English

Nuk ka shoqëri demokratike dhe nuk ka drejtësi sociale, pa zgjidhur çështjet e pronës

Kryetarja e grupit të Punës për Pronat ka bërë publik faktin se tryezat e Programit “Për një Rilindje Shqiptare” do të shtrihen tashmë në çdo rreth. Kjo është një fazë e dytë për hartimin e dokumentit themelor të socialistëve. Sipas Qatos PS do t’i japë zgjidhje të guximshme problemit të pronësisë në vend, pasi siç thotë ajo nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka shoqëri demokratike dhe nuk ka drejtësi sociale në këtë vend pa zgjidhur çështjet e pronës.

Deklarata e Kryetares së Grupit të punës të kapitullit të Programit për Pronat, Merita Qato:

Partia Socialiste në rrugën e Programit “Për një Rilindje Shqiptare” ka zhvilluar deri tani 18 tryeza, ku një prej tyre ka qenë dhe tryeza për pronat. Në këtë tryezë janë bërë konstatime në lidhje me problemet për çështjet e pronësisë si dhe janë propozuar zgjidhje. Zgjidhja e problemit të titujve të pronësisë dhe sigurisë së këtyre titujve është një nga çështjet më të rëndësishme që qëndrojnë në themel të të katër shtyllave të “Rilindjes Shqiptare”. Nuk ka zhvillim ekonomik pa u zgjidhur çështja e pronës, dhe PS ka marrë përsipër ta zgjidhë atë.

Nuk ka qetësi sociale, pa u zgjidhur çështja e pronës dhe PS me Programin e saj ka marrë përsipër për ta zgjidhur atë. Nuk ka një shoqëri demokratike dhe shtet ligjor nëse nuk luftohet korrupsioni dhe nuk shkon prona te i zoti. Po ashtu një nga 12 rekomandimet e Bashkimit Europian për vendin është zgjidhja e problemit të pronës. Çështja e pronësisë e cila prek të katër shtyllat e programit të PS, do të vijojë të diskutohet në të gjithë Shqipërinë. Duke i zhvendosur këto tryeza në rrethe të ndryshme të vendit ku problemet e pronësisë janë shumë të mprehta, konkrete dhe jo rrallë kanë shkaktuar konflikte sociale.

Grupi i punës për çështjet e pronës do të paraqesë një draft të Programit duke dashur të tërheqë mendimin e grupeve të interesit, por edhe të individëve të cilët kanë interesa direkte për problemet e pronësisë. Drafti i Programit propozon zgjidhje për çështjet më të prekshme, siç janë kthimi i pronës, legalizimet, regjistrimi i pasurive të paluajtshme, komisionet e titujve të pronësisë, pasuritë e paluajtshme, si dhe gjithë problematikën në lidhje me këtë çështje. Partia Socialiste në çdo hap të rrugës së Programit për Çështjet e pronësisë do ta bëjë në transparencë të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit ndaj i fton ata të jenë kontributorë dhe faktorë të rëndësishëm në këtë proces për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike sa shqetësuese aq edhe madhore për integrimin e vendit.

KOMENTE