English

Presidenti Topi takon bashkësinë shqiptare në Londër

Në përfundim të vizitës së punës në Mbretërinë e Bashkuar, ku mbajti edhe një ligjëratë në Universitetin e Kembrixhit, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacionin zyrtar zhvilloi një takim të ngrohtë e të përzemërt edhe me përfaqësues të bashkësisë dhe shoqatave të ndryshme shqiptare në Londër.

Gjatë këtij takimi të zhvilluar në mjediset e Ambasadës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, Kreu i Shtetit vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat janë konsoliduar gjatë dekadave të fundit edhe në saje të rolit të rëndësishëm që kanë luajtur përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në vendin e partnerit dhe aleatit tonë strategjik. Në këtë kuadër Presidenti Topi çmoi veprën dhe punën e përfaqësuesve të diasporës shqiptare, të cilët janë shndërruar në ambasadorë të vërtetë duke ngritur lart e mbushur me krenari gjithë kombin shqiptar në këtë përvjetëror të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë.

Përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare vlerësuan rolin e luajtur nga Presidenti Topi në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin si përfaqësues i unitetit të popullit duke shprehur njëkohësisht edhe mirënjohjen për vëmendjen e vazhdueshme që Kryetari i Shtetit shqiptar u kushton shqiptarëve kudo ku studiojnë, jetojnë e punojnë.

Presidenti Topi bashkëbisedoi ngrohtësisht me bashkatdhetarët e pranishëm duke u përgjigjur e diskutuar për çështje të ndryshme si vota e emigrantëve lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi ku Kryetari i Shtetit dhe njëkohësisht edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë theksoi domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, si dhe për probleme të tjera me të cilat përballen emigrantët, për situatën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, e në mbarë rajonin, duke i siguruar për vëmendjen e veçantë e të vazhdueshme të shtetit dhe institucioneve shqiptare për shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë.

KOMENTE