Kryeministri Berisha është pritur në takim, nga Kryetari i Kongresit të SHBA-së, John Boehner.
Zoti Boehner i shprehu Kryeministrit kënaqësinë për këtë vizitë në SHBA dhe në Kongres, si dhe interesin për zhvillimet dhe reformat në Shqipëri.
Kryeministri Berisha, duke e falenderuar zotin Boehner për pritjen, e njohu me reformat dhe arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, në atë politike, në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturave, energjisë, turizmit, teknologjisë së informacionit etj..
Në lidhje me proceset integruese, Kryeministri Berisha e falenderoi përzemërsisht Kryetarin Boehner për mbështetjen e madhe të Presidentit, Kongresit dhe kombit amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha i theksoi Kryetarit Boehner se tani, prioritet kryesor i qeverisë shqiptare mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në BE.
"Keni bërë një punë të mrekullueshme për ta çuar vendin në rrugën e duhur. Jemi shumë të kënaqur nga raportet që marrim mbi zhvillimet në Shqipëri" - u shpreh z. Boehner.
Në takim, bashkëbiseduesit rikonfirmuan se liria ka funksionuar në zhvillimin dhe përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë.
Më tej në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon, si edhe përpjekjet e rëndësishme që po bëhen në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian, për të tejkaluar krizën që ka prekur disa vende të Eurozonës.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të ftuar Kryetarin e Kongresit, z. Boehner, për të vizituar Shqipërinë, duke i theksuar se për shqiptaret do të ishte një nder i madh që në 100 vjetorin e pavarësisë të mirëpresin një mik të shquar.