English

Ristrukturimi i forumit të gruas socialiste

Është mbledhur dje kryesia e Partisë Socialiste ku deputetja Gjermeni gjatë një prononcimi për mediat ka bërë me dije se PS ka nisur punën për ristrukturimin e forumit të gruas dhe se më 20 tetor do të mbahet Kongresi i gruas socialiste. Ndërkohë sa i takon riorganizimit të forumit rinor socialist, Sekretari për Rininë Erion Veliaj tha se janë përzgjedhur 6 emra për kreun e FRESSH.

Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni: Po vazhdon mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste. Ne dolëm për një njoftim të shkurtër, duke qenë se një nga çështjet e rendit të ditës ishte vendosja e një afati, plani pune për ristrukturimin e forumit të gruas socialiste.

Ju tashmë e dini që është caktuar një grup pune. Kanë filluar aktivitete dhe takime në bashkitë dhe komunat për ristrukturimin e forumit të gruas. Ne sapo morëm vendimin në Kryesinë e Partisë Socialiste, që Kongresi i gruas socialiste do të zhvillohet në datën 20 tetor 2012. Ndërkohë kemi parashikuar që, që nga sot e tutje aktivitetet të vazhdojnë me intensitet sidomos në muajt maj - qershor, gjatë të cilave do të ketë takime me gra lidhur me programin e Partisë Socialiste, diskutime tematike për çështjet që prekin gratë dhe vajzat në Shqipëri, duke marrë dhe mendime sugjerime për pasurimin e programit. Ndërkohë që po gjatë muajit qershor do vazhdojnë zgjedhjet në komuna dhe bashki për forumin e gruas socialiste. Zgjedhje të cilat në nivel rrethi do të realizohen gjatë muajit shtator, 15 ditshi i parë i tetorit.

Gjatë gjithë këtij procesi jemi goxha të angazhuar që jo vetëm të ristrukturojmë forumin dhe ta bëjmë më aktiv atë, por edhe të zgjerojmë numrin e grave socialiste, simpatizante të PS, të cilat dëshirojnë të kontribuojnë pranë këtij forumi.

Sekretari për Rininë Erion Veliaj: Siç keni parë, nga 15 janari, kur filluam ristrukturimin e organizatës rinore të Partisë Socialiste, nën moton Re: FRESSH, ka qenë një periudhë rifreskimi dhe rekrutimi i anëtarëve të rinj. Kjo është një mënyrë fantastike që këta anëtarë të rinj të Partisë Socialiste të jenë aktivë dhe të marrin një rol vendimmarrës.

Kemi konkluduar në ditën e sotme, kemi patur një ditë shumë të gjatë me 22 intervista të finalistëve që kishin aplikimet më të mira për të qenë kandidatë për kryetar FRESSH-i, nga të cilët kryesia ka përzgjedhur 6 veta.
Ata janë:
Elisa Spiropali, e cila është koordinatorja në detyrë.
Artur Micko
Erlis Hoxha
Joleza Koka
Juxhin Çela
Maria Myridinas.

Ju uroj këtyre të gjashtëve shumë sukses dhe i jam mirënjohës të gjithë kandidatëve që aplikuan dhe besoj që do të ruajnë interesin e tyre për të qenë aktiv, duke përfshirë edhe lidershipin e të rinjve socialist. Por për këta të gjashtë tanimë fillon një etapë tjetër. Ajo që do të bëjmë është të sjellim një risi në zgjedhjen e kryetarit të FRESSH. Është një risi që besoj do të përfshijë shumë më shumë të rinj dhe do të zëvendësoj kongresin klasik i cili ndodh vetëm me një kongres në Tiranë, me 36 kongrese ose me 36 copëza të cilat ndodhin në çdo rreth të Shqipërisë. Është e mirë për këta 6 kandidatë sepse do të duhet të bëjnë fushatë dhe do të duhet të bëjnë debate nga Tropoja deri në Gjirokastër. Por është shumë mirë për të rinjtë e këtyre rretheve sepse do të kenë mundësinë të kuptojnë se çfarë do të thotë demokraci brenda PS.

Unë besoj që kjo risi, prania e kaq shumë kandidatëve, bën diferencën me grupimet e tjera politike në Shqipëri dhe bën kontrastin me konceptin tallava dhe turbofolk të punës me rininë. Kemi ofruar gjashtë kandidatë, tre djem dhe tre vajza që kanë ambicie, kanë mosha të ndryshme, vijën nga bacgraunde të ndryshme, studiojnë gjëra të ndryshme. Besoj do të jetë një periudhë fantastike në muajt e ardhshëm sepse do të kemi 36 mini gara, për të përfunduar në Tiranë me Kongresin e datës 12 qershor.

Gara fillon që këtë të shtunë, në datën 5 maj. Rreth 5 mijë të rinj nga e gjithë Shqipëria do të jenë për homazhe tek varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”. Të gjithë këta të rinj do të jenë pastaj në hapjen e kësaj fushate dhe çeljen e debatit të parë dhe prezantimin e 6 kandidaturave në orën 12. 00, në datën 5 maj tek amfiteatri i Liqenit. Them se do të jetë fillimi i një rrugëtimi shumë interesant për jetët e këtyre të rinjve që do t’ju ndryshojë përgjithmonë jeta e tyre, jam i sigurt.

KOMENTE