English

Ekspozitë. Diaspora Shqiptare e Amerikës së Veriut

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Diaspora Shqiptare e Amerikës së Veriut”, organizuar nga Arkivi i Shtetit, Muzeu Kombëtar dhe Fakulteti i Histori –Filologji.

Në ekspozitë ishin publikuar fotografi dhe dokumente të veprimtarisë së Shoqatës së shqiptarëve të Amerikës, “Vatra”. Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se nëse çdo shqiptar do të mendonte si Faik Konica atëherë do t’i bënim mirë edhe vendit tonë.

“Në këtë 100 vjetor që koençidon më 100 vjetorin e Vatrës, ajo që mua më ka ngelur më shumë në mendje është një fjalë e Faik Konicës, “Vatra lindi për të bërë harxhe dhe për të mos kërkuar kurrë ndere. Sikur secili prej ne shqiptarëve të mendonte si patriot, që për vendin të kryenim vetëm harxhe dhe pa kërkuar kurrë ndere, natyrisht më mirë do t’i bënim vendit tonë edhe më shpejt do të ecnim drejt stacioneve të tjera.”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shtoi se në këtë 100 vjetor shqiptarët ndjehen krenarë si asnjëherë në historinë e tyre mijëravjeçare .

“Është një 100 vjetor në të cilin ne jemi krenar si asnjëherë në historinë tonë mijëra vjeçare, jemi të lirë si asnjëherë në historinë tonë . Jemi pjesë e një orientimi brenda aleancës së lirisë për të cilën këta burra edhe pse mijëra kilometra larg vendit të tyre të dashur, s’kanë reshtur një sekond të jetës së tyre duke menduar dhe punuar për atdheun e tyre.”

Kryetarja e Kuvendit i ftoi organizatorët e ekspozitës që dokumentet dhe fotografitë e veprimtarive të Shoqatës “Vatra”, t’i ekspozonin edhe në mjediset e Parlamentit të Shqipërisë.

KOMENTE