Me ftesë të Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ditën e enjte më 3 maj 2012 mbërrin për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç së bashku me Zonjën e Parë, Svetllana Vujanoviç dhe delegacionin që e shoqëron.
Presidenti i Republikës do ta presë homologun e tij malazez në një ceremoni zyrtare, e cila do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë që do të pasohet nga bisedimet dypalëshe mes delegacioneve respektive. Në përfundim, Presidenti Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, ditën e enjte më 3 maj 2012, Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç do të takohet me Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, si dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Axhenda e Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç parashikon edhe dy vizita ditën e premte në qytetin e Beratit dhe në atë të Durrësit.