English

Atdheun jua kemi borxh fëmijëve tanë, shprehet Rama në Malin e Zi

Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste, i shoqëruar nga deputetët e Qarqeve të Shkodrës dhe Lezhës ka zhvilluar një vizitë në Malin e Zi. Gjatë kësaj vizite, e para në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi një numër takimesh me përfaqësues të komunitetit shqiptar. Ndër të tjera ai u takua me kreun e komunës së Ulqini, z. Nazif Cungu, kryetarët e të pesë partive shqiptare në Malin e Zi, si dhe deputetin e zonës Genc Nimanbegun.

Përmirësimi i cilësisë së jetesës së shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata jetojnë ishte tema kryesore e bisedës mjaft miqësore. Po ashtu edhe turizmi ishte një tjetër pikë ku bashkëbiseduesit janë ndalur duke shkëmbyer pikëpamje për zhvillimin e këtij sektori. Rama propozoi një iniciativë të përbashkët për të kërkuar ngritjen e një universiteti në gjuhën shqipe në Malin e Zi për të mundësuar shkollim më të avancuar për të rinjtë shqiptarë. Lideri i PS i inkurajoi partitë shqiptare të bashkëpunonin në zgjedhje me njëra-tjetrën për të rritur pjesëmarrjen e tyre në Parlamentin e Malit të Zi si një mundësi për të avancuar të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi.

Në përfundim të takimit Rama dhe Cungu folën për mediat. Kryetari i komunës së Ulqinit tha se në takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit: “Ishte një kënaqësi e veçantë për mua dhe për gjithë stafin e Komunës së Ulqinit dhe përfaqësuesve të partive politike që sot kemi pasur në vizitë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën dhe grupin e parlamentarëve të partisë së tij.

Ne kemi shkëmbyer mendimet tona dhe kemi diskutuar për problemet e shumta, por edhe mundësitë e bashkëpunimit. Me këtë rast dua ta falënderoj edhe njëherë zotin Rama që gjeti kohën dhe mundësinë për vizitë në Ulqin dhe Mal të zi sepse ky është një respekt për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Kjo do të ndihmojë edhe në bashkëpunimin më të thellë mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.”

Duke falënderuar për mikpritjen, të cilën kreu i PS e cilësoi vëllazërore, Rama tha se duhet bërë më shumë për shqiptarët në rajon: “Dua t’i falënderoj miqtë që na rezervuan një mikpritje vëllazërore. T’i falendëroj që na dhanë mundësinë që të kemi një bashkëbisedim shumë të hapur për të gjitha çështjet e shqetësimit dhe interesit të përbashkët, që nga çështjet e zhvillimit të kësaj komune me këtë bukuri, të falur bujarisht nga Zoti apo nga natyra, për kë nuk beson në Zot, deri tek çështjet e cilësisë së jetës së shqiptarëve këtu në Mali të Zi dhe kudo ku ndodhen në rajonin tonë, sepse ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim.”
Pas takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit dhe liderët shqiptarë të forcave politike të Malit të Zi, Edi Rama është ndalur në zonën e Malësisë në Tuz. Në qendër ka qenë libri i Edi Ramës “Kurban” si një mundësi për të biseduar me shqiptarët e Malit të Zi për këndvështrimin e Edi Ramës dhe forcës politike që ai drejton lidhur me zhvillimin e turizmit, politikën rajonale, ruajtjen e gjuhës shqipe apo zhvillimin e qëndrueshëm. Kryetari i PS i është referuar dhe takimit në Preshevë, dhe ka theksuar propozimet që gjenden në programin e PS “Për një Rilindje Shqiptare” si bursa për të rinjtë shqiptarë në rajon, unifikimi i teksteve shkollore, apo shërbimet e përbashkëta turistike, janë një mundësi reale e zhvillimit.

“Atdheun jua kemi borxh fëmijëve tanë. Të gjithë jemi të përkohshëm në këtë tokë, por ajo çka në radhë të parë ata që merren me politikë, apo ata që janë aktivë në jetën publike, nuk duhet ta harrojnë, është se tek e fundit llogaritë bëhen me atë çka lë pas. Me atë çka u mbetet brezave që vijnë. Këtu në fakt ndahen edhe llogaritë e vështira të diktatorëve me llogaritë e shërbëtorëve të popullit të tyre,” tha Rama duke iu përgjigjur interesit të qindra shqiptarëve të Malësisë në Tuz.

“Në Shqipëri ka mbi 1000 vende me interes turistik, të bashkuara me ato të trevave tona në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Luginë të Preshevës – ne mund t’i ofrojmë turistëve që duan të njohin botën shqiptare një koleksion të përbashkët të këtyre vlerave në rajon,”theksoi ndër të tjera kreu i PS.

Për Edi Ramën takimi me shqiptarët e Malit të Zi ka qenë një mundësi më shumë për të parë nga afër problematikën që shqetëson bashkëkombësat atje, por edhe një mundësi shumë e mirë për të integruar në programin e PS për qeverisjen e ardhshme dimensionin e shqiptarëve të rajonit: “Besoj që kemi të gjitha mundësitë sot, në këtë kohë të re, që brezave t’i lëmë pas një tokë mbi të cilën të mund të korren fryte të dobishme dhe jo një tokë të djegur ku nuk mbin e ardhmja, siç ka ndodhur për shekuj e për dekada me radhë, fatkeqësisht në vendet e Ballkanit të përvëluar nga konfliktet e brendshme, nga urrejtja, nga nacionalizmat e verbër edhe nga mungesa e komunikimit me njëri tjetrin.”

KOMENTE