Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i uroi sot mirëseardhjen në Tiranë Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i cili me ftesë të Kryetarit të Shtetit shqiptar, nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë.
Pas ceremonisë solemne të rastit, të mbajtur në Pallatin e Brigadave, me ekzekutimin e himneve kombëtare dhe prezantimin e delegacioneve respektive, dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë. Në përfundim të tij, Presidenti Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç drejtuan bisedimet dypalëshe mes dy delegacioneve zyrtare.
Pritja në Pallatin e Brigadave u mbyll me konferencën e përbashkët për shtyp të dhënë nga Presidenti Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç, në të cilën u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i palëve për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efikas në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë si dhe realizimi i aspiratës integruese të dy vendeve tona në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të përfaqësuesve të medias.