English

Homazhe për publicistin Ardian Klosi

Ardian Klosi një prej figuarave të njohura dhe tepër aktiv i publicistikës, i dha fund jetës me dëshirën e tij mbrëmjen e 26 prillit në orën 9 të darkës në shtëpinë e tij pranë Liqenit Artificial.
Sot Biblioteka Kombëtare hapi dyert për mbajtjen e homazheve në nderim të trupit të tij.

Homazhe pranë trupit të të ndierit kanë bërë figura të shquara të artit, miq, shokë, politikanë deri në orën 14:00 dhe më pas trupi u nis për në banesën e tij të fundit në varrezat e Sharrës.

Ardian Klosi ishte publicist, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist i shoqërisë civile. Klosi lindi në vitin 1957 dhe u diplomua në vitin 1981 në degën Gjuhë-Letërsi, në Universitetin e Tiranës.
Më pas, në vitin 1990 mbrojti me sukses studimet doktorale. Në 1993 ai u transferua ne Gjermani ku jetoi pesë vite. Atje Klosi u njoh me fotografen Jutta Benzenberg, e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij. Nga kjo martesë Klosi pati dy vajza.

Pas 1998-s, Klosi u rikthye në atdhe, dhe nga ajo kohë u angazhua fuqishëm në aktivitetet e shoqërisë civile, në botën e letrave dhe të mendimit. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq edhe si ambientalist. Ai dha një mbështetje të madhe kauzave të shoqërisë civile edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku veçojmë aktivizimin e Klosit kundër shembjes së Piramidës.

Veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur veçanërisht me librat. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione” , “Shqipëria, zgjim i dhunshëm”, “Quo vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanisht-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

I paçmuar është kontributi i tij në fushën e përkthimit, ku ai ka sjellë perla të letërsisë botërore, sidomos asaj gjermane, me një mjeshtëri të përsosur. Në vitin 2008, me përkthimin e veprës “Skënderbeu”, të studiuesit gjerman Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik.

KOMENTE