Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, se bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, është nisur për një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të Presidentit të “Cambridge Union Society”, zotit Majkëll Blek.
Me këtë rast, Presidenti Topi do të zhvillojë takime me Presidentin e “Cambridge Union Society”, zotin Majkëll Blek, dhe me drejtues të tjerë të Unionit universitar, profesorë e shkencëtarë të shquar britanikë, pedagogë e studentë të shumtë, ku do të diskutohet për çështje të arsimimit universitar e pasuniversitar dhe të përparimeve të studimeve të sotme shkencore, si dhe për tematika mbi vlerat e mësimdhënies në shkolla publike e jopublike dhe strategjitë e përgatitjes sa më mirë të studentëve për jetën profesionale, etj.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi do të njihet nga afër me historikun e themelimit të Unionit “Cambridge Union Society”, nga më të vjetrit dhe më prestigjiozët në botën akademike dhe njëkohësisht njërës prej organizatave më të gjera studentore të Universitetit të Kembrixhit. Në auditorët e këtij universiteti kanë mbajtur ligjërata në periudha delikate e të rëndësishme historike të vendeve tyre, disa prej udhëheqësve e politikanëve më të shquar, që nga Kryeministri britanik Uinston Çurçill dhe Presidenti amerikan Ruzvelt gjatë Luftës së Dytë Botërore, Presidenti amerikan Regan në fund të Luftës së Ftohtë, në vitin 1990, Kancelari Helmut Kohl menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë, Dalai Lama për pavarësinë e Tibetit dhe kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut, Leh Valesa, udhëheqësi i Lëvizjes ‘Solidarnosh” dhe ish-presidenti i Polonisë, e deri së fundmi Presidenti i parë i zgjedhur i Irakut, Xhalal Talabani, mbi shpresën e tij për të ardhmen e vendit.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, si i ftuar i veçantë i “Cambridge Union Society”, do të mbajë një ligjëratë të rëndësishme për situatën aktuale në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore. Kreu i Shtetit shqiptar pritet të ketë edhe një takim me bashkësinë shqiptare në Londër.