Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, mori pjesë sot paradite në ceremoninë përkujtimore me rastin e 160-vjetorit të rënies së atdhetarit kuçiot Zenel Hito Gjoleka, të organizuar nga Kryesia e fshatit Kuç, shoqatat kulturore atdhetare “Labëria” dhe “Vëllazërimi Kuçiot”, ku ishin të pranishëm Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, artistë, figura të shquara intelektuale të zonës, etj.
I pritur në një atmosferë të ngrohtë festive nga Kryetari i Komunës Horë-Vranisht, Simbol Pazaj dhe nga banorë të shumtë dhe drejtues të komunave përreth, Presidenti Topi u përshëndet e u takua përzemërsisht me ta, duke shprehur kënaqësinë e vizitës në një prej fshatrave më të mëdha të krahinës së Kurveleshit dhe një prej zonave më të njohura të Labërisë, në fshatin malor pranë detit, në Kuç.
Vizita e Kreut të Shtetit nisi me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Kuç, duke vendosur kurorë me lule e duke u përulur me respekt e nderim të veçantë për kontributin heroik e atdhedashës të të gjithë bijve të shquar të tij.
Më tej, pasi Kryetari i Shtetit vendosi edhe një kurorë me lule në monumentin e sapongritur të Gjolekës, vepër e skulptorit Zeqir Alizoti, u zhvillua ceremonia e dekorimit të komandantit të forcave kryengritëse të zonave midis Kurveleshit, Çamërisë, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës, Zenel Hito Gjolekës, për rolin e rëndësishëm në bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, në fillim të shekullit XIX ku përshëndeti edhe njëri prej komandantëve të UÇK-së, ish-Kryeministri i Kosovës dhe aktualisht Ministrit i FSK-së, Agim Çeku duke theksuar se: "Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, hyrjen e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave, prandaj integrimi euro-atlantik është interes kombëtar.