë në këto punë shumë delikate.
Është evidentë që kriminalistët dhe zyrtarët e organeve të drejtësisë që
angazhohen në luftën kundër kriminalitetit nuk mund t’i kryejnë detyrat
komplekse dhe me përgjegjësi të lartë të cilat iu janë besuar nëse nuk
punojnë në mënyrë të vazhdueshme e sistematike në ngritjen e tyre
profesionale dhe nëse nuk zgjerojnë dhe nuk thellojnë njohuritë e tyre. Puna
në aftësimin profesional është proces i vazhdueshëm i cili nuk mbaron me
përfundimin e një fakulteti, një shkolle apo një kursi disa mujorë. Por, duhet
të vazhdojë gjatë gjithë viteve të punës. Kështu, nëse dëshirojmë të bëjmë
përparim progresiv të zyrtarëve të autorizuar dhe të cilit do zyrtarë tjetër,
përveç shkollimit të rregullt dhe punës individuale në ngritjen profesionale,
në nivele të ndryshme duhet të zhvillohen gjithnjë e më shumë forma të
ndryshme të organizuara të punës për ngritjen profesionale, siç janë: kurset
disa mujore, seminaret, studimet postdiplomike, doktoratat, etj. ky është një
parakusht i rëndësishëm i kryerjes me sukses të detyrave që u besohen nga
shoqëria personave të autorizuar.
(Prof. Syle Dobroshi)

KOMENTE