Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ku u përqendrua takimi me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, cilat çështje u diskutuan në të?
Kryeministri Berisha: Takimi me Sekretaren e Shtetit ishte një takim i shkëlqyer dhe mund të them se janë shumë të pakta çështjet për të cilat nuk u diskutua në frymën më të hapur dhe më miqësore për to. Ajo ç’ka spikati dhe njëherë në këtë takim, ishte se Shqipëria dhe shqiptarët kanë fat që kanë një mikeshë të shquar si Sekretarja Clinton dhe qeveria e SHBA të cilët kanë vullnet dhe dëshirë të ndihmojnë Shqipërinë në të gjitha aspektet dhe padyshim kanë vlerësimin më pozitiv për shqiptarët në tërësi, respektin për përpjekjet e tyre, vlerësimin për bashkëpunimin në ato fusha ku ne bashkëpunojmë. Por ajo që unë dua të informoj publikun nëpërmjet valëve të Zërit të Amerikës ishte gatishmëria, dëshira për të na ndihmuar në të gjitha fushat në mënyrë që zhvillimi i vendit të shpejtohet, integrimi i vendit në BE të shpejtohet; dëshira dhe vendosmëria për të bashkëpunuar me ne në rajon për konsolidimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit; vlerësimi për bashkëpunimin që kemi në Afganistan. Sekretarja Clinton më shprehu mua ngushëllimet për humbjen e jetës së kapiten Fehti Voglit dhe foli me fjalët më vlerësuese , vlerësimet më të larta, për rolin e ushtarakëve tanë në zona të ndryshme të Afganistanit.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, kjo mbështetje që merrni ju nga SHBA, siç është treguar edhe në të kaluarën, kam parasysh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e bën edhe më të rëndësishme përgjegjësinë që duhet të ketë qeveria shqiptare dhe forcat politike në Shqipëri për të ecur përpara me reformat, pasi mbështetja prej këtej nuk i ka munguar Shqipërisë. Në këtë kuadër, një prej shqetësimeve që ka ngritur qeveria amerikane është çështja e sistemit të drejtësisë. Siç është shprehur një zyrtar i lartë amerikan, ambasadori amerikan në Shqipëri: sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk funksionon dhe i mungon integriteti. Si ju përgjigjeni ju këtyre shqetësimeve të palës amerikane për sistemin e drejtësisë në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Së pari jam plotësisht dakord me ju, që qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të ndihmojë Shqipërinë, por kjo është një përgjegjësi në radhë të parë për qeverinë shqiptare, por edhe për të gjitha forcat politike, që të intensifikojnë përpjekjet për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit ligjor, konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së gjyqësorit, konsolidimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit; një punë shumë serioze për të plotësuar kriteret që kërkohen nga Bashkimi Europian për statusin. SHBA janë të interesuara që t’i shohin shqiptarët sa më shpejtë në BE, por SHBA nuk mund të kenë asnjë lloj lëkundjeje në kërkesat që partnerët e tyre europianë paraqesin ndaj Shqipërisë për reformat, kriteret, praktikat që duhet ndjekur. Në të gjitha çështjet e diskutuara Sekretarja e Shtetit shprehej e gatshme, e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë, për luftën kundër korrupsionit, pasi u diskutua për korrupsionin, e informova për çfarë është arritur. Ajo shprehej shumë e gatshme që të ndërmarrim hapa të tjerë të rëndësishëm. Po kështu për reformën në drejtësi, sekretarja e Shtetit, dua ta theksoj, kërkoi heqjen e imuniteteve, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, nuk është interesi më i mirë i politikanëve shqiptarë, por është i qytetarëve shqiptarë.
Zëri i Amerikës: Të ndalemi pak më tej tek çështja e korrupsionit. Kur erdhët në pushtet në vitin 2005, ishte mendimi i përgjithshëm se Partia Demokratike erdhi në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit, por sot pas kaq vitesh, duket se Shqipëria ka bërë hapa pas, të paktën treguesit e organizatave ndërkombëtare tregojnë një lloj rrëshqitjeje... A mendoni se Shqipëria është duke e humbur betejën me luftën kundër korrupsionit?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se absolutisht jo! Duhet të theksoj se ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Transparency International, dhe në vlerësimin e saj të fundit Transparency thotë se, “kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht Shqipëria ka bërë hapa mbrapa”, por ne jemi të përqendruar, në të gjithë përpjekjet tona në luftën kundër tij. Unë mund t’ju jap si shembull dy reformat e fundit që bëmë ne në këtë drejtim; sot në kuadrin e nismës që mori presidenti Obama një vit më parë për partneritetin për qeveri të hapur, ne jemi nga të paktat qeveri që publikojmë ditën e nesërme “on line” të gjitha shpenzimet e thesarit të shtetit, dy javë më parë ne u bëmë vendi i parë me “e-konçesione”. Tani, unë nuk them se s’ka korrupsion, por ka një vullnet të hekurt për t’a luftuar korrupsionin dhe ajo që unë nga kjo vizitë i jam shumë mirënjohës, sepse sekretarja e shtetit më siguroi mua dhe shqiptarët se qeveria e ShBA është e gatshme të na asistojë në luftën e mëtejshme kundër korrupsionit. Dua të them këtu se qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe USAID-i kanë dhënë një ndihmë thelbësore në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit. Ne vërtetë morëm nga “Millenium Challenge Account Cooperation” dy herë nga 14-15 milion dollarë, por e vërteta është që ato projekte që u instaluan me këto shuma, qëndrojnë në themel të faktit që ne si qeveri shqiptare në 6 vjet kemi mbledhur 7.2 miliardë dollarë më shumë sesa qeveria e mëparshme në po të njëjtën periudhë, dhe që bëri Shqipërinë të kalojë linjën mediane, të dalë mbi linjën mediane përsa i përket korrupsionit, por rritja e të ardhurave [për frymë] e bëri [Shqipërinë] të pazgjedhshme për [programin tjetër të Millenium Challenge Corporation] “kompakun”, pra çfarë dua të them: lufta kundër korrupsionit është një betejë e vazhdueshme, kurrë nuk mund të thuash se e çrrënjos dot, por ajo që është më e rëndësishme është që në menyrën më të fuqishme të vazhdosh betejën kundër tij.
Zëri i Amerikës: A priten të shihen rezultate në këtë luftë, pasi është krijuar imazhi tjetër, ai i pandëshkueshmërisë në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Kjo ka një relativitet. Në Shqipëri mendoj, në dijeninë time, janë ndëshkuar më shumë se në çdo vend tjetër zyrtarë për korrupsion, janë ndëshkuar me qindra çdo vit, dhe unë mund të them se kjo është një praktikë e mirë e organeve të drejtësisë shqiptare. A ka patur ndëshkime të zyrtarëve më të lartë..? Nuk ka patur ndëshkime të zyrtarëve më të lartë, por duhet të them një gjë, barazia para ligjit duhet të jetë qëllim themelor dhe parim themelor, kurse targetimi për shkak të postit nuk justifikohet. Çfarë duhet të bëjmë ne sot? Duhet të synojmë barazinë para ligjit. Dje unë takova kryetaren e Komisionit të Jashtëm për Europën në Senatin amerikan dhe po diskutonim për këto probleme. Në SHBA nuk ka imunitet për korrupsionin dhe ne këtë model duam ta instalojmë sa më parë në Shqipëri, pra unë e quaj një betejë që vazhdon dhe një betejë e cila do të fitohet në mënyrë absolute. Natyrisht nuk mund të çrrënjoset ndonjëherë korrupsioni, duhet gjithnjë luftuar.
Zëri i Amerikës: Në komentet që bëri dje zonja Clinton përpara fillimit të takimit, ju bëri thirrje politikanëve shqiptarë të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin për të mirën e vendit të tyre. Janë dy probleme të momentit me të cilat po ndeshet Shqipëria sot, që mund të tregojnë bashkëpunimin ose mungesën e bashkëpunimit; e kam fjalën për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjen e Presidentit. Ndalemi fillimisht tek reforma zgjedhore. PD iu bashkua partive të vogla, ashtu siç u është bashkuar edhe PS, për korrektimin e sistemit zgjedhor. Cila do të jetë forma më e mirë për reformën zgjedhore ne Shqipëri, sipas mendimit tuaj?
Kryeministri Berisha: Tani, që të jem i hapur, edhe në reformën e parë edhe në të dytën, iniciativën e ka opozita, sepse e gjykoj, që ky është rregulli në tërësi. Nuk mund të them në gjithçka, por në tërësi. Është bërë një punë shumë e madhe d.m.th janë formuluar shumica e kapitujve, ka mbetur një ose dy kapituj të Kodit Zgjedhor për rishqyrtimin tërësor sipas rekomandimeve të ODHIR-it dhe OSBE-së. Ka disa probleme që duhet të pranohen d.m.th ka një zhvendosje të madhe drejt teknologjisë, e cila nga ODIHR-i nuk shihet me kaq simpati, por ne kemi besim se ajo funksionon dhe ne e kemi pranuar edhe e pranojmë. Unë gjykoj se ky është sistemi më i mirë, sepse ky sistem i jep fund një lloj rajonizimi gjeografik të papërshtatshëm të forcave politike dhe kjo është meritë e madhe e këtij sistemi. Unë them se vendosja e këtij sistemi e ka përmirësuar në mënyrë thelbësore përfaqësinë e zgjedhësve në parlamentin shqiptar, e kam fjalën për sistemin rajonal. Lidhur me formulën, ajo është çështje e matematicienëve dhe le te merren me të, unë nuk kam ndonjë kundërshtim, por unë nuk besoj të ketë kërkuar kush ndryshimin e sistemit rajonal. Sistemi rajonal është një sistem shumë i mirë për mendimin tim, shumë më i mirë se i pari, sepse përpara p.sh., ta zëmë se zgjedhësit e PD të Vlorës për shkak të përqindjes mbeteshin të papërfaqësuar në parlament, po kështu mbeteshin ata të PS në Shkodër e kështu me radhë; tani janë të përfaqësuar kudo dhe kjo është një meritë e këtij sistemi.
Zëri i Amerikës: Çështja e dytë është ajo e Presidentit. Në Kushtetutë fryma qe mbizotëron është ajo e konsensusit, megjithëse Presidenti me ligj mund të zgjidhet edhe me votat e shumicës, me 71 vota. Ju keni deklaruar nga njëra anë, se do të propozoni si kandidaturë një figurë të Partisë Demokratike dhe keni thënë po ashtu, se do të konsultoheni me opozitën. Çfarë nënkuptoni me konsultim, që të merrni pëlqimin e tyre për kandidatin tuaj, apo jeni i hapur për kandidatë të tjerë, jashtë figurave të PD-së?
Kryeministri Berisha: Natyrisht ky është një proces i cili gjykoj unë duhet të kalojë nëpërmjet konsultimeve dhe ne jemi të përgatitur të konsultohemi me opozitën dhe të gjitha forcat politike. Nuk ishte problem i diskutuar në takim me Sekretaren e Shtetit, por ky është problem që vjen shumë shpejt në rendin e ditës, muajin tjetër, ndaj dhe uroj e dëshiroj, që të mbizotërojë vullneti nga të gjitha palët.
Zëri i Amerikës - Jeni ju të hapur për një kandidat jashtë PD-së?
Kryeministri Berisha: Në tërësi unë i kam formuluar qëndrimet e mia. Ajo që unë jam i hapur, jam për konsultime dhe mbetem i vendosur për zbatimin e Kushtetutës. Pse... Po të kthehemi bashkë me zotin Rama në vitin 2008 ne ndryshuam Kushtetutën për të shmangur një krizë në zgjedhjen e Presidentit dhe vepruam shumë drejt. Pse vepruam shumë drejt? Normalisht një proces i cili nuk ka lidhje me programin që iu paraqet zgjedhësve në fushatë, nuk duhet të bëhet shkak për ndërprerje mandati dhe zgjedhjesh të lira. Mund të bëhet, nuk është ndonjë paudhësi kaq e madhe, por normalisht nuk duhet të tjetër, ndaj ne e ndryshuam ligjin dhe e bëmë që dy votimet e fundit të jenë me 70+1. A ka hapësirë për mirëkuptim dhe konsultime..?! Të plotë...!
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, kohët e fundit ka pasur komente qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë për marrëveshjen e linjës energjitike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri juaj i financave tha para pak ditësh në një intervistë për Zërin e Amerikës se i ka kërkuar firmës gjermane që ka organizuar tenderin që të konsiderojë ofertën më të ulët. Shqetësimi që është ngritur në Shqipëri, kritikat që janë ngritur atje nga shtypi kanë të bëjnë me faktin që për disa objekte, siç është fjala për parlamentin, nuk është gjetur oferta më e ulët, cili është dallimi në këtë mes?
Kryeministri Berisha: Dallimi është shumë i madh. Për objektin nuk ka patur një juri për çmimin. Po të marrësh të 12 projektet e paraqitura për parlamentin, ato varijojnë nga 48 milionë në 100 milionë euro. Juria ndërkombëtare, e cila ka patur edhe profesorë të shquar të Harvardit dhe nga gjithë bota, përzgjodhi projektin e zotit Prix për projektin më të mirë, i cili në mos gaboj, është 69 ose 79 milionë euro, nuk e mbaj mend mirë, pra juria kur përcakton se cili është projekti më i mirë, nuk merr parasysh në asnjë rrethanë çmimin, pastaj e pranon ekzekutuesi apo jo, është punë e tij, por kur thërret një juri, nuk mund të bëhesh vetë juri pastaj. Së dyti, patëm një problem me Prix. Problemi me Prix ishte se solli një shumë, në mos gaboj prej 10% për zbatimin e projektit; tani unë do të bëj transparencën e plotë, isha shumë zemërthyer nga kjo shumë që pruri, mirëpo çfarë ndodhi, është e vërtetë që një firmë tjetër e solli me 5%, por është e vërtetë që një firmë tjetër e solli me 14%, projektin e zbatimit. Kështu që në këto kushte ne respektuam mendimin e jurisë ndërkombëtare për projektin më të mirë. Rasti konkret i linjës është pak më ndryshe. KFV-ja është një bankë e mrekullueshme e cila ka financuar me dhjetra e dhjetra projekte të shkëlqyera në Shqipëri. Ne, por edhe qeveria e mëparshme, them se kemi patur marrëdhënie dhe kemi marrëdhënie shumë të mira. Në rastin konkret çështja qëndron me kredinë e kësaj banke; janë zhvilluar dy tendera, është zhvilluar tenderi Tiranë- Prishtinë, është zhvilluar edhe tenderi i Unazës së Jugut. Në tenderin Tiranë – Prishtinë një nga kompanitë, e cila i plotëson kushtet teknike, ka dhënë një ofertë prej 8.6 milionë euro më lirë, vetëm për segmentin shqiptarë, po të shtohet edhe segmenti i Kosovës del 20 milionë euro më lirë. Në Unazën e Jugut, po kjo kompani, që ka bërë këtë ofertë më të lirë, ka bërë një ofertë në mos gaboj 12 apo 20 milion euro më të shtrenjtë dhe tani pretendohet që kjo të fitojë Unazën e Jugut. Unë e kuptoj, se jo gjithmonë çmimi më i ulët duhet të përzgjidhet, por qeveria, që në momentin, që jashtë kritereve teknike heq dorë nga çmimi më i ulët, thyen një rregull të cilin do t’a ketë shumë vështirë t’a rivendosë. Plus që në total këto përbëjnë një shumë, vetëm për pjesën e Shqipërisë, mbi 20 milion euro. Është garanci sovrane e qeverisë shqiptare, dhe ne nuk mund të gjejmë një justifikim në këtë rast që ne të pranojmë, sepse janë bërë kontrolle, ka gjykata tek të cilat të gjithë mund të drejtohen, u janë drejtuar kontrolleve dhe kanë vendosur ndryshe. Nuk është fuqia ekzekutive që mund të thyejë kontrollet, fuqia ekzekutive është të zbatojë e të respektojë kontrollet dhe këto janë dy gjëra shumë evidente.
Zëri i Amerikës: Për gjendjen ekonomike të Shqipërisë në përgjithësi, a jeni i shqetësuar? Kriza globale ka ndikuar në zhvillimin ekonomik në shumë vende, Shqipëria nuk ka mbetur pa u prekur. Organizatat ndërkombëtare parashikojnë një rritje prej 0.5 deri 1% për Shqipërinë këtë vit. Si do të ndikojë kjo për planet dhe projektet për investime që ka Shqipëria?
Kryeministri Berisha: Shqipëria natyrisht përjeton në mënyrë të padiskutueshme pasojat e krizës së fqinjëve të vet dhe përveç kësaj pasojat e krizës së monedhës euro, që edhe ajo ka ndikimet e veta. Ne parashikojmë një rritje këtë vit rreth 3-4% dhe patëm një tremujor shumë të vështirë, tre mujorin e parë në të cilin vendi për një periudhë jo të shkurtër, zonat verilindore dhe juglindore ishin nën reshjet e mëdha të dëborës dhe në një mënyrë ose një tjetër ka ndikuar në prodhimet industriale të këtyre zonave. Së dyti, kemi patur periudhën më të thatë në histori ndofta, në të cilën digat shkuan drejt pothuajse inekzistencës së tyre dhe ne kemi financuar mbi 70 milion euro blerje energjie në mënyrë që ajo mos të mungojë. Por kjo situatë tani është kapërcyer krejtësisht. Mendoj se Shqipëria do t’i arrijë objektivat! Ne kemi një borxh prej 58,6% apo 58.7% . Në të vërtetë nga 2005 deri sot, nuk kemi marrë qoftë edhe një qindarkë të vetme borxh për shpenzime përveçse për investime...
Rregulli i artë është ky: Mos merr borxh për shpenzime, përveçse për investime...ne i jemi përmbajtur atij. Së dyti i jemi përmbajtur mosrritjes së borxhit, kemi tre vjet që borxhin e mbajmë nga 58-60% dhe nuk do t’a rrisim. Së treti nuk jam dakort me politika që bazohen kryekëput në ashpërsitë dhe po të vesh re politikën e presidentit Obama është e ndryshme nga ajo që ndiqet nga disa vende në Europë, ose në tërësi në Europë. Është një kombinim i ashpërsisë me nxitjen e rritjes, dhe unë e gjykoj jashtëzakonisht të domsdoshme përpjekjen e qeverisë për të nxitur dhe mbajtur rritjen. Po t’a marrësh në aspektin burokratik, gjëja më e thjeshtë është me gërshër të thuash: këtë vit do pranojë vetëm 2% defiçitin, do të ulë borxhin e të gjitha këto. Por problemi është se kush paguan faturën? Faturën imediate e paguajnë qytetarët të cilët ç’punësohen. Ka 4 vjet Greqia me masa ashpërsie dhe recesioni shkon gjithmonë në thellim. Sigurisht këto masa do të japin efektin e tyre, por problemi është se një mesatare midis efektit aktual dhe atij të pritshëm duhet gjetur. Ndaj dhe unë personalisht nuk jam për osteritete të rënda, të cilat ju krijojnë dhimbje të mëdha qytetarëve. A mund t’i kërkohet Shqipërisë mos rrit më pensionet p.sh..? T’i kërkosh Shqipërisë të mos rris pensionet do të thotë t’i mjerosh ata 500 mijë pensionistë shqiptarë të cilët edhe aq sa marrin, mezi e sosin ditën. Ose t’i kërkosh Shqipërisë tani që të bëj një ulje të madhe të borxhit, në një kohë kur ka zona që janë më të izoluarat në Europë. Si mund t’i lëmë ne ato p.sh., marr unë zonën që është midis Gramshit, Skraparit, Përmetit, Korçës, një zonë mahnitëse me bukuritë e saj, por një zonë me infrastrukturë të shekujve më parë. Po kjo është në zonën midis Peshkopisë, Mirditës dhe Kukësit, po kjo është në zonën midis Peshkopisë, Tiranës dhe Librazhdit. Pra tani është koha e një shpejtësie tjetër dhe qytetarët nuk mund të rrijnë në pritje sa të ndërtojë qeveria... ndaj ne përpiqemi t’i kombinojmë...! Zoti Bode ka patur takime shumë të mira këtu me përfaqësues edhe të Bankës Botërore edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për ne ata janë partnerë shumë të mirë dhe kemi një partneritet të gjatë, por ndonjëherë edhe mund të kemi mendime të ndryshme për zhvillimin.