English

Fatos Nano ka ngjitur shkallët e selisë rozë (VIDEO)

Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist patën sot në selinë rozë një takim me zotin Fatos Nano. Dy përfaqësuesit më të lartë socialistë kanë dëgjuar me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’u përcillte zoti Fatos Nano, lidhur me platformën e tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës mbi palët e jashtë palëve politike.

Nga ana e tyre ata i kanë thënë zotit Fatos Nano se Partia Socialiste synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për t’i dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. Për Partinë Socialiste është shumë e qartë se nga një proces sa më gjithëpërfshirës duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës.

Prandaj edhe Partia Socialiste do të kontribuojë për këtë proces të domosdoshëm duke vënë mbi gjithçka interesin e vendit. Partia Socialiste do të aktivizohet së shpejti publikisht përmes kryetarit të saj Edi Rama dhe drejtuesve të tjerë të mandatuar nga forumi më i lartë i PS, për të komunikuar drejtpërdrejt me palët e tjera parlamentare pa dallim.

Qëllimi i këtij komunikimi do të jetë eksplorimi i të gjitha mundësive për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës.
914

KOMENTE