English

Ndryshime në ligjin e tokave. A do të marrin tapi kush ka ndryshuar vendbanim?

Ndryshimet lidhur me ligjin për titujt e pronësisë, personave të cilët e kanë tokën bujqësore në përdorim me ligjin 8053 që prej vitit 1994, ka ndezur debat mes deputeteve. Opozita e konsideroi këtë ligj si të parealizueshëm, pasi nxit konflikt mes pushtetit vendor dhe atij ekzekutiv. “Nuk mundet dot që komuna ose bashkia të japë tituj pronësie, bie në kundërshtim me ligjin për pushtetin vendor. Nga ana tjetër është e paverifikueshme se kush e ka patur për 15 vjet tokën në përdorim kështu që ky ligj po fal tokë vetëm për efekt elektoral” është shprehur Blendi Klosi. Ndersa Jemin Gjana shprehet se: “Ligji i jep të drejtë të kenë çertefikatë pronësie personave të cilët e punojnë tokën dhe nuk kanë marrë çertefikatë për shkak të avarive që ka patur proçesi dhe e zgjidh njëherë e mirë çështjen e titujve të pronësisë.” Nga ana tjetër partia Republikane edhe pse pjesë e mazhorancës e ka kundërshtuar këtë ligj. Sipas saj shteti shqiptar është duke i dhënë tituj pronësie individëve të cilët nuk janë banorë të zonës por përdorin tokë qe e kanë përfituar pasi kanë qënë punonjës të ndërmarrjeve bujqësore. Bëhet fjalë për afërsisht 1500 hektarë tokë që shteti do t’ia shpërndajë personave të cilët e përdorin tokën bujqësore, por në ligj nuk shprehen qartë kriteret për marrjen e titullit të pronësisë, gjë e cila mund të lerë vend për abuzime.

Të gjithë ata që kanë marrë një sipërfaqe toke në përdorim në fillim të viteve ‘90 por që kanë ndryshuar vendbanimin e tyre gjatë viteve të mëpasshme, nuk do të mund të përfitojnë nga ndryshimet ligjore që po miratohen në Kuvend. “Përdorues i tokës bujqësore, në kuptim të këtij ligji, do të konsiderohen familjet bujqësore apo individët që janë banorë të komunës apo bashkisë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe, në asnjë rast, nga 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore”, – përcakton ligji. Nga ky kufizim pritet të preken shumë persona dhe familje, të cilat kanë ndryshuar vendbanimin gjatë këtyre dy dekadave. Aq më tepër kur fillimi i viteve ’90 ishte edhe periudha e lëvizjeve të mëdha demografike që karakterizuan vendin në atë periudhë. Krahas kësaj, nisur edhe nga mënyra se si është formuluar neni i mësipërm, ata që kanë marrë tokë në përdorim por kanë lëvizur më pas nuk kanë më mundësi të kthehen përsëri me gjendje civile në komunën apo bashkinë e mëparshme qoftë edhe me qëllim përfitimin nga ky ligj.

Pas hyrjes së ligjit në fuqi dhe nxjerrjes së udhëzimeve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, të gjithë pronarët e sipërfaqeve të tokës që për arsyet në fjalë nuk kanë dokumente për pronësinë mbi të, duhet t’u drejtohen komunave dhe bashkive me kërkesë për të marrë Aktin e Dorëzimit të Tokës në Pronësi. Dhënia e tij kalon nëpër një serë procedurash, të cilat fillojnë dhe mbarojnë nga këshillat e komunave dhe bashkive. Pas kërkesës këshillat e komunave dhe bashkive bëjnë vetë nga ana e tyre verifikimet nëse sipërfaqja për të cilën bëhet fjalë është apo jo në përdorim të pretenduesit. Më pas e dorëzojnë kërkesën për të bërë verifikimet e mësipërme në Drejtoritë e Administrimit të Tokës Bujqësore në qark.

Këto të fundit do të bëjnë verifikimet dhe nëse toka nuk është në proces legalizimi; nuk ka kaluar në fondin për kompensimin fizik të pronës; nuk është miratuar ndonjë projekt nga qeveria mbi të; nuk ka pretendime të tjera mbi të etj., dhe do të miratojnë dhënien e aktit të dorëzimit. “Aktet e marrjes së tokës në pronësi, të përfituara nga familjet bujqësore apo individët, pa pasur më parë Akt të Marrjes së Tokës në Përdorim, apo duke patur Akt të Marrjes së Tokës në Përdorim, të lëshuar pas shkurtit të vitit 1996, si dhe që plotësojnë të gjitha kushtet e tjera të legjislacionit të kohës, do të konsiderohen të vlefshme”, – përcakton ligji. Pasi të marrë vërtetimin, përdoruesi i tokës ka të drejtë që të shkojë tek Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të nxjerrë tapinë e saj.

KOMENTE